Shqipëria nuk i vlerëson programet e studimit master si tregjet e huaja. Ndërsa studentët shpenzojnë shpesh po aq sa në Perëndim, ai nuk shërben për një pagë më të mirë. Më të preferuar, studimet në teknologji informacioni, marketing, administrim biznesi. Të “padobishme”: diplomaci, psikologji. Flasin ekspertë të rekrutimit e të karrierës.
Me fillimin e vitit akademik, universitetet kanë hapur dyert edhe për studentët e programeve master. Dyndja e studentëve që duan të regjistrohen tregon se prirja e vërejtur 4-5 vitet e fundit e të rinjve shqiptarë për të vazhduar studimet po theksohet. Si një treg i ri që zhvillohet shpejt, për këtë pjesë të studimeve ka shumë pikëpyetje. Cilat janë konkretisht programet master më të preferuar në Shqipëri? Nga cilat universitete ofrohen ato? Cilat prej këtyre programeve të studimit ofrojnë më shumë mundësi pune dhe sa kohë shpenzohet mes përfundimit të këtyre studimeve dhe fillimit të punës? Për tregun shqiptar, këto pyetje mbeten pa përgjigje, pasi mungojnë studimet e mirëfillta të tregut si dhe vlerësimet e institucioneve publike.
Edhe kompanitë e rekrutimit kufizohen në përvojën e tyre me punëdhënës e punëkërkues kur flasin për sjelljet e tregut.
Pranvera Papadhimitri, menaxhere për Shqipërinë e “Pedersen&Partners” (kompani e rekrutimit të drejtuesve) tregon se “një kandidat me diplomë universitare dhe me pak përvojë pune është shumë më i preferuar nga kompanitë shqiptare krahasuar me kandidatin e diplomuar në master dhe pa përvojë pune”. Në tregun shqiptar, lidhja e studimeve me punësimin është shumë më e ndryshme krahasuar me Europën Perëndimore, apo Amerikën. Sipas Papadhimitrit, studimet master janë një kriter që vendosen si preferencë për punën por jo kriter i domosdoshëm.
Dy janë arsyet përse kompanitë shqiptare nuk tregojnë vëmendjen e kompanive perëndimore, kur flasim për studimet e thelluara. Për drejtuesit e kompanisë së rekrutimit “DM Consulting”, çështja e emërtimit “Master” është ende e pastabilizuar në vend.
Për drejtuesit e “Pedersen&Partners”, një tjetër faktor lidhet me praninë e pakët të korporatave, të cilat bëjnë një vlerësim më të kujdesshëm të pozicioneve të punës, pagës dhe arsimit.
Studimet master, të cilat kushtojnë nga 900-6000 euro (në varësi të universitetit dhe programit) shërbejnë për të ruajtur vetëm vendin e punës, në të shumtën e rasteve pozicione me të ardhura mesatare e të larta.
Përfaqësues të zyrave të karrierës, pranë disa universiteteve, tregojnë se 50-90% e studentëve që regjistrohen pranë tyre, janë të punësuar dhe kërkojnë të ruajnë pozicionin në punë e më vonë të mund ta përmirësojnë atë.
Pjesa e tjetër janë shumë më të paqartë për vlerën e masterit.
Shumë studentë vazhdojnë të tregojnë se po bëjnë një master thjesht për ta pasur, ndërsa ngrenë supet kur pyeten se sa mendojnë se do t´u vlejë.
E nisur me nxitjen që i dha vendimi i Këshillit të Ministrave për një shtesë në pagë prej 10 mijë lekësh punonjësve të administratës shtetërore që kanë studimet master, tendenca e studimeve vazhdon, pavarësisht se ky vendim nuk është më në fuqi. Më shumë se nevojë e tregut, ajo është një modë e të rinjve shqiptarë, vlerësojnë kompanitë e rekrutimit. Prirja e studentëve për të ndjekur programe të masterave shkencorë, në vend të atyre profesionalë (për të cilat ka më shumë mundësi pune) rrezikon të na çojë në një inflacion doktorantësh e akademikësh. “Vendet e punës që ofrojnë kompanitë janë shumë më të kufizuara nga ajo çka ofrojnë universitetet”, thotë Papadhimitri. Ajo këshillon që, “pasi të kenë mbaruar studimet universitare, është më mirë që studentët të punojnë dhe pas dy-tre vitesh të zgjedhin një program master”.
Oferta universitare tashmë është hedhur në tregun e punës dhe pavarësisht nivelit ende të vakët të vlerësimit, disa perceptime nga tregu mbërrijnë përmes kompanive të rekrutimit dhe zyrave të karrierës pranë universiteteve.
Sipas përfaqësuesve të Universitetit New York Tiranë, “Shqipëria po tregon se për studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ata të psikologjisë, tregu është shumë i kufizuar”. Më të preferuara janë studimet e thelluara në teknologjinë e informacionit, administrim biznes dhe marketing.
Sipas Papadhimitrit, “një diplomë në shkencat ekzakte dhe një studim i thelluar master, i profilizuar, është zgjidhja më e mirë që mund të bëjë një student”.
Te kesh një master në xhep nuk përbën ndryshim nëse mban emrin e universiteteve private, publike apo të huaja. Duke lundruar në ujëra të turbullta, përfaqësuesit e kompanive rekrutuese kanë një perceptim se programet master të universiteteve publike mund të jenë më të parapëlqyer. Dekani i Fakultetit Ekonomik pranë Universitetit të Tiranës, Omer Stringa, tregon se, “vetë Universiteti i Tiranës nuk ka bërë ndonjë vlerësim lidhur me preferencat e kompanive, por një anketim i bërë nga organizma të huaja tregon se preferohen më shumë të diplomuarit në Universitetin e Tiranës”.
Nga programet e huaja master, te ne vlerësohen studimet e bëra pranë universitetit amerikan “Sheffield” dhe “Bled” Slloveni. Por kjo ndalet vetëm në përparësinë e përzgjedhjes së kandidatëve. Përfaqësues të rekrutimit tregojnë se nuk përbën asnjë ndryshim për sa i përket pagesës së caktuar për vendin e punës.
Punëdhënësit: Masteri preferohet, por nuk e rrit pagën
Kujdes në përzgjedhjen e fushës
Universiteti New York
Me programin master prej 9 vitesh në Administrim Biznes – Program Drejtues, Universiteti New York i Tiranës, ka programin më të hershëm të studimeve master në sistemin privat të arsimit. “Studentët që janë përfshirë në këtë program kanë qenë në pjesën më të madhe të punësuar dhe janë promovuar në karrierë, (duke gjetur punë më të paguar dhe në pozicione më të mira në kompaninë ku kanë qenë apo në të tjera në rast interesi të tyre)”, vlerëson drejtuesja e zyrës së karrierës pranë këtij universiteti, Elona Garo. Dy vitet e fundit, oferta e studimeve të programeve master është zgjeruar edhe në fusha të tjera. Duke treguar se po përpunojnë të dhënat e të diplomuarve të fundit (mbledhje dhe vlerësim) në këto muaj, ajo tregon se kanë tashmë një vlerësim paraprak të asaj çfarë po ndodh në tregun e punës me studentët e tyre. “Disa vlerësime paraprake thonë që studentët e Marrëdhënieve Ndërkombëtare e kanë më të vështirë të gjejnë punë që lidhet me ekspertizën e tyre, si rezultat i shumë të kualifikuarve në këtë fushë (brenda dhe jashtë vendit) si dhe të mundësive të kufizuara për punë nga organizatat ndërkombëtare dhe sektori publik ku ata aspirojnë të ndërtojnë karrierën e tyre”, thotë Garo. Ajo shton se, nga vlerësimet e katër-pesë viteve të fundit, rezulton se tregu ka nevojë për të rinj të diplomuar me sukses dhe me njohuri në shkencat kompjuterike, financë, menaxhim biznesi, marketim, si dhe degë të afërta me to.
“Vlerësimi ynë është mjaft pozitiv bazuar në ‘feedback´-un e tyre. Studentët e diplomuar nga universiteti ynë janë ambiciozë dhe të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e tyre në karrierë. Ata janë pozicionuar në tregun shqiptar, në pozicione të suksesshme (në sektorët publikë dhe privatë, organizata jofitimprurëse dhe në akademi, si dhe janë sipërmarrës), janë në kërkim të vetes duke provuar më shumë dhe një pjesë e tyre vazhdon studime të mëtejshme në universitete prestigjioze në botë”, thotë përfaqësuesit e karrierës së UNYT.
Një investim i vlefshëm është studimi në administrim biznesi, në të cilin përmenden shumë raste të suksesshme. Nëse jeni një punonjës shumë i mirë dhe keni fituar vlerësimin e sipërmarrësit, mund të studioni në këtë fushë me shpenzimet e kompanisë dhe të ktheheni atje si drejtues i një dege të saj. Drejtues të këtij universiteti tregojnë se vetë kompanitë kanë shpenzuar për studimet master të punonjësve të tyre.
Ajo çka vëren departamenti i karrierës pranë Universitet New York, në takimet që bën me studentët e diplomuar çdo maj, është se studentët e programeve master në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfundojnë të punojnë në sektorin privat. “Shqipëria po tregon se për studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ata të psikologjisë tregu është shumë i kufizuar”, tregon Garo. “Ajo çka do t´u këshilloja studentëve është që të lënë ëndrrat mënjanë dhe të shohin realitetin. Shkencat kompjuterike, marketing, menaxhim biznesi janë fushat më të kërkuara”, thotë Elona Garo.
Sipas të dhënave të UNYT, 3-4% e studentëve të diplomuar me programet master mund të mos kenë arritur të gjejnë punë brenda një viti pas diplomimit. Edhe në këto raste, ata shpjegojnë se kjo ndodh për shkak të pritshmërive shumë më të larta të kandidatëve.
Të punojmë më shumë me kurrikullat
Dr. Teuta Dobi, presidente e Universitetit Europian të Tiranës
Ne synojmë që tregun kaotik të arsimit të lartë, sidomos atë të studimeve master ta orientojmë drejt kërkesave reale të tregut të punës. Jemi në projekte serioze me operatorët më të mëdhenj të punësimit në vend
Qëllimi ynë është jo vetëm të arsimojmë studentë, por edhe t´i punësojë ata. UET nuk synon vetëm numër studentësh në programet që ofron. Përkundrazi ne jemi në tregun e arsimit me plane afatgjata dhe po studiojmë tendencat e tregut të punës.
Ajo që kemi ndërtuar në këto pesë vjet dhe që ka qenë synimi ynë kryesor është rritja e aftësive profesionale të studentëve tanë, t´i drejtonim ata në fushat e tyre të studimit, por edhe për shkak të një tregu kaotik punësimi kemi bërë pak për t´i drejtuar dëshirat e tyre drejt dëshirave dhe mundësive që ofrojnë punëdhënësit. Mendoj se do ishte e gabuar të themi që punësimi i të diplomuarve në nivelin master sot bëhet vetëm në bazë të studimeve të tyre të larta dhe jo nëpërmjet prejardhjes së tyre sociobiografike.
Ata shpeshherë janë të punësuar dhe kërkojnë të zhvillojnë akoma më shumë dijet në profesionin që kanë zgjedhur.
Madje në këto njëzet vite, të rinjtë kanë rendur më shumë pas programeve të studimit sesa pas universiteteve me emër dhe reputacion në arsimin e lartë, krejt e kundërta e asaj që ndodh në vendet e zhvilluara perëndimore. Gjithashtu, pabarazitë sociale dhe ekonomike ndikojnë në mundësitë e punësimit të studentëve. Për këtë arsye, ne kemi afruar studentët më të mirë e të talentuar me anë të programit të bursave, pavarësisht etnicitetit, gjinisë apo rajoneve shqiptare ku ata bëjnë pjesë.
Universiteti ynë ka konsoliduar tashmë traditën e ‘Bordeve të Punës´, të cilat janë konceptuar si struktura që qëndrojnë pranë fakulteteve me qëllim konsultimin për proceset e praktikave/ stazheve apo për cilësinë dhe mundësitë e punësimit të të diplomuarve nga UET-i; si dhe për të sugjeruar ndryshime në programet e studimit, të cilat duhej të reflektonin në vitin pasardhës akademik më shumë afërsi dhe përshtatshmëri me tregun e punës. Idetë e sugjerimet nga këto borde merren parasysh në përditësimin e strategjisë sonë. Secili bord përbëhet nga 11 anëtarë, specialistë apo drejtues të institucioneve, firmave private, kompanive publike apo private, mediave, sipërmarrjeve të specializuara për zhvillimin e tregut të punës etj.
Shohim çdo ditë e më shumë që tregu i punës në Shqipëri po paraqet ndryshime të mëdha. Po kërkohen të diplomuar në arsimin e lartë dhe në pozicione punësimi që më përpara nevojitej vetëm diploma e shkollës së mesme. Karriera nuk konceptohet më vetëm në drejtimin vertikal me ngjitjen e shkallëve hap pas hapi, po gjithmonë e më shumë po shohim që karriera e individëve në Shqipëri ndryshon për mirë dhe në mënyrë horizontale, duke zgjeruar apo duke thelluar njohuritë në fusha dhe drejtime të panjohura më parë. Po kërkohen gjithnjë e më shumë dije të përgjithshme dhe kompetenca të tjera sociale, përveç fushës së specializimit të studentëve. Tashmë, për shembull, për një ekonomist është bërë e zakonshme të ketë njohuri të thelluara në kompjuter, në gjuhë të huaja apo në njohjen e legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar krahas njohurive të financës apo menaxhimit.
Ne kërkojmë që marrëdhënia jonë universitare me tregun e punës të jetë afatgjatë pasi presupozohet që njohuritë që studenti merr gjatë studimeve të tij në universitet t´i vlejnë për profesionin që ka zgjedhur të bëjë në jetë. Tradita e shkollës shqiptare, e trashëguar dhe nga komunizmi, ka qenë që studenti në universitet merrte vetëm dije teorike dhe praktikën dhe profesionin e tij të vërtetë ai e merrte vetëm kur punësohej. Ne kërkojmë ndryshimin e kësaj tradite, studimet e larta nuk duhet të shërbejnë vetëm për të dhënë disa dije teorike fillestare, për të filluar një punë por duhet të adresojnë dhe çështje të tjera që mund të dalin gjatë karrierës së ardhshme të studentit.
Tendenca e punësimit deri tani në botë ka qenë që i diplomuari kalon nga një punë profesionale në një punë administrative apo menaxheriale. Shpesh ky raport është i përmbysur në Shqipëri dhe gjatë studimeve të larta në lëndët profesionale, zakonisht vihet më shumë theksi tek administrimi apo te menaxhimi sesa te profesioni si i tillë. Kjo lidhet dhe me mentalitetin e përgjithshëm, si dhe me dëshirat apo perceptimet e studentëve apo familjarëve të tyre, por është detyra jonë si një institucion serioz dhe me reputacion t´i përgatisim studentët tanë për një karrierë profesionale sa më të suksesshme dhe me ndikim pozitiv në zhvillimet kombëtare. Për ta bërë këtë, sigurisht që nevojiten ndryshime edhe në vetë kurrikulat e programeve të studimit, të cilave nuk u është dhënë rëndësia e duhur gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Janë konsideruar si më të rëndësishme: lloji i institucionit, niveli i diplomës, programi i studimit, por jo dhe aq të rëndësishme raporti midis pjesës akademike dhe asaj profesionale, raporti mes dijes së përgjithshme dhe dijes praktike dhe metodologjike, raporti i lëndëve të detyrueshme dhe lëndëve me zgjedhje, ndërdisiplinimi dhe diversifikimi i kurrikulave.
Pavarësisht vështirësive, nga mbledhja e të dhënave që disponon Zyra e Karrierës dhe Praktikave pranë UET-it për punësimin e studentëve sipas programeve të studimit, na rezulton që të 55-90% e të diplomuarve në masterat shkencorë janë punësuar. Ndërkohë për masterat profesionalë, tregu i punës ka përthithur 55-70% të të diplomuarve. Ne synojmë me anën e politikave dhe strategjive të përmendura më sipër të rrisim më tej numrit e të punësuarve.
Studimet master në UET-Punësimi
E drejta publike- 75%
E drejta private-65%
Ekonomi dhe zhvillim i qëndrueshëm-90%
Financë- 80%.
Marrëdhënie Ndërkombëtare- 85%.
Menaxhim-90%.
Shkenca Komunikimi- 85%.
Shkenca Politike- 75%.
Sociologji -70%.
Burimi: Zyra e karrierës UET
Studentët master, të punësuar
Intervistë Adriana Berberi, Administratore e Deleguar, Universiteti “Marin Barleti”
Cilat janë programet master më të preferuara nga studentët? çfarë po kërkojnë ata?
UMB ka diplomuar 225 studentë të programeve master, pjesa më e madhe e të cilëve në financë kontabilitet, administrim publik e drejtë biznesi. Tri fushat tashmë të konsoliduara të programeve master janë: administrimi i biznesit, shkenca juridike dhe administrim publik.
Për herë të parë këtë vit akademik, UMB do të ofrojë programe master edhe në fushën e studimeve europiane. Studentët e regjistruar në këto programe do të fillojnë studimet në datën 21 tetor. Studentët që ndjekin programet master në UMB, kryesisht janë të punësuar dhe synimi i tyre është specializimi për të kryer më mirë punën që ata kanë dhe për të qenë më të përgatitur për të konkurruar në mënyrë të suksesshme në tregun e punës. Një pjesë e tyre kanë ardhur nga kompani apo institucione me të cilat universiteti ka marrëveshje bashkëpunimi dhe partneriteti. Me këto kompani kemi vendosur urat e bashkëpunimit për realizimin e konferencave të përbashkëta, për diskutimin dhe vlerësimin e kurrikulave të programeve bachelor apo master, për ofrimin e programeve të dedikuara për kualifikime afatshkurtra e intership. Studentët e programeve master në universitetin tonë kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, ndonëse peshën më të madhe e kanë zënë studentët nga Tirana, për vetë faktin se në kryeqytet është e përqendruar jo vetëm administrata, por edhe biznesi.
Përmes zyrës sonë të karrierës, kemi marrë një perceptim pozitiv të të diplomuarve edhe pas një viti që ata kanë përfunduar studimet i programeve. Në procesin e rankimit, pavarësisht se nuk pati asnjë renditje, një nga pikat më të forta tonat ishte pikërisht cilësia në mësimdhënie.
Cilat programe studimi kanë akses më të shpejtë në treg dhe cilat sigurojnë mundësi për një pagë më të mirë?
Është e vështirë të bëj diferencimin e programeve, sepse ne kemi pasur studentë në të gjitha programet dhe diferencat nuk janë domethënëse. Nga ana tjetër, studentët gjithashtu kanë ardhur nga kompani apo institucione të ndryshme. Por, në kushtet kur ka diferenca, ka vend edhe për analiza. Programi i studimeve master në Financë & Kontabilitet vijon të jetë nga më të kërkuarit, dhe kjo jo thjesht për faktin se ekonomistët punojnë në çdo njësi, por për mënyrën se si është konceptuar programi dhe sa të domosdoshme janë ato njohuri për një drejtues zyre, por edhe për standardin shumë të lartë që ka stafi akademik i angazhuar në këtë program. Në vlerësimin tonë ka qenë dhe mbetet i kërkuar masteri në Administrim Publik, gjithashtu për paketën e lëndëve dhe të formimit që studentët marrin, duke plotësuar apo ngritur në një nivel më të lartë njohuritë në administrim, menaxhim territori, shërbimet publike e deri në njohuritë për kontabilitetin publik. Studentë të këtij programi kanë qenë kryesisht individë të punësuar në administratën publike, në nivel qendror apo lokal, por edhe individë që e kanë parë përfundimin e këtyre studimeve si mundësi punësimi në njësitë e qeverisjes lokale. Një nga programet e tjera që po vlerësohet shumë është masteri Lidership & Menaxhim Burimesh Njerëzore. Këtë master e kanë ndjekur student, të cilët punonin aktualisht në zyrat e menaxhimit të burimeve njerëzore në kompani apo institucione të tjera, si në banka, kompani të mëdha biznesi, institucione të pavarura etj. Por njëkohësisht është ndjekur edhe nga investitorë e administratorë biznesi, të cilët synojnë të përmirësojnë performancën dhe rezultatet e tyre në biznes.
Tek masterët shkencorë mbeten të kërkuara edhe në këtë fillimviti akademik, programet e studimit në financë kontabilitet, studime europiane e veçanërisht në Politikat Europiane dhe Administrim Publik.
Cilat janë risitë e këtij viti në programet master. çfarë po bëni për të përforcuar lidhjen me tregun?
E reja e këtij fillimviti akademik është se UMB dhe Universiteti i Napolit përfunduan marrëveshjen për diplomën e përbashkët në drejtësi. Marrëveshja e nënshkruar me “Seconda Universita degli Studi” të Napolit mundëson lëshimin e diplomave të studimit në Laurea Magistrale in Giursiprudenza (Diplomë e përfundimit të një cikli unik studimesh pesëvjeçare në Drejtësi) të lëshuar nga “Seconda Universita degli Studi” të Napolit dhe Diplomën “Master i Shkencave” të lëshuar nga Universiteti Marin Barleti
Një program i veçantë që ofrohet nga universiteti ynë është “Masteri profesional (ekzekutiv)” për profesionistë me përvojë, të cilët kanë një vend pune. Këto programe mundësojnë aftësimin profesionalm, duke mbajtur parasysh përvojën e punës së studentëve dhe u zhvillojnë aftësi të reja ndërkohë që ata punojnë. Një tjetër ofertë është programi master në distancë. Falë infrastrukturës së shërbimeve në distancë, programet mundësojnë përfshirjen e studentëve nga zona të largëta me Tiranën.
Për të krijuar më shumë mundësi në lidhjen me tregun, UMB ka një bashkëpunim me Prometric (agjenci lider për shërbimet e testimit dhe vlerësimit në mbarë botën). Falë këtij bashkëpunimi UMB ofron kurse përgatitore për testimin e gjuhës angleze, si dhe ka të drejtën për administrimin e testeve ndërkombëtare të gjuhës angleze dhe të teknologjisë së informacionit.
Laboratorë të zhvillimit njerëzor
Forma të reja të zhvillimit të aftësisë dhe thellimit të njohurive po zhvillohen në vend përmes programit të PNUD-it ARTGOLD 2, i quajtur ndryshe “Laboratorë të zhvillimit njerëzor”. Ato janë një partneritet midis ministrive, organizmave lokale dhe institucioneve arsimore. Sipas përfaqësuesve të këtij projekti, partnerët kanë identifikuar përvoja potencialisht të reja të zhvillimit në të dyja rajonet dhe kanë rënë dakord t’i vënë ato në dispozicion të studentëve të interesuar, e të profesionistëve të rinj, në kontekstin e orientimit të politikave kërkimore dhe zhvillimin profesional. Partnerët e projektit kanë rënë dakord për të krijuar dy “laboratorët e zhvillimit njerëzor” në Shkodër dhe Vlorë.
Procesi do të përfshijë një kombinim të punës në terren, leksionet profesionale dhe akademike, të mësuarit nëpërmjet shkëmbimit të përvojave mes profesionistëve dhe përvojave të ngjashme në vende të tjera europiane.
Përfitues direkt të këtij projekti janë studentët pasuniversitarë, Universitetet e Vlorës dhe Shkodrës, si dhe profesionistë e zyrtarë publikë të institucioneve vendore dhe organizatave të përfshira në procesin e zhvillimit lokal. Qëllimi i këtyre programeve është që profesionistët të mund të menaxhojnë më mirë për të nxitur proceset e zhvillimit lokal të integruar në rajone. Projekti parashikon një total 120 orë pune në klasë (module) dhe 240 orë pune të mbikëqyrur në terren. Përfundimi i gjithë ciklit të trajnimit do të lejojë pjesëmarrësit për të fituar 12 kredite europiane të transferueshme.
Si vlerësohen masterat jashtë
Në Europë vlerësimet e programeve të studimit master kanë kritere të qarta. Një program që siguron një pagë më të mirë, një pozicion më të mirë pune sa më shpejt, do të kryesojë në listat e vlerësimeve. Raporti i fundit i Finacial Times për master në menaxhim rendit 65 programet kryesore në menaxhim të përgjithshëm për studentët që nuk kanë përvojë të mëparshme pune. I publikuar për herë të parë në vitin 2005, renditja vlerëson kurset që prezantohen nga shkollat e biznesit në mbarë botën. Ajo gjithashtu i vlerëson vetë shkollat si dhe ish-nxënësit. Të dhënat nga vëzhgimi me ish-nxënësit përdoren për të përcaktuar gjashtë nga 16 kriteret: paga mesatare, vlera për para, karriera, qëllimet e arritura (përqindja), vlerësimi i suksesit dhe lëvizshmëria ndërkombëtare. Dy grupe të dhënash përdoren për të hartuar rezultatet, në momentin që shkollat biznesit kanë plotësuar kriteret për aplikim. Vëzhgimi i parë kryhet nga shkollat dhe i dyti nga ish- nxënësit që u diplomuan tre vjet më parë. Në renditjen e këtij viti merrnin pjesë studentët e diplomuar në 2008-n.
Që shkollat të jenë të vlefshme për të marrë pjesë në renditje, kërkohet një normë përgjigjeje 20% nga ish-nxënësit, me një minimum 20 përgjigjesh për shkolla me më pak se 100 ish-nxënës në klasën që është diplomuar.
Shkollave u kërkohet që të njoftojnë ish-nxënësit përpara fillimit të vëzhgimit. Gjithsesi, në momentin që procesi po zbatohet, ata nuk lejohen që të kontaktojnë direkt me ish- nxënësit ose t´i nxisin ata të marrin pjesë në një mënyrë apo tjetrën.
Po vetë programet çfarë duhet të këtë. Sipas një vlerësimi të “Financial Times”, akreditimi luan rol të rëndësishëm. Jean Charroin, drejtor i programit MIM në “Audencia Nantes School of Management” në Francë, beson se ai është një faktor thelbësor. “Akreditimi siguron standardin e cilësisë në aktivitetet tona”, thotë ai. Sipas Charroin, akreditimi provon se një shkollë ka arritur një farë standardi kërkimi dhe cilësie akademike. Por, ka shumë më tepër në kurset e masterit (veçanërisht ato për menaxhim) sesa tradicionalja “shkruaj me shkumës dhe fol”. Internship-e, këmbime eksperiencash përtej detit, projekte kërkimore dhe udhëtime studimore midis opsioneve që iu ofrohen studentëve, merren parasysh nga studiuesit e tregut.
Kriteret kryesore: paga mesatare, vlera për para, karriera, qëllimet e arritura (përqindja), vlerësimi i suksesit dhe lëvizshmëria ndërkombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.