Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka zbatuar një program tre-vjeçar për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri, të financuara nga Bashkimi Evropian me vlerë 2 milionë euro. Mbi 150 ndërmarrje janë mbështetur nga programi duke përfituar nga asistenca e konsulentëve lokalë dhe ekspertëve ndërkombëtarë të industrisë.
Ky program ka ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme të marrin njohuritë e nevojshme për t’u zhvilluar e për t’u bërë më konkuruese në tregjet rajonale dhe ato të Bashkimit Evropian. Programi ka arritur rezultate të rëndësishme në forcimin e konkurueshmërisë të SME-ve, kapacitetit të tyre për inovacion dhe aftësisë për të tërhequr investime nëpërmjet përmirësimit të cilësive drejtuese dhe zhvillimit strategjik, marketingut, rritjes së eksporteve, menaxhimit të burimeve njerëzore dhe efiçencës në energji.
Si rezultat i programit, 85 përqind e kompanive raportuan rritje në shitje, 58 perqind e tyre raportuan rritje në numrin e punonjësve, mbi 70 përqind e kompanive përfituese raportuan rritje në produktivitet, ndërsa 74 përqind e kompanive eksportuese raportuan një rritje në volumet e eksportit
Për të prezantuar këto arritje, BERZH në bashkëpunim me BE dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë organizuan sot një aktivitet promovues me biznese dhe konsulentë në Tiranë.
BE është donatori më i madh individual i BERZH në pesë vitet e fundit në mbështetje të aktiviteteve të Bankës në të gjithë shtetet ku ajo operon. Ky program për këshillimin e SME-ve pason atë prej 1 Milion Euro të financuar nga BE për BERZH në 2008 dhe ka ndihmuar bizneset e vogla e të mesme në Shqipëri të trajtojnë sfidat e brendshme që pengojnë rritjen e tyre.
Që prej fillimit të aktivitetit në Shqipëri në 1996-ën, BERZH ka investuar përafërsisht mbi 1 miliard euro në mbi 80 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë vendase.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.