Mbërrin doktoratura e parë private

26/12/2011 11:10 AM 0 komente

Prof. dr. Adrian Civici, drejtor i shkollës doktorale në UET
Ju po hapni këtë vit shkollën doktorale. Cilat janë fushat e studimit, kriteret e pranimit. çfarë u garantoni studentëve që duan të marrin një titull që nuk ofrohej deri më tani në arsimin privat?

Pas një përgatitjeje 5-vjeçare për rritjen e standardeve akademike, thellimin e kërkimit shkencor dhe botimeve shkencore, si dhe zhvillimeve cilësore në procesin e mësimdhënies në programet e studimit në dy ciklet e para (Bachelor, Master Profesional dhe Master i Shkencave) të licencuara dhe akredituara, UET vlerësoi se i plotësonte kushtet për hapjen e programeve të studimit të doktoraturës. Ato orientohen në tre drejtime bazë, që përfaqësojnë dhe kompetencat më të mira akademike e shkencore të UET, në Shkencat Ekonomike (drejtimet: Financë, Menaxhim, Ekonomi dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Menaxhim i Sistemeve të Informacionit), në Shkencat Sociale (drejtimet: Shkenca Komunikimi, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sociologji dhe Antropologji Sociale, Psikologji-Pedagogji), në Shkencat Juridike (drejtimet: E drejtë Publike, E Drejtë Ndërkombëtare, E drejtë Civile, E drejtë Biznesi). Programet e mësipërme të studimit realizojnë formimin e doktorantëve me dije e kulturë ndërdisiplinore në kuadër të një projekti kërkimor-shkencor koherent, si dhe garantojnë përgatitje shkencore e profesionale cilësore për doktorantët.
Pranimi i studentëve bëhet duke respektuar disa standarde e kritere rigoroze. Pranohen studentët që kanë përfunduar me një notë mesatare 8 e lart (në mënyrë të veçantë grup-lëndët bazë të fushës së studimit ku aplikojnë për doktoraturë) ciklin e studimeve dhe ka fituar diplomën universitare “Master i Shkencave” ose një diplomë analoge dhe të njohur me ligj si e barabartë me të. Kriter tjetër seleksionues është zotërimi nga ana e kandidatëve i gjuhës angleze të certifikuar në nivel ndërkombëtar minimalisht në nivelin “C1”. Prioritet përbën edhe zotërimi i një gjuhe të huaj të dytë si frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, ose në raste specifike, sidomos për shkencat sociale mund të jetë dhe gjuha latine, greqishtja e vjetër apo turqishtja.

A ka marrë UET ndonjë masë për sigurimin e cilësisë dhe ruajtjen e standardeve të larta, duke qenë se në arsimin privat të lartë ka shpesh dritëhije?

Programet e studimit të doktoraturës janë programe të reja, të konsultuara dhe të krahasueshme me mjaft programe të ngjashme që zhvillohen në universitete cilësore e prestigjioze europiane e amerikane. Programet mbështeten nga grupe kërkimore kombëtare e ndërkombëtare të vlerësuara për kërkime në fushat tona të studimeve. Një garanci e madhe në realizimin e programeve tona është cilësia e personelit tonë akademik të brendshëm të vënë në dispozicion të ciklit të tretë. Synim i Shkollës Doktorale është edhe internacionalizimi i programit të doktoraturës, duke tërhequr sa më shumë studentë të huaj, e duke nxitur mobilitetet e studentëve dhe pedagogëve me universitete perëndimore analoge, krijimin e programeve të përbashkëta doktorature me universitete të rajonit e më gjerë, angazhimin e pedagogëve të huaj në drejtimin e doktoraturave apo komisionet vlerësuese etj.

Një rol thelbësor në cilësinë e doktoraturave luan dhe cilësia e stafit akademik. A keni akademikët dhe profesorët e nevojshëm për të garantuar një kërkesë të tillë?

UET ka në dispozicion 35 pedagogë me tituj profesor, profesor i asociuar ose me gradën PhD, të marrë jashtë vendit në universitete perëndimore. Këtij kontingjenti i shtohen edhe 6 profesorë nga “Aston University” në Angli, të cilët sipas një marrëveshjeje të detajuar ndërmjet UET dhe “Aston University” do të angazhohen në realizimin e së paku 30 krediteve teorike e metodologjike në vitin e parë (nga 60 në total). Studimet teorike janë të organizuara në raporte të drejta e të ekuilibruara ndërmjet formimit akademik, metodologjisë së kërkimit shkencor dhe formimit specifik të doktorantëve. Kursi teorik i doktoraturës vlerësohet nëpërmjet një provimi të përgjithshëm të organizuar nga Shkolla Doktorale dhe Këshilli i Profesorëve. Vetëm kandidatët që marrin notën 8 e lart mund të vazhdojnë etapën tjetër kërkimore të studimeve. Në këtë këndvështrim, ne garantojmë 100% të programit doktoral me pedagogët tanë të brendshëm. Ndërkohë, kemi dhe një numër bashkëpunëtorësh të jashtëm me tituj e grada akademike e shkencore, që mund të kontribuojnë me kompetencat dhe përvojën e tyre në funksionimin cilësor të shkollës doktorale.
 
Si orientohen dhe stimulohen studentët e doktoraturës në kërkimin shkencor?

Objektiv themelor është ngritja e vazhdueshme e nivelit teorik dhe nxitja e pjesëmarrjes së studentëve në aktivitete të ndryshme kërkimore-shkencore, referuese e botuese. Organizimi i studimeve të ciklit të tretë i orienton dhe detyron studentët e doktoraturës që të përvetësojnë metodologjinë dhe metodat më bashkëkohore për shkrimin e artikujve shkencorë, prezantime shkencore, zotërimin e standardeve të shkrimit akademik, evidentimin dhe përdorimin e burimeve të informacionit, punë të pavarur shkencore. Në ndihmë të realizimit të këtyre objektivave shërbejnë katër revistat shkencore që boton UET, një nga të cilat krejtësisht në anglisht, si dhe diapazonin mjaft të gjerë në libra, revista dhe akses elektronik në informacione që ofron biblioteka jonë.
 
Me hapjen e studimeve të ciklit të tretë, a mendoni se sistemi i arsimit privat po kalon në një fazë më të pjekur?
 
Në Shqipëri vazhdon të ketë shumë paragjykime e vlerësime subjektive për universitetet private. Në mjaft raste ato burojnë thjesht nga fakti se “ato janë private”, se “kanë vetëm qëllime të pastra biznesi” etj. Mendoj se në momentin aktual gjithçka duhet parë e vlerësuar vetëm nën filtrin dhe mekanizmat e sigurimit dhe garantimit të cilësisë nga të gjitha llojet e universiteteve në Shqipëri. Në këtë këndvështrim, licencimi, aprovimi akademik, si dhe akreditimi për studimet e ciklit të tretë janë filtrat seriozë që garantojnë standardet cilësore. Besoj se tashmë është plotësisht koha që çdo universitet privat që i “reziston” këtij kriteri, të ketë plotësisht të drejtë të hapë studime të ciklit të tretë. Ne jemi të bindur se shumë nga universitetet analoge do të ecin së shpejti në të njëjtën rrugë, duke uruar që të kemi sa më shumë partnerë e bashkëpunëtorë në këtë etapë të re, jo vetëm për universitetet private, por për gjithë sistemin arsimor shqiptar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of