Mazda, gjithmonë ndryshe nga tё tjerat

15/04/2019 12:14 PM 0 komente

Në një segment të homologuar, modeli “3” konfirmon një propozim me origjinalitet absolut, në stil dhe teknikë. I gjatë pothuajse 4.5 metra, çon në debutim një motor benzine që punon si të ishte me naftë

 

Thua Mazda dhe menjëherë të vjen në mend një kompani kokëfortë në vendosmërinë me të cilën shpall bindjet e saj industriale. Pikërisht në këtë mënyrë, me koherencë ekstreme, në Hiroshima synojnë si aspektet e projektimit të makinave, ashtu edhe ato strategjikë, që kanë të bëjnë me aleancat dhe sinergjitë me prodhues të tjerë.

Vetëm diçka më shumë e holluar nga disa koncesione të kohëve më parë (me hapat e parë në frontin e elektrifikimit dhe qasje të vogla me një prodhues bashkëkombas, si Toyota), linja Mazda, e pavarur nga çdo gjë dhe nga gjithkush, mbetet pasqyra më besnike në fushën automobilistike, të një kulture, asaj japoneze, e cila specifikën e vet krahasuar me pjesën tjetër të botës, e ka kthyer në element qendror.

 

DIZAJN ORIGJINAL

Ja, në një peizazh makinash që tentojnë gjithnjë e më shumë të ngjajnë me njëra tjetrën, modeli Mazda3, i prezantuar në fund të nëntorit në Sallonin e Los Anxhelosit, vazhdon të përfaqësojë përjashtimin që konfirmon rregullin, meritë kjo e një dizajni që i përshtatet brazdës së zakonshme të gjuhës stilistike Kodo të shtëpisë, por duke e çuar një hap (të madh) përpara drejt origjinalitetit. Mjaft linjave karakteristike, para së gjithash: këtu e gjithë lëvizja e karrocerisë është rezultat i lidhjeve të buta midis sipërfaqeve, që drita i nxjerr edhe më shumë në pah, dhe mbi të gjitha, hapësirë dhe zgjidhje të guximshme në vëllime.

Shikoni shtyllën mbajtëse masive të pasme: një deklaratë lufte ndaj çdo detaji të tepërt. Në fund, e vetmja pjesë që e zbut pak egërsinë e asaj zone, stilistikisht të rrezikshme të karrocerisë, është harku, edhe ai ekstrem në formulim, i krijuar nga kabina që shkon rrjedhshëm drejt xhamit të pasëm. Një gjest unik, i matur dhe i studiuar, pikërisht ashtu si ndodh në shodō, artin japonez të kaligrafisë.

 

DETAJE QË SJELLIN HARMONI

Obsesion i veçantë dhe i vazhdueshëm i Mazda-s, pothuajse që nga koha e gjeneratës së parë të MX-5, modelit Miata të vitit 1989, është ndjekja e asaj që në Hiroshima e përcaktojnë si harmonia mes njeriut dhe makinës (ose, midis kalorësit dhe kalit, nëse e përkthejmë fjalë për fjalë shprehjen japoneze Jinba Ittai). Kjo simbiozë gjen vend kryesisht përmes ergonomisë: edhe tek modeli i ri Mazda3, ka qenë një shtylla e zhvillimit të projektit.

Një gjë e tillë dëshmohet nga kujdesi i përpiktë në detaje, si pozicionimi i elementëve në kroskot, përsosmërisht simetrikë në lidhje me vështrimin e drejtuesit, ose në thjeshtimin e skajshëm të të gjithë zonës rreth vetë kroskotit. Çdo gjë që mund të sillte pengim në kontaktin viziv të raportit njeri-makinë, është vendosur brenda një fashe të hollë horizontale që përmbledh gjithçka, madje edhe vrimat nga fryn ajri i kondicionuar.

E njëjta vëmendje i është kushtuar edhe modifikimeve tek komandat: tani rrotullimi ka 20 mm më shumë në thellësi dhe leva e marsheve (si tek kambio manuale edhe tek ajo automatike) është zhvendosur më përpara dhe më lart. Duke ndjekur të njëjtat nevoja të diktuara nga ergonomia, është projektuar një ekran i ri infotainment: ekrani, i cili tani mat 8.8 inç, strehon një sistem operativ më intuitiv në ndërfaqe (e cila përdor një kontrollues rrotullues pranë levës së marsheve), dhe navigacionin midis funksioneve të ndryshme.

 

ASNJЁ MOTOR TURBOBENZINЁ

Origjinaliteti i modelit Mazda është gjithashtu i njëjtë për atë që kompania zgjedh për të vënë në kofanon e modeleve të saj. Këto vendime, shpesh bien në kontrast me pjesën tjetër të industrisë, të tilla si p.sh. mos përdorimi i motorëve turbobenzinë. Dhe gjithmonë diktuar nga qëllimi për të filtruar sa më pak të jetë e mundur dialogun midis njeriut dhe makinës. Një objektiv që, tek modeli i ri 3, Mazda ka zgjedhur të ndjekë duke u fokusuar pikërisht tek motori i njohur 2.0 benzinë, me aspirim Skyactiv-G, tek ai 1.8 turbodiesel Skyactiv-D dhe tek motori krejtësisht i panjohur Skyactiv-X, që mbart cilësitë më të mira të dy të parëve.

Ideja e realizimit të një motori me benzinë që sillet si të ishte me naftë (d.m.th. në gjendje të ndezi përzierjen në dhomën e djegies edhe pa shkrepjen e kandelës, por vetëm falë ngjeshjes së vetë përzierjes) nuk është e panjohur, sepse është hasur ndër të tjera edhe tek Mercedes-Benz, me motorin DiesOtto të vitit 2007. Mazda, megjithatë, është prodhuesi i parë që sjell këtë teknologji në një model serie, duke e kombinuar edhe me një sistem mild hibrid, motori elektrik i të cilit do të përshtatet gjithashtu edhe tek Skyactiv-G.

Përditësimi i kryer me ndryshimin e gjeneratës, ka përfshirë gjithashtu edhe sistemet e asistencës në drejtim: modeli i ri Mazda3 sjell debutimin e një sistemi monitorimi të vëmendjes së shoferit, i cili vepron në përputhje me Smart brake support. E re edhe pajisja Front cross traffic alert, e cila pikas automjetet në këndet e errëta të përparme, si dhe sistemi i cili menaxhon përshpejtuesin, frenimin dhe drejtimin gjatë trafikut të bllokuar në autostradë.

 

SA SHUME HERЁ TЁ PARA
MBËRRIN TRAKSIONI INTEGRAL

Deri tani Mazda e kishte rezervuar atë për gamën e makinave crossover, por tani e sjell për herë të parë në një model me karroceri konvencionale: traksioni i-Activ AWD me katër rrota aktive, bën debutimin e parë absolut tek modeli 3, një model historikisht besnik ndaj traksionit në rrotat e para. Sistemi është veçanërisht interesant sepse kryen një veprim të kombinuar me atë të G Vectoring control plus, në ndarjen e momentit përdredhës ndërmjet dy akseve.

Edhe kjo pajisje e fundit ka pësuar përditësim që e bën më të efektshme, sipas kompanisë, në kontrollimin e momentit të prerjes me anë të veprimeve të synuara në sistemin e frenimit. Kapitulli i shasisë: struktura Skyactiv vehicle nuk përfaqëson asgjë revolucionare, duke qenë e bazuar tek skema klasike, me suspensione MacPherson përpara dhe boshtit përdredhës prapa, por ama përfaqëson një përparim të rëndësishëm në frontin e materialeve. Çeliqet e cilësisë së lartë dhe qëndrueshmëri të admirueshme janë përdorur jo më në 3%, por në 30% të gjithë arkitekturës.

 

Gjuha stilistike që frymëzon serinë e katërt të Mazda3, mbetet Kodo, debutuese në vitin 2010 dhe e prezantuar nga Mazda tek modelet CX-5 dhe Mazda6. Këtu, megjithatë, është zhvilluar deri në ekstrem. Rezultati: forma shumë të pastra, pothuajse të lëngshme, ashtu si tek modelet koncept RX-Vision të vitit 2015 dhe Vision Coupe të vitit 2017

Motor Skyactiv-X është shembulli i parë i një njësie serie me benzinë, i cili e bën ndezjen e përzierjes jo vetëm nëpërmjet kandelës, por edhe me shtypjen e vetë përzierjes. Sipas kompanisë, kjo është pika e takimit midis efikasitetit termik të dieselit dhe karakteristikave të shpërndarjes së ciklit Otto

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of