Harrojeni martesën rastësore me Ford-in dhe krizën financiare, kompania nga Hiroshima ka bërë aleancë me Toyota-n për të marrë pjesë së bashku në investimet teknologjike. Kreu i saj, Masamichi Kogai, shpjegon objektivat e marrëveshjes
Marrëveshja mes Toyota-s dhe Mazda-s ishte lajmi më goditës i verës, në Japoni. Me një lëvizje të papritur për sa i përket dinamikave konservatore të industrisë japoneze, dy nga prodhuesit më të mëdhenj të makinave në vend, nënshkruan një marrëveshje që i lidh fatet e tyre në mënyrë të pazgjidhshme, duke krijuar një konglomerat industrial që vlen 34% të shitjeve brenda vendit (një treg rreth 5 milion makina në vit).
Marrëveshja parashikon që Toyota të blejë 5.05% të aksioneve të Mazda-s, e cila nga ana e vet, do të marrë 0.25% të partnerit të saj; ky shkëmbim financiar, do të thotë se të dy kompanitë do të investojnë 1.6 miliard dollarë për një fabrikë në Shtetet e Bashkuara, në të cilën do të prodhohen 300.000 makina në vit dhe ku do të krijohen 4 mijë vende pune dhe mbi të gjitha do të punojnë së bashku për të zhvilluar teknologji të reja. Arsyet e marrëveshjes janë të ndryshme sipas perspektivës nga e cila shikohen. Për Mazda-n, aleanca me një gjigand si Toyota, do të thotë përfitim me më shumë lehtësi nga përvoja e saj lidhur me makinat hibride, elektrike dhe ato me drejtim autonom, si dhe futjen e këmbëve në SHBA, vend në të cilin nuk ka pasur asnjëherë fabrika prodhuese për kompaninë e Akio Toyoda.
Në Tokio, u intervistua Masamichi Kogai, kreu i Mazda-s, lidhur me marrëveshjen e re dhe mënyrën se si ajo do të ndikojë në rritjen e kompanisë, që tani ndodhet në vendin e pesëmbëdhjetë të prodhuesve, dhe që nuk i fsheh qëllimet për t’u bërë pjesë e më të mëdhenjve.
Përveç fabrikës në Amerikë, cilat janë përfitimet kryesore për Mazda-n, nga marrëveshja me Toyota-n?
Shkëmbimi i teknologjive në të cilat dy grupet janë më të fortë. Qëllimi i aleancës është të kuptohet se si të përmirësohen kompetencat përkatëse dhe të integrohen ato me reciprocitet. Për shembull, ne jemi shumë të interesuar lidhur me zhvillimin e një elektrifikimi tërthor, duke filluar nga fakti se kalimi në atë zgjidhje do të përbëjë kosto, të cilat mund të përballohen vetëm nga ekonomi të duhura dhe me efikasitetet të lartë. Për këtë, gjithashtu mund të mbështetemi tek platforma Tng, të cilën Toyota e ka prezantuar kohët e fundit.
Në një botë ku procesi i fuqizimit dhe bashkimit është gjithnjë e më agresiv, a është i mjaftueshëm një bashkëpunim i ngjashëm me atë të nënshkruar me Toyota-n?
Sqaroj menjëherë se, në fushat e reja të kërkimit dhe zhvillimit, Toyota do të jetë partneri ynë kryesor. Nëse do të ketë fusha që do të duam t’i eksplorojmë, të cilat nuk do të gjykohen interesante nga partneri ynë, atëherë do të ndihemi të lirë të shikojmë përreth. Gjendja jonë financiare është përmirësuar dukshëm, por ka ende vend për t’u rritur dhe për të mbajtur të gjallë marrëveshjen që sapo kemi nënshkruar.
Mazda do të ketë një fabrikë në Shtetet e Bashkuara, po në Europë akoma asgjë?
Për ne, Europa është një territor veçanërisht i rëndësishëm: kemi shumë modele në gamë, do të ishte e vështirë të prodhohej një larmi kaq e madhe makinash. Sidoqoftë, e kemi si alternativë në segmentin premium, ku unë besoj se mund të themi diçka si në aspektin e cilësisë, edhe në atë të dizajnit.
A ka të ardhme për motorin rotativ?
Po, ka. Siç e thashë edhe më parë, gjendja financiare është përmirësuar, kështu që i jemi kthyer idesë së një modeli coupé. Aktualisht, po studiojmë mundësinë e përdorimit të motorit rotativ si gjenerator elektrik, pra me funksion range extender.
Ju keni kritikuar haptazi dhe në mënyrë të përsëritur drejtimin autonom: a vazhdoni të qëndroni në pozicionin tuaj apo investimet që shumë nga kolegët tuaj po bëjnë në këtë fushë, po ju shtyjnë që ta rishikoni?
Dëgjo, ne jemi të vegjël: kemi 2% të tregut botëror. Megjithatë, jemi të sigurt për një gjë: të gjithë klientëve tanë u pëlqen të ngasin makinën, ndaj do të vazhdojmë t’u japim atë çfarë presin nga Mazda. Kjo nuk përjashton që, në rast gabimi, sistemet e asistencës në drejtim, duhet të ndërhyjnë. Ne jemi absolutisht të bindur se njeriu duhet të mbajë kontrollin. Makinat nuk janë trena që udhëtojnë në binarët, ato duhet të jenë në gjendje të ecin kudo. Pikërisht për këtë arsye, rëndësia e njeriut në drejtimin e makinës, duhet të mbetet thelbësor.
Cila është ideja juaj lidhur me “betejën e motorëve” që sot e shohim mjaft të ashpër? A mendoni edhe ju se motori me naftë do të zhduket?
Ka shumë diskutime për ndalimin e shitjes së motorëve me djegie të brendshme. Madje, Franca dhe Anglia tashmë po mendojnë për të vendosur datën se kur. Bëhet fjalë për vendime politike. Ne vazhdojmë të besojmë tek motori diesel, edhe sepse e kemi treguar me fakte se çfarë nivelesh efikasiteti mund të arrijë ai. Është e rëndësishme të mos ndalet zhvillimi, nëse optika është e përqendruar tek zvogëlimi i emetimeve të gazit CO2. Sidoqoftë, unë mendoj se zgjidhja e pashmangshme do të jetë elektrifikimi i motorëve tradicionalë, përpara se motori i pastër elektrik të kthehet në një alternativë të prekshme. Duke thënë këtë, jam i bindur se klientët duhet të jenë të lirë të zgjedhin atë zgjidhje që preferojnë.
Pas Mitsubishit, tani Japonia është goditur nga skandalet të cilat përfshijnë Kobe Steel dhe kontrollet e cilësisë së Nissan-it: a ka ndonjë problem etik në industrinë japoneze?
Nuk jam në gjendje të komentoj lidhur me rastin e Nissan-it. Ajo që mund të them, është se tek Mazda, kemi rregulla shumë të rrepta lidhur me plotësimin e detyrimeve ligjore; dhe po të mos ekzistonin të tilla detyrime, ne do të bënim të pamundurën për t’i bërë gjërat ashtu si duhet, edhe në rastin e kontrolleve. Made in Japan, ka qenë gjithmonë sinonim i cilësisë: detyra jonë, si e Mazda-s, ashtu edhe e prodhuesve të tjerë, është të sjellim në kohë këto ide.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.