Zyrtarëve u është ofruar shumë fuqi ‘për të grumbulluar’ para. Kjo ka kosto
Mjeshtrit e rinj të universit financiar nuk janë as bosët bankarë, as gjigantët e fondeve të mbulimit. Ata janë rregullatorët, puna e të cilëve është t’i bëjnë edhe më të sigurta financat. Daniel Tarullo, Andrew Bailey dhe Daniele Nouy, rregullatorët kryesorë përkatësisht në Amerikë, Britani dhe zonën e euros, mund të mos kenë pagat, egot apo profilet e superstarëve të Wall Street, por vendimet që marrin ata dhe njerëzit si ata ‘formësojnë’ industrinë, shkruan The Economist. Sikundër John Mack, ish-bosi i Morgan Stanley, thuhet t’i ketë thënë pasardhësit të tij: ‘Qeveria është klienti juaj numër një’. Edhe për ata të cilët nuk kanë aspak besim tek financa, kjo i bën të mendojnë.
Kriza financiare globale i bëri rregullat e reja të pashmangshme dhe të nevojshme. Tatimpaguesit kanë nevojë për mbrojtje nga rreziqet e dështimit: dmth për një sërë masash që sigurojnë që bankat do ta financojnë veten me më shumë kapital, do mbajnë shumë aktive likuide dhe do të ‘shpëtojnë nga brenda’ kreditorët në rast kolapsi. Fatkeqësia e vitit 2008 i bindi zyrtarët jo vetëm që të hartojnë rregulla më të ashpra, por edhe të jenë më fleksibël. Rreziqet mund të materializohen në vende të papritura – fondet e vjetra apatike të tregut të parave, për shembull, dëshmuan për një burim tronditës vulnerabiliteti.
Industria mund të ‘vërë në lojë’ rregulla statike të kuptuara mirë shumë më lehtë se sa ato dinamike dhe konfuze.
Natyrisht, për këtë arsye, rregullatorët kërkojnë hapësira. Mendoni z. Tarullo, guvernator në Rezervën Federale që ka rolin udhëheqës në rregulloren financiare. Përgjegjësitë e tij përfshijnë një grup bombastik të quajtur Large Institution Supervision Co-ordinating Committee (Komisioni për Mbikëqyrjen e Institucionit Koordinues), i cili organizon teste vjetore të stresit për bankat e mëdha amerikane.
Për të parandaluar ‘vënien në lojë’ të këtyre testeve, Fed është treguar i kujdesshëm që të mos zbulojë modelet që përdor në llogaritjen e humbjeve të bankave në rast goditjesh hipotetike. Drejtuesit, për të mos thënë asgjë për investitorët, janë lënë kryesisht në errësirë në lidhje me supozimet që përcaktojnë nëse bankat mund t’i kthejnë paratë aksionerëve apo jo.
Diskrecioni rregullator shtrihet edhe përtej testeve të stresit. Zyrtarët zbatojnë standarde më të ashpra për institucione më të fuqishme dhe më të ndërlidhur. Kriteret me të cilat kompanitë specifike menaxhohen si ‘institucione financiare të rëndësishme sistemike’ (SIFIs) nuk janë të sakta. Rasti për t’u treguar i rreptë me bankat është se ato marrin kredi të rënda, ndonjëherë nga depozituesit individualë të cilët mund t’i zhvatin paratë e tyre në një çast.
Por duke qenë se hartuesit e rregullave e kanë zhvendosur vëmendjen nga bankat drejt institucioneve dhe tregjeve të tjera, gjërat bëhen të paqarta: nivelet e borxhit janë më të ulëta, sikundër është rreziku i ‘rrjedhjeve’. MetLife, një kompani sigurimi, po sfidon në gjykatë vendimin e Këshillit amerikan të Stabilitetit Financiar për ta thirrur atë një SIFI, duke argumentuar ndër të tjera se nuk e ka parë informacionin që këshilli përdori për të arritur në përfundimin e tij.
Agjencitë rregullatore gjithashtu kanë fuqi të madhe në mënyrën se si përballen me shkeljet. Zyrtarët kanë caktuar gjoba të mëdha për bankat (87 miliardë dollarë vetëm gjatë 2014) si pjesë e vendimeve të fshehta që rrezikojnë të mos e penalizojnë fajtorin ose të njollosin të pafajshmin. Pak institucione zotërojnë nervin që tregoi MetLife duke çuar në gjyq rregullatorin e tij.
Rastet kundër individëve janë më të zakonta. Kjo javë ishte mbresëlënëse sa i përket dënimit të parë në skandalin e manipulimit të LIBOR. Drejtësia prapa dyerve të mbyllura nuk përfaqëson të vërtetën.
Modeli i aktit
FinAnca është një kaos. Rreziku shfaqet gjithkund. Paqartësia dhe paparashikueshmëria i mbajnë bankierët ‘në gjemba’. Qëndrimi i shumë personave përmblidhet nga një ish-rregullator: ‘Mënyra më e mirë për të rregulluar është që t’i orientosh bankat herë pas here dhe të mbyllësh një prej tyre.
Por rregullatorët nuk janë të vetmit me interes për rrezikun. Investitorët në bankat, shoqëritë e sigurimeve dhe të tjera institucione të ngjashme janë të ekspozuar financiarisht ndaj vendimeve të zyrtarëve. Ata kanë gjithashtu të drejta. Sistemet e projektuara në dukje për të garantuar sigurinë mund të dështojnë me lehtësi: rregullatorët p.sh. preferojnë në mënyrë rutinore kredi për të financuar pronën në vend të bizneseve të vogla. Interesi i shoqërisë për t’i mbajtur bankierët nën kontroll duhet të jetë i balancuar përkundër interesave të saj në llogaridhënien e zyrtarëve.
Mënyra më e mirë për të menaxhuar këto kompromise është nëpërmjet transparencës. Duhet të ketë pak vendime dhe më shumë çështje gjyqësore. Supozimet prapa vendimeve rregullatore duhet të bëhen publike. Ashtu sikundër bankierët nuk duhet të lihen të vetëm në menaxhimin e tyre, po kështu nuk duhen lejuar as hartuesit e rregullave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.