Qeveria e re e Kosovës ka vendosur që masat e reja fiskale të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, por megjithëkëtë prodhuesit dhe biznesit shprehen të kënaqur me paketën e re fiskale.
Masat e reja fiskale të planifikuara nga qeveria e kaluar për të hyrë në fuqi këtë vit, me ardhjen në pushtet të qeverisë së re, do të pësojnë ndryshim si në substancë po ashtu edhe në kohë. Qeveria e re ka vendosur që këto masa të reja të hyjnë në fuqi jo nga ky vit, por nga janari I vitit të ardhshëm.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza, e ka përsëritur këtë vendim pas një takimi me drejtues të Odave Ekonomike.
“Vendimet janë marrë në qeveri, do të kenë efekt prej 1 janari do të lirohen lëndët e para që përdoren nga prodhuesit tanë, gjysmën produkte, të gjitha pajisjet e teknologjisë informative, do të lirohen të gjitha linjat e prodhimit, po ashtu do të lirohen nga tatimi i akcizës burimet e energjisë, siç janë gazi, nafta, mazuti dhe ne besojmë që kjo është një shtysë shumë e madhe dhe kem besim që do të ndikojë pozitivisht në prodhimtarinë tonë”, tha Rafuna.
Kurse përfaqësuesit e bizneseve edhe pse pranojnë që qeveria ka bërë lojë me shtyrjen e hyrjes në fuqi të këtyre masave, në mënyrë që mos të rrezikohen të hyrat në buxhet, ata megjithatë shprehen të kënaqur.
Arian Zeka, nga OEAK, tha se do të ishte mirë që masat të hynin në fuqi qysh tash, mirëpo ai tregon mirëkuptim.
“Do të kisha dashur që kjo të hynte këto masa të hynin në fuqi që sot ose nga e hëna dhe jo në një janar të vitit 2018, por e kuptojmë që është çështje e planifikimit buxhetor dhe duhet të ketë kujdes edhe për buxhetin e vendit”, tha Zeka.
Zeka më tej tha se “Pavarësisht vonesës është momenti përfundimtar që këto masa lehtësuese të hyjnë në fuqi për sektorin e prodhimtarisë në vend.
“Arsyetimi besoj që është i panevojshëm duke pas parasysh bilancin tregtar që e ka shënuar vendi ynë prej vitit në vit pa një përmirësim të dukshëm realisht pa rritje të eksporteve dhe me rritje graduale ose të vogël të importeve nga viti në vit, meqenëse e vetmja masë, e cila në periudhe afatgjate do të garantonte vazhdimin e sektorit të prodhimtarisë të vendit tonë. Ne në komunitetin e prodhuesve të Odës vazhdimisht kemi diskutuar për këto çështje dhe i kemi dhënë rekomandime që nga viti 2013 për miratimin e ligjit për lirimin e mallrave doganore atëherë është pat bërë një punë e vogël pikërisht nga ministri i Financave, zotëri Hamza”, ka thënë Zeka.
Drejtori i Odës ekonomike Amerikano-Kosovare Arian Zeka beson që vendimi i fundit për lirimin e të gjitha lëndëve të para dhe krijimi i një liste të prodhuesve në vend do të ofrojë zgjidhjen e duhur për një kohë më të gjatë.
“Ne kemi shprehur disa brenga se si do të trajtohet edhe çështja e furnizimit me lëndë të parë për brenda meqenëse për momentin flitet për heqjen detyrimeve doganore tatimi për vlerën e shtuar për lëndën e parë të importuar mirëpo morëm përgjigje nga ana e zyrtarëve të ministrisë që edhe kjo çështje është adresuar dhe prodhuesit në momentin që do të jenë të regjistruar në atë listën do të mund të gëzojnë të njëjtat benefite edhe gjatë furnizimit me lëndë të pare, po ashtu për pemë, perime etj”, tha Zeka.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.