Ndikim minimal në punësim dhe të ardhurat buxhetore, ndërsa kompanitë vijojnë të deklarojnë humbje, teksa Shqipëria cilësohet si një nga shtetet më të pasura të Europës në rezerva hidrokarbure…
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin e performancës për “Procedurat dhe rezultatet e marrëveshjeve hidrokarbure në Shqipëri”. Në një material voluminoz prej 153 faqesh, KLSH konstatonte se ndikimi në ekonomi i shfrytëzimit të pasurive nëntokësore ka qenë minimal, si për sa i përket efektit në punësim dhe të ardhurave në buxhet.
Grupi i auditimit vëren se, ndonëse ka prirje të rritet përqindja e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga viti në vit, kjo përqindje vazhdon të mbetet e ulët prej 2,18% mesatarisht në periudhën 2010-2014, në kushtet që rezervat e provuara dhe të mundshme të naftës në Shqipëri llogariten në 277 milionë fuçi dhe zona naftëmbajtëse Patos-Marinëz-Kolonjë njihet si zona naftëmbajtëse më e madhe në Europën Kontinentale
Nga kjo rezulton se përqindja e të ardhurave nga sektori i naftës dhe gazit ka të ardhura në rritje nga viti 2010 (1,1%) në vitin 2014 (2,7%), pavarësisht se niveli më i lartë është arritur në vitin 2013 prej 3%.
Marrëveshjet hidrokarbure të aplikuara në Shqipëri janë të tipit “me ndarje prodhimi”, çka do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e zërave tatimorë që arkëtohen në buxhet prej tyre, varen nga koha kur të ardhurat e periudhës tremujore mbulojnë kostot progresive të nxjerrjes dhe tregtimit të naftës (Faktori R>1). Duhet theksuar se deri në momentin që zhvillohet ky auditim, kompanitë në fazë zhvillimi dhe prodhimi nuk kanë arritur sigurimin e fitimit (pra faktori R të jetë më i madh se sa 1).
KLSH vlerëson gjithashtu se sektori i industrisë nxjerrëse duhet të jetë një nga fushat e punësimit për zona të caktuara, ndonëse në vitin 2014, ato zinin më pak se 1% të punonjësve gjithsej të regjistruar.
Që nga viti 2004 janë nënshkruar 16 marrëveshje gjithsej për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në tokë 12 (on shore), nga të cilat vetëm 5 prej tyre janë në fazë prodhimi: Bankers, Transatlantic, Transoil, Sherwood dhe Phoenix. Sipas të dhënave të MEI-t, prodhimi i naftës bruto në vitin 2015 nga kompanitë hidrokarbure në masën 92% i përket kompanisë Bankers Petroleum për vendburimin e Patos-Marinzës (degë e së cilës është dhe Sherwood), Transatlantic 5.2%, Transoil 2.2% etj.
Marrëveshjet hidrokarbure janë të tipit “me ndarje prodhimi”, e cila parashikon mbulimin e kostove të kontratës nga hidrokarburet e prodhuara dhe ndarjen midis shtetit dhe kontraktorit të sasisë së hidrokarbureve të mbetura pas mbulimit të këtyre kostove, në përputhje me një shkallë ose formulë të përcaktuar në marrëveshjen e hidrokarbureve.
Fakti që nxjerrja e naftës nga nëntoka më e pasur në Shqipëri dhe më gjerë, rezulton se akoma edhe pas 12 vitesh nuk ka arritur të mbulojë kostot përkatëse, dhe për pasojë shteti shqiptar përfiton diçka më pak se 2% të vlerës së prodhimit të deritanishëm, në një kohë që prodhimi është rritur ndjeshëm dhe nuk konstatohen prirje për të arritur 50% të fitimit, tregon jo vetëm për mangësi të përgatitjes dhe zbatimit nga ana e kontraktorit të planeve të zhvillimit për periudhën 25-vjeçare të zhvillimit dhe prodhimit (tashmë kanë kaluar më shumë se 10 vjet), të përputhjes së planeve dhe buxheteve vjetore me planet e zhvillimit, por edhe për performancë të dobët inspektuese, monitoruese, kontrolluese dhe audituese të enteve publike: MEI, AKBN dhe Albpetrol Sh.A.
KLSH thekson se përgjithësisht, zhvillimi i sektorit hidrokarbur nëpërmjet dhënies së vendburimeve nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure është karakteristikë e vendeve ekonomikisht të varfra, me institucione të dobëta dhe me një bazë ligjore të pazhvilluar mirë, duke mundësuar ofrimin e kapitalit të huaj financiar, njerëzor, teknik dhe të përvojës në fushën e kërkimit, zhvillimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit. Në këtë mënyrë, vendet që disponojnë rezerva natyrore të provuara të naftës, nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, synojnë zgjerimin e fushave të kërkimit dhe rritjen e forcës zbuluese, përmirësimin e prodhimit nga puset ekzistues, si dhe përdorimin e një teknologjie bashkëkohore të industrisë nxjerrëse hidrokarbure për të rritur prodhimin në një shfrytëzim racional të pasurisë nëntokësore, duke ruajtur dhe duke mbrojtur mjedisin.
Kontributi i sektorit të naftës dhe gazit në PBB është analizuar së bashku me atë minerar, në kuadrin e industrisë nxjerrëse, jo vetëm për shkak se është vështirë të gjenden dhe të llogariten të dhëna të detajuara, por se sektori hidrokarbur në përgjithësi përbën mbi 80% në strukturën e kësaj industrie, duke qenë përcaktues në vlerën e saj në PBB. Sipas të dhënave konstatohet se nafta dhe gazi e kanë rritur me oscilacione të konsiderueshme vlerën në PBB, e rezultuar kjo nga shqyrtimi i periudhës 2008-2014. Niveli më i ulët prej 2% konstatohet në vitin 2009 dhe më i larti prej 5.6% në vitin 2012.
Subjektet nën auditim kanë qenë Ministria e Industrisë dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Albpetrol Sh.A, pasi ato janë përgjegjëse për miratimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve koncesionare.
Sa të pasur me naftë
Shqipëria cilësohet si një nga shtetet më të pasura të Europës në rezerva hidrokarbure. Shfrytëzimi i naftës këtu tek ne ka nisur që në fillimet e shekullit të 20 dhe pika kulmore e shfrytëzimit arriti në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, ku prodhimi i naftës bruto arriti nivelin e 2,5 milionë tonë naftë në vit (vetëm vendburimi i Gorisht-Koculit prodhoi mbi 1 milion ton naftë për atë vit). Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta të naftës, që arrijnë deri në 400 milionë tonë, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar, për shkak të investimeve të larta për kërkim. Sipas AKBN është e njohur se 40 milionë tonë janë të pashfrytëzuara, ndërsa 50 milionë tonë janë tashmë të shfrytëzuara. Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe më e madhja në tokë në Europë, me një sipërfaqe prej rreth 17,8 mijë hektarësh dhe rezervat e saj të provuara janë rreth 5,4 miliardë fuçi naftë. Nafta bruto e Patos-Marinzës shitet me një zbritje prej rreth 50-60% ndaj naftës referencë europiane Brent, për shkak të natyrës së saj të rëndë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.