MAZDA6 2.2L SKYACTIV-D EXCEED

21/08/2017 5:10 PM 0 komente
Mazda 6 ' 793

Përmbajtje e njëjtë, shoqëruar nga disa risi. Motor kursimtar dhe i qetë si dhe një sistem që premton më shumë kënaqësi gjatë drejtimit. Kjo është ajo, pavarësisht se jo shumë e ndjeshme

 

Model Year 17. Një mënyrë si një tjetër, për të folur për përditësimet, përmirësimet, ato detaje të shumtë, të cilat rrisin nivelin, pa e prekur përmbajtjen. Në këtë kuptim, Mazda6 nisej nga një nivel i lartë, me mënyrën e saj të veçantë, që është tipike e markës japoneze: një përzierje mes dëshirës për t’u vendosur një shkallë më lart në krahasim me konkurrentët e “zakonshëm” dhe pasionit të shëndetshëm për një ofertë mekanike të këndshme. Kjo e fundit, gjithmonë në qendër të vëmendjes së japonezëve; si provë, mjafton thjesht kokëfortësia me të cilën, për dekada të tëra, ata janë mbështetur në një aplikim tejet të zgjuar dhe të pamundur, si motori rotativ Wankel.

PËRMIRËSIMET DHE PЁRDITЁSIMET

Le të kthehemi në aktualitet: nën kofanon e këtij modeli Mazda është i pranishëm motori 4 cilindra 2.2 litra turbodiesel. Kjo nuk përbën ndonjë risi, por në këtë rast, motori është përmirësuar në dy aspekte, të dyja të rëndësishme. Së pari, është më i heshtur, gjë që jo vetëm ndihet me veshë, por u konfirmua edhe nga instrumentet e Qendrës së testimit.

Merita për këtë i takon “vezës së Kolombit”, një zbutës zhurme i pranishëm në secilën nga spinotat (elementet që bashkojnë bjellën me pistonin), i aftë të reduktojë dridhjet. Nga ana tjetër, konsumet janë ulur ndjeshëm krahasuar me të shkuarën, duke e pozicionuar në të njëjtat nivele me rivalet më të njohura. Ky është një rezultat i denjë për t’u përmendur, duke qenë se kambio nuk shquhet për ndonjë modernizim: në një kohë me shtatë, tetë, madje edhe nëntë marshe, një automatike me gjashtë raporte, nuk përbën ndonjë risi.

Çështja është thjesht teknike: në një botë ku tashmë motorët turbodiesel të kësaj kategorie, në 130 km/h rrotullojnë në nivelin e 2.000 xhiro/min, në këtë rast niveli rritet në 2400 xhiro/min, ndryshim ky jo i parëndësishëm.

Mazda6 e vitit 2017 mban edhe ekskluzivitetin e G-vectoring, risi e shasisë që përshtatet me sistemin Skyactiv, emërtim që prej disa vitesh përmbledh të gjithë filozofinë mekanike të markës japoneze. Thënë në praktikë, ajo konsiston në strategjinë e menaxhimit të ushqimit: pavarësisht nga vullneti i drejtuesit, kur bëhet hyrja në kthesë, sistemi elektronik siguron ulje thuajse të paperceptueshme të gazit, në një mënyrë që pesha më e madhe të transferohet te rrotat e përparme.

Pra, një version “light” i asaj që zakonisht bën një drejtues i mirë. Më pas, kur timoni është i palëvizshëm, gjatë përshkimit të kthesës, asistenca elektronike rihap gazin, gjithashtu në mënyrë të paperceptueshme, për të “mbështetur” më mirë në tokë rrotat e pasme e për rrjedhojë duke rritur stabilitetin. Natyrisht, lëshimet e vogla të pedalit të gazit rrisin në mënyrë të barabartë transferime të vogla të ngarkesës: kjo për të thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë revolucionarizim në drejtim. Në fakt, në vetvete, G-Vectoring thuajse nuk ndjehet fare, por ndihmon megjithatë, për të përmirësuar “Jinba Ittai”, shprehje japoneze që i referohet marrëdhënies që krijohet mes kalit dhe kalorësit (ose në rastin konkret midis drejtuesit dhe makinës).

Kjo është një shprehje shumë e dashur për inxhinierët e Mazda-s, të cilët, e përdorin çdo herë që ju duhet të përmbledhin virtytet dinamike të modeleve të krijuara prej tyre. Rrjedhshmëria në drejtim, në fund të fundit do të thotë më shumë rehati, argument ky tejet i rëndësishëm për Mazda-n. Vlerësimi nuk është nga më të lartët për sa u përket suspensioneve, pak të ngurta në rrugë të paasfaltuara, por që në udhëtime të gjata nuk ndihen. Duke u shtuar të gjitha këtyre, edhe përmirësimin e lartpërmendur të zhurmës së motorit, tabloja mund të konsiderohet e plotë: vetura japoneze, kthehet menjëherë në një makinë të madhe rruge, të përsosur dhe të aftë të përshkojë kilometra të tërë pa bezdisje zhurmash, si për drejtuesin edhe për pasagjerët.

 

Mazda 6 - 793SHIFRAT E G-VECTORING

PËR TË VERIFIKUAR kapacitetin real të G-Vectoring, Mazda6 Model Year 17 u provua në pistën e Vairano-s, së bashku me një model të serisë së mëparshme, që nuk e kishte këtë pajisje.

Ndryshimet në sjellje, të diktuara nga menaxhimi elektronik ishin të dukshme në grafik, në të cilin paraqiten lëvizjet e timonit të nevojshme për të përshkuar të njëjtat kthesa, në fillim një djathtas dhe pastaj një majtas: faktikisht, me G-Vectoring, lëvizjet ishin më pak të gjera dhe çfarë është më e rëndësishme, ishin më të rrjedhshme.

Bëhet fjalë sigurisht për dallime të vogla, por që gjithsesi nuk e vënë në dyshim vlerën e pajisjes. Megjithatë kolaudatori ynë, ndonëse i mësuar të dallojë edhe ndryshimet minimale, në kthesa të njëjta e shpejtësi të njëjtë, nuk vërejti ndonjë ndryshim të madh mes dy modeleve. Nga ana tjetër, sigurisht nuk është hera e parë në historinë e makinave (në përgjithësi në teknologji), që progresi vjen me hapa të vogla, të cilat në pamje të parë nuk ta mbushin syrin.

ANË POZITIVE

Konsumi. Rezultate interesante në të gjitha situatat, përmirësime të ndjeshme krahasuar me të kaluarën.
Kënaqësia në drejtim. Krahas G-Vectoring, Mazda6 shpalos përsëri aftësitë e saj më të mira në drejtim.

ANË NEGATIVE

Suspensionet. Një aftësi më e madhe në filtrimin e ashpërsive të rrugës, do të ishte mirëpritur.
Ergonomia. Kroskoti mund të ishte i pajisur me një organizim më të mirë dhe intuitiv të disa komandave.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz