Mbështetja e kredisë së vogël

30/12/2011 9:45 AM 0 komente
Si po menaxhohen kreditë e këqija?
MONITOR

Sa është prekur sektori i mikrofinancës nga kriza ekonomike dhe financiare? Si po menaxhohen kreditë e këqija. Ecuria e një sektori që është i përqendruar në klientë që bankat i “refuzojnë”

Në një vit të vështirë, kur bankat e vendit kanë tkurrur aktivitetin nën peshën e krizës financiare globale, institucionet shqiptare të mikrofinancës, jo vetëm kanë arritur të ruajnë të njëjtat ritme rritjeje si më parë, por ndihen përgjegjës edhe për një shtysë të ndjeshme ndaj ekonomisë. Kjo, pasi, po ta themi me fjalët e tyre, një kredi e re, edhe kur bëhet fjalë për shifra modeste, “hap 1.6 vende pune”.

I drejtohen një klientele të caktuar, e përbërë kryesisht nga subjekte të cilat nuk paraqesin interes për bankat e nivelit të dytë, por që në vetvete përbëjnë një treg interesant. Deri në këtë fundvit, numri i klientëve të tyre aktivë i kalon 50 mijë. Në fund të vitit 2008, zotëronin një total aktivesh që i kalonte 163 milionë dollarët, i rritur edhe më tej gjatë këtij viti. Në të kundërt të bankave janë prekur shumë më pak nga kredia e keqe dhe i gëzohen një rritjeje thuajse po aq të shpejtë sa para krizës globale.

Mikrokredia

Në Shqipëri, mikrofinanca nisi të veprojë në fund të vitit 1992, në kuadrin e një programi për zbutjen e varfërisë në zonat rurale, ndërsa sot, në këtë sektor, operojnë disa institucione: “Unioni SHKK”, fondi “Besa”, “Opportunity Albania”, FZM, “Unioni Jehona” etj. “Mesatarja e kredisë sonë është rreth 3 mijë euro, është një treg pak interesant për bankat”, thotë Zana Konini, kryetare e Shoqatës së Institucioneve të Mikrofinancës, njëherësh edhe kryetare e Bordit të Drejtorëve të “Unioni SHKK”, institucion mikrofinance që operon në Shqipëri që nga viti 1992. Kjo pasi, sipas saj, për një dosje kredie përafërsisht 3 mijë euro, bankat aktivizojnë të njëjtat burime njerëzore, që do të thotë shpenzime të njëjta me kreditë e mëdha, ndërkohë që riskun sipas parametrave të tyre e kanë më të madh dhe fitimin shumë më të vogël.

“Kemi dhënë deri sot 53119 kredi”, thotë dr. Altin Muça, drejtor i departamentit të marketingut në fondin “Besa”, institucion që e ka nisur aktivitetin në shkurt të vitit 1994, si Departamenti i Fondit të Zhvillimit Shqiptar. Që nga fillimi i aktivitetit, fondi “Besa” ka lëvruar në formën e mikrokredisë një total prej rreth 220 milionë dollarësh. Sot, numri i klientëve aktivë shkon rreth 14 mijë. Sipas Altin Muçës, çmimi i kredisë te fondacioni “Besa” varion nga 1.5 deri në 2-2.1 për qind në muaj, që do të thotë se në vit, mesatarja shkon nga 18 në 24-25 për qind. Ai nuk është aspak dakord me logjikën se çmimi i kredisë në institucionin e tij është i lartë, pasi “niveli i kredive mikro është ky për të gjithë operatorët. Operatorë të rëndësishëm jemi ne, nga bankat është ‘ProCredit Bank´, pjesërisht ‘Raiffeisen´ dhe BKT, por ato operojnë me kredi konsumatore, overdrafti shkon edhe në nivelin 30 për qind”. “Kohëzgjatja e kredive te ne është deri në 5 vjet, ndërkohë që interesi për kredinë në lekë është rreth 16 për qind në vit”, thotë dr. Zana Konini, e “Union SHKK”, duke sqaruar se veçoria e institucionit të saj është “se ne nuk shpërndajmë dividentë”. Fitimi që realizohet është burim financimi për vitet që vijnë. Edhe për të, interesi nuk është më i lartë se ai i bankave, “pasi dihet tashmë që bankat nuk i kanë transparente interesat e kredisë. Për kreditë e vogla, kjo është më e ulëta e mundshme”.

Alban Velo, drejtor marketingu i “Opportunity Albania”, tregon se çmimet e kredive në shoqërinë e tij luhaten nga 14 për qind në 28 për qind në vit, në varësi të shumës së dhënë hua, afatit të shlyerjes, e veçorive të klientëve. Ndërkohë që mesatarja e shumave të lëvruara është rreth 220,000 mijë lekë. Velo shpjegon se dy kriteret kryesore që shoqëria merr në konsideratë janë situata aktuale e klientëve dhe potenciali për rritje e zhvillim që ata përfaqësojnë: “Sigurisht, këto dy kritere përfshijnë vlerësimin e profileve të riskut, historikun, stabilitetin e familjes (njësisë socio-ekonomike)”.

Kredia e keqe

Ajo që e bën të veçantë përqasjen e sektorit të mikrofinancës me krizën aktuale është shkalla e prekjes së aktivitetit nga një fenomen që është shumë shqetësues mes bankave të nivelit të dytë, atë të kredisë së keqe. Sipas Zana Koninit, kredia e keqe praktikisht e ka prekur shumë pak këtë sektor: “Ne jemi në shifra shumë të ulëta sa i përket kredisë së keqe, e cila përbën vetëm 2.3 për qind të portofolit”. Për kreun e “Union SHKK”, është një mesatare më se normale, sidomos po ta krahasojmë me mesataren e sistemit bankar, e cila është rreth katër herë më e lartë. Ajo sqaron gjithashtu se, në rastin e institucionit të saj, kreditë e këqija nuk klasifikohen si kredi të humbura, bëhet fjalë vetëm për kredi të vonuara, të cilat na shlyhen më vonë. “Praktikisht nuk kemi kredi të humbura, kemi vetëm kredi të vonuara”, thotë Zana Konini.

Sipas Alban Velos, edhe “Opportunity Albania” u përball me një ulje në cilësinë e portofolit të kredisë në fillim të vitit. Në mënyrë që ta menaxhonte këtë situatë, “Opportunity Albania” përshtati procedurat dhe trajtimin e asaj që kompania e quan “delinkuence” (mospagimi në kohë i kredive) dhe që në atë moment kemi pasur një përmirësim konstant të cilësisë së portofolit me 0.5% në muaj.

Fondi “Besa” e pa rritjen e rrezikut nga kredia e keqe si një motiv për të shtuar masat mbrojtëse, por duke cenuar sa më pak ritmin e kredidhënies. Për fondin “Besa”, terreni që u është lënë i lirë institucioneve të mikrokreditit nga ana e bankave, është pikërisht ai që paraqet edhe rrezikshmërinë më të lartë, pasi bëhet fjalë për klientë që nga bankat janë refuzuar, pasi janë konsideruar si me rrezik dhe që në këtë çast i hedhin sytë nga institucionet mikrofinanciare. Sipas Altin Muçes, problemi që ka sjellë kriza është shtimi i kujdesit sa i përket dhënies së kredive të reja. Në njëfarë mënyre e kemi frenuar disi rritjen intensive për shkak të frikës nga kredia e keqe, shton drejtori i marketingut të fondit “Besa”: “Vjet e kemi pasur kredinë e keqe në nivelin 0.58, sivjet e kemi diku te 1.78%. Kemi një tkurrje të lehtë të aktivitetit”.

Kriza dhe mikrofinanca

Tre aktorët kryesorë të këtij sektori pranojnë se ashtu si në të gjithë sistemin financiar, kriza pati efekt edhe në aktivitetin e mikrokredisë, megjithëse secili e ka ndjerë këtë efekt në bazë të mënyrës me të cilën operon dhe klientelës së cilës i drejtohet. Kriza financiare e ka prekur aktivitetin e “Opportunity Albania” në dy mënyra kryesore, sqaron Alban Velo: ulja e kapacitetit ripagues të klientëve dhe ulja e kërkesës për kredi. Sidoqoftë kompania ka reaguar duke përshtatur procedurat e saj në mënyrë që t´i menaxhojë këto sfida. Është përmirësuar eficienca, menaxhimi i riskut, prioritetet, mënyra e shërbimit. Këto e kanë bërë 2009-ën (megjithëse mjaft i vështirë) të jetë viti ynë më i mirë përgjatë tre viteve të fundit, vazhdon Velo: “Jemi shumë të kënaqur që kemi ruajtur një ritëm rritjeje konstant përgjatë 2009-ës, dhe në të njëjtën kohë cilësia e portofolit tonë të kredisë është përmirësuar gjithashtu në mënyrë konstante, duke filluar nga muaji prill”.

Planifikojmë që në biznes planin e 2010-ës, portofoli të rritet rreth 20 për qind, anëtarësimi 25 për qind, vëren Zana Konini e “Unioni SHKK”: Pra, nëse sot numërojmë 27 mijë anëtarë, vitin tjetër parashikojmë të kemi 33-34 mijë anëtarë, që do të thotë 33-34 mijë familje. Një vit më pas, rreth 40 mijë. Pra parashikojmë një rritje në shifrat 20-25 për qind. Kjo pasi “potencialet për zgjerim janë: kërkesa është aty, ka shumë zona të pambuluara dhe unioni po rrit kapacitetet për t´iu përgjigjur këtyre kërkesave”.

Nuk mund të them me siguri se nuk na ka prekur kriza, thotë Altin Muça i fondit “Besa”, “pasi do të mund të jepja 100 argumente në të kundërt të kësaj ideje”. Ajo që di të thotë me siguri është se fondi është në gjendje të shëndetshme: “Mendojmë që për vitin e ardhshëm, kredia të shkojë te niveli 52 milionë dollarë. Sa për klientët, presim të shkojmë në nivelin 16 mijë, aktualisht kemi 14 mijë klientë, deri në fund të shtatorit. Kemi një rritje prej 20 përqindësh gjatë këtij viti”.

Mikrokredia dhe komuniteti

Zana Konini

“Unioni SHKK”

Se sa i kemi ardhur në ndihmë komuniteteve ku punojmë, varet nga rrethet ku jemi aktivë. Në fakt, më shumë se shtrirjen, kemi prioritet dendësinë e rrjetit që krijojmë, p.sh., rrethet ku kemi hyrë fillimisht, Tirana, Elbasani etj., kemi anëtarësuar gati 50 për qind të familjeve. Aktualisht kemi rreth 27 mijë anëtarë (familje). Këta kanë të drejtën edhe të depozitojnë, fonde të cilat u bashkohen fondeve kredituese të shoqërisë. Të marrësh kredi pa kolateral është diçka që nuk e ofron askush. Pra në fund të fundit, u ofrojmë akses në shërbimin financiar. Japim kredi për çdo lloj aktiviteti të mundshëm në zonat rurale, nuk kemi kredi konsumi, për shtëpi, etj. 25 për qind të portofolit e kemi bujqësi, 25 për qind blegtori, pjesa tjetër janë tregti, shërbime etj.

Altin Muça

Fondi “Besa”

Kemi dhënë në total 53,119 kredi. Një shumë prej rreth 220 milionë dollarësh që nga fillimi i aktivitetit. Klientë aktivë kemi rreth 14 mijë dhe teprica e kredisë është rreth 7.9 miliardë lekë deri në fund të shtatorit. Është krijuar një bazë e madhe klientele, e cila ka nisur të afrohet vetë, por një pjesë e mirë e klientelës sonë përbëhet nga ata që rikthehen. Më duhet të vërej se ka klientë që na janë drejtuar deri 14 herë për të financuar aktivitetet e tyre.

Alban Velo

“Opportunity Albania”

Në 10 vitet e aktivitetit, “Opportunity Albania” ka ndihmuar mbi 80.000 sipërmarrës të vegjël të përmirësojnë biznesin e tyre, duke pasur akses në financim. Oficerët tanë të kredisë dhe specialistët e tjerë kanë ofruar me qindra sesione trajnimi për aftësitë menaxhuese që nevojiten për të ushtruar një aktivitet të suksesshëm biznesi. Të dhënat e gushtit 2009 tregojnë strukturën e mëposhtme të financimit të ekonomisë nga “Opportunity Albania”: 18% e portofolit është investuar në aktivitete fermere (bujqësi dhe blegtori); 8% në aktivitete prodhuese; 30% në tregti dhe 44 në shërbim (ku turizmi është një nga aktivitetet më të financuara nga OA). Gjithashtu 41% e klientëve tanë aktivë janë në zonat rurale dhe 59% në zonat urbane dhe gjysmëurbane.

Shoqata e Institucioneve të Mikrofinancës

Edhe Shqipëria, së fundmi, është bërë pjesë e fenomenit botëror të mikrofinancës, i cili pushtoi vëmendjen e publikut veçanërisht pas tetorit 2006, kur Muhamed Junus i “Grameen Bank” fitoi çmimin “Nobel” falë aktivitetit të suksesshëm në lëmin e mikrokredisë. Vetëm pak muaj më parë, Organizata e Kombeve të Bashkuara e kishte konsideruar 2006 “vitin e mikrokredisë”, ndërkohë që sot, numri i huamarrësve aktivë llogaritet 130-150 milionë. Në këtë kuadër ka ardhur edhe organizimi i institucioneve të mikrofinancës në një union të përbashkët: Shoqata e Institucioneve të Mikrofinancës. “Kemi një shoqatë, ku bëjmë pjesë të gjitha shoqëritë e mikrokreditit, kryesia e së cilës merret me rotacion këtë vit janë vonuar disi procedurat e ndërrimit të presidencës”, sqaron Zana Konini, kryetare e radhës së shoqatës. Synimi i saj është lobimi për problematika që u interesojnë të gjithë aktorëve. Arritja kryesore e shoqatës është nisja e tratativave me Bankën e Shqipërisë për t´u bërë pjesë e regjistrit të kredive, ndërkohë që kohët e fundit, madje, banka ka marrë masa konkrete në këtë drejtim. Sipas aktorëve të tregut të mikrokredisë, përfshirja në regjistër do t´u jepte akses të drejtpërdrejtë në të dhënat e gjithë sistemit financiar shqiptar, gjë që do t´u lehtësonte një seri procedurash, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me rrezikun nga kredia e keqe.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of