Sportivja japoneze tashmë edhe me një version targa. E njëjta skemë mekanike, i njëjti argëtim
Në trembëdhjetë sekonda mbështetëset anësore ngrihen, tavani ndahet në dysh, së bashku me dritaren e vogël të pasme, futen në hapësirën pas sediljeve. Dhe ky model RF (Retractable Fastback), nga coupé transformohet si një spider targa.
Ekuilibri i hapësirës dhe harmonia e formave e bëjnë Mazda MX-5 RF vërtetë unike dhe shumë ndryshe nga versioni klasik me tavan të butë. Vështirë të qëndrosh indiferent ndaj hijeshisë së kësaj sportiveje të vogël. Brenda ka hapësirë të mjaftueshme për dy persona por jo shumë të gjatë.
Në panelin qendror, e ngritur dhe hijerëndë, ndodhet leva e kambios, një aksesor i lartë jo më shumë se dhjetë centimetra. Duke shtuar dhe bllokun e pedaleve, me atë të gazit të fiksuar në pjesën e poshtme dhe dy pedalet e tjera vertikale, duke kompletuar tablonë e përgjithshme: tashmë, duhet vetëm ta provojmë. Me vetëm disa centimetra lart nga toka, kontakti me rrugën është i plotë, i gjallë dhe fizik.
Motori me katër cilindra përgjigjet mjaft mirë. Pavarësisht se në regjime të ulëta është pak dembel, kur kalon 4.000 xhiro çlirohet duke shkuar menjëherë në zonën e kuqe të matësit të xhirove (fuqia maksimale është 7.000 xhiro/min, e kufizuar deri në 7.500).
Progresioni, i përfituar nga raportet e shkurtra të kambios, është i jashtëzakonshëm për një version 1.5 litra: RF-ja shënon një 0 në 100 km/h në vetëm 8.6 sekonda. E shkathët dhe e lehtë, futet nëpër kthesa me thjeshtësinë më të madhe.
Timoni është i shpejtë, jo tamam progresiv, por i shpejtë, pikërisht ajo që duhet për ta kontrolluar më së miri në çdo lloj situate. Fuqia nuk është shumë e lartë, por me një masë prej 1.015 kg (40 më shumë se varianti spider) kënaqësia në drejtim është e sigurt.
1.5L Skyactiv-G Exceed
MOTORI – L4 benzinë 1.496 cm3
FUQIA MAKSIMALE – 96 kw (131 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 150 Nm në 4.800 xhiro/min
TRAKSIONI – rrotat e pasme
KAMBIO – manuale me 6 marshe
0-100 km/h – 8,6 s
KONSUMI MESATAR – 16,4 km/l
PËRMASAT – gjat. 392 – gjer. 174 – lart. 123 cm
PESHA – 1.015 kg
ÇMIMI – 30.200 €
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.