Kosto e shkollave pasuniversitare në vend varion nga 135-150 mijë lekë.Studimet pasuniversirare shumë të rinj mund ti vazhdojnë edhe brenda vendit. Universiteti i Tiranës (UT), Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës ofrojnë mastera në fushën e ekonomisë për të gjithë ata të rinj që kanë kryer studimet universitare në ekonomi, por edhe për ata që kanë mbaruar degë të tjera. Kryesisht aplikimet mbyllen në vjeshtë dhe kriteret që shpallin universitetet janë pothuajse të njëjta. Aplikanti duhet të ketë mbaruar studimet pasuniversitare me mesatare të lartë (preferohet mbi 7), si dhe të ketë njohuri të mira në matematikë, informatikë dhe në gjuhën angleze apo frënge (në varësi të shkollës). Fakulteti i Ekonomisë i UT-së këtë vit pritet që të ofrojë 4 shkolla master, Universiteti Politeknik në bashkëpunim me Universitetin e Bordosë 1 shkollë master në administrim ndërmarrjesh dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, Departamenti i Ekonomisë 2 shkolla master në ekonomi agrare. Fakulteti i Ekonomisë, ofron 4 shkolla masterShkollë 2-vjeçare Master në MarketingFakulteti i Ekonomisë ofron 4 lloje masterash: Master për Administrim Publik (MPA), Master për Administrim Biznesi (MBA), Master për Marketing (MM) dhe Master për Studime Ekonomike Europiane (SEE). Shkolla Master pranë Fakultetit të Ekonomisë është shkollë e studimeve pasuniversitare që zhvillohet me frekuentim, pa shkëputje nga puna. Shkolla Master e UT-së ofron një diplomë të standardeve ndërkombëtare dhe zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës apo atë të Bambergut në Gjermani. Kursi është modeluar sipas stilit të programeve Master në Amerikë dhe Gjermani. Kështu, të gjithë ata studentë shqiptarë që kanë mbaruar një fakultet me mesatare të lartë notash dhe zotërojnë gjuhën angleze mund të aplikojnë për një nga shkollat master, që ofron Fakulteti i Ekonomisë. Këto shkolla kanë një kosto shumë më të ulët në krahasim me masterat që ofrohen në vende të ndryshme të botës. Pagesa vendoset me vendim qeverie dhe është vetëm 150 000 lekë, si dhe ofron ulje të kësaj pagese për punonjësit e institucioneve publike dhe personeleve akademike. Për këtë arsye, kërkesat për mastera pranë Fakultetit Ekonomik janë tepër të larta, dhe nga mbi 300 kërkesa pranohen vetëm 100 studentë. Të diplomuarit në MASTER kanë qenë shumë të kërkuar nga qeveria, bizneset dhe organizatat e huaja apo institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri.Master në Administrim BiznesiProgrami Master në Administrim Biznesi (MBA) zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës, në Amerikë. Profesorë të Fakultetit të Ekonomisë të Tiranës kanë krijuar lidhje me kolegët e tyre në Universitetin e Nebraskës, Lincoln. Profesorët e Universitetit të Nebraskës janë autorë, botues dhe kontribues në botime ndërkombëtare si dhe këshillues të shumë korporatave globale. Gjatë dy viteve të para leksionet janë zhvilluar me skuadra pune në anglisht, nga një profesor i Universiteti i Nebraskës dhe një profesor shqiptar i Fakultetit të Ekonomisë. Mësimdhënia gradualisht u mor përsipër nga pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë dhe aktualisht po realizohet në gjuhën shqipe. Master për Administrim PublikMasteri për Administrim Publik (MPA) përgatit studentët për të punuar në institucionet qeveritare. Masteri për Administrim Publik pranë Fakultetit Ekonomik është i hapur për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe studentët, që pretendojnë të punojnë në institucionet qeveritare. Shkolla Master (MPA) pranë Fakultetit të Ekonomisë është shkollë e studimeve pasuniversitare që zhvillohet me frekuentim, pa shkëputje nga puna. Në dallim nga shkollat e tjera të studimeve pasuniversitare, diploma Master e Universitetit të Tiranës është një diplomë e standardeve ndërkombëtare dhe zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës. Master në MarketingPër herë të parë këtë vit pranë Fakultetit Ekonomik pritet të hapet Shkolla Master në Marketing. Kandidatët që kanë përfunduar studimet e larta ekonomike, por edhe degë të tjera si: inxhinieri, shkenca ekzakte, shkenca shoqërore e politike, gazetari etj, si brenda dhe jashtë vendit mund të aplikojnë për Master në Marketing. Kohëzgjatja e kësaj shkolle është 14 muaj me kohë të plotë (3-4 herë në javë) dhe 2 vjet me kohë të pjesshme në varësi të kërkesave dhe kushteve konkrete. Në këtë periudhë përfshihen edhe 2-3 muaj të nevojshëm për përgatitjen e mikrotezës. Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet pas testit me shkrim, që përfshin edhe shkallën e zotërimit të gjuhës angleze. Burime zyrtare pranë Fakultetit të Ekonomisë pohojnë se numri i pranimeve për këtë shkollë master është jo më pak se 30 studentë në vit (për dy vitet e para) dhe jo më shumë se një grup mësimor. Master në Studime Ekonomike EuropianeKjo shkollë ka një program të ngjashëm me Universitetin e Bambergut, Gjermani. Masteri në Studimet Ekonomike Europiane (SEE) ofrohet nga Departamenti i Ekonomiksit dhe është projektuar në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Bambergut, në kuadër të një projekti 3-vjeçar të financuar nga DAAD. Hartimi i programit të masterit në SEE është në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke synuar nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën mësimore dhe kërkimore shkencore. Masteri i SEE-së synon të përgatisë studentë me njohuri të nivelit bashkohor, të cilat rrjedhin nga procesi i globalizimit dhe integrimit europian. Fjala “studime” në titullin e programit shpreh karakterin ndërdisiplinor të tij, ku përveç shkencave ekonomike, përfshihen edhe shkencat sociale, juridike dhe të biznesit. Ky master ka për qëllim të përgatisë ata që do të punësohen në fushat akademike dhe kërkimore, sektorin privat dhe shtetëror. Programi i masterit përfshin 4 semestra dhe 11 lëndë, si dhe projektin e diplomës. Programi ndahet në lëndë bazë, të detyrueshme dhe lëndë shtesë me zgjedhje.Kriteret e Shkollës Master në Fakultetin EkonomikAplikantët e programit Master duhet të kenë një diplomë universitare dhe njohuri të mira në matematikë, statistikë, anglisht dhe informatikë. Ata duhet të plotësojnë një formë aplikimi të shoqëruar me dokumentet e mëposhtme:- Dëshmi të gjuhës angleze nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ose TOEFL.- Diplomë nga një universitet brenda ose jashtë vendit- Dy letra rekomandimi nga persona të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të aplikantit. Të paktën, njëri nga rekomanduesit duhet të ketë një titull ose gradë shkencore në një institucion të arsimit të lartë. – Lista e notave që ai ka marrë gjatë studimeve universitare ose pasuniversitare. – Taksa e aplikimitUniversiteti Bujqësor i Tiranës, Departamenti i EkonomisëFlet Prof. Dr. Donika Kërçini, drejtore e Masterit në Ekonomi AgrareEkonomi agrare, shkollë master 2 vjeçare Universiteti Bujqësor i Tiranës ofron shkollën pasuniversitare master që prej 4 vjetësh për degët ekonomi agrare, agronomi, zootenik, pyje dhe veterinari. Shkolla pasuniversitare në ekonomi agrare ofron dy mastera: Drejtim i Ndërmarrjeve të Agrobiznesit dhe Ekonomi dhe Politika Agrare. Drejtoresha e Masterit në Ekonomi Agrare, Prof.Dr Donika Kërçini pohon për revistën “Monitor” se nga viti në vit numri i studentëve që kërkojnë të ndjekin shkollën pasuniversitare është në rritje, por ata klasifikohen në bazë të kushteve që plotësojnë. Shkolla pasuniversitare master ka një kohëzgjatje prej 2 vjetësh, nga të cilat 3 semestra janë teorik dhe 1 semestër shërben për përgatitjen e mikrotezës nga ana e studentit. Kuota e regjistrimit për në shkollën pasuniversitare është 3 mijë lekë, ndërsa pagesa e masterit varion nga statusi i studentit. Pagesa e masterit për studentët që punojnë në institucione buxhetore është 100 mijë lekë, për ata që punojnë në institucione private 150 mijë lekë dhe për personelet akademike të universiteteve të tjera, pagesa është 75 mijë lekë. KriteretQë një student të vazhdojë studimet pasuniversitare në shkollën master duhet të plotësojë disa kritere. Sipas Kërçinit, studentët duhet të kenë përfunduar studimet universitare me mesatare mbi 8 (për degët jo ekonomike kërkohet nota mestare mbi 9) dhe të jenë nën 35 vjeç. “Çdo vit Universiteti Bujqësor i Tiranës propozon kuotat e pranimit për studentët që do të vazhdojnë shkollën master në degë të ndryshme”, pohon Kërçini. Kështu, numri i studentëve, që ndjekin shkollën master për ekonomi agrare, nga 15 për çdo degë, aktualisht ka arritur në 25 studentë për çdo degë. UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS DHE UNIVERSITETI i BordosëFlet Lindita Gjata, asistente akademike në Institutin Francez të Administrimit të Ndërmarrjeve MBA një vjeçar në gjuhën frëngeNë çfarë dege ofron universiteti Juaj studime pasuniversitare? Cilat janë kriteret që duhet të plotësojë një aplikant?Instituti Francez i Administrimit të Ndërmarjeve ofron një formim pasunivesitar në fushën e administrimit të ndërmarjeve. Ne jemi pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës dhe mësimi zhvillohet në ambientet e këtij universiteti. Masteri që ne ofrojmë ka titullin “Administrim Ndërmarjesh (biznesi)” dhe është një diplomë që lëshohet nga Universiteti Francez “Montesquieu-Bordeaux”, i cili ka një personel administrativ që mundëson kushtet akademike të mësimdhënies dhe organizimin e të gjitha procedurave të nevojshme. Pra, ana akademike sigurohet nga një personel profesorësh francezë dhe shqiptarë. Ky është viti i shtatë, në të cilin Instituti Francez i Administrimit të Ndërmarrjeve formon studentë në këtë shkollë. Shkolla Master në Administrim Ndërmarrjesh zgjat rreth 1 vit dhe është e ndarë në 2 pjesë, teorike dhe praktike. Numri i studentëve që pranohen çdo vit është 25-30 vetë. Në kërkojmë që studentët që dëshirojnë të ndjekin këtë shkollë të kenë një motiv të qartë. Për këtë arsye kandidati duhet të jetë në gjendje të bindë komisionin, i cili do ta marrë në intervistë, për motivet e tij. Aplikantët duhet të zotërojnë gjuhën frënge (nivel mesatar), me shkrim dhe me gojë, sepse mësimi dhe të gjitha provimet do të zhvillohen në frengjisht. Aplikanti duhet të ketë një formin universitar 4 ose 5 vjeçar, ndërsa për profilin e studimeve dhe mesataren e notave nuk ka kufizime. Pagesa për Shkollën Master për Administrim Ndërmarrjesh është 135 mijë lekë, ndërsa rregjistrimi është falas. Aktualisht, kanë filluar regjistrimet dhe jemi në pritje të kandidaturave deri në muajin nëntor. Masteri pritet që të fillojë në muajin janar ose shkurt të vitit 2006 dhe të përfundojë pas 10 muajsh teorikë dhe praktikë. Në kuadër të ofrimit të këtyre bursave cili është objektivi i institucionit tuaj? Cilat janë planet për të ardhmen dhe a parashikohet që të rritet numri i studentëve?Objektivi është mjaft i qartë. Ne synojmë që të japin një formim akademik të fortë e të qëndrueshëm me karakter të përgjithshëm në fushën e administrimit të ndërmarjeve. Objektivi është që tu japim një formin ekonomik edhe atyre që nuk kanë përfunduar studimet e larta për ekonomi, gjë e cila e ka bërë shumë të preferueshme shkollën tonë. Instituti parashikon që ta zgjerojë më tej këtë shkollë, duke futur lëndë të tjera me interes, si dhe të shtrijë kohëzgjatjen e disa lëndëve të rëndësishme. Ne parashikojmë që të japim edhe një diplomë tjetër, por nuk mund të deklarojmë afate. Ndërsa, përsa i përket numrit të studentëve, ai nuk mund të kalojë shifrën e 30 vetëve, sepse salla ku ne zhvillojmë mësimin ka vende të kufizuara. Mësimi zhvillohet çdo ditë me frekuentim të detyrueshëm, nga 4 orë (16: 30 deri në orën 20:30). Pjesa teorike zgjat 6 muaj, duke filluar nga muaji janar deri në muajin korrik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.