Mbretëria e Bashkuar ka arritur të rregullojë funksionalitetin e vetëm 14 nga 236 traktatet ndërkombëtare që BE ka nënshkruar me vendet anembanë botës, duke ngritur shqetësime të reja për përçarje nëse Britania largohet nga blloku pa një marrëveshje.
Me vetëm pesë muaj për të arritur vijën e finishit Brexit, Britania e Madhe është nën një presion në rritje për të përsëritur marrëveshjet që BE ka me 168 vende, në mënyrë që Britania të mund të ruajë të drejtat që aktualisht ka me këto vende si rezultat i anëtarësimit të bllokut, shkruan FT.
Zyrtarët e Whitehall javën e kaluar dhanë të dhëna që tregojnë se vetëm një pjesë e 236 traktateve që BE ka me vendet jashtë bllokut janë adaptuar me sukses nga Britania e Madhe në marrëveshje të reja me vendet përkatëse.
Britania duhet të riadaptojë rreth 40 marrëveshje të tregtisë së lirë që BE ka me vendet, përfshirë Kanada, Japoni, Korenë e Jugut dhe Meksikën.
Traktatet gjithashtu mbulojnë marrëveshje të rëndësishme përtej tregtisë – që lidhen me të drejtat e ngritjes dhe uljes së linjave ajrore në aeroportet jashtë shtetit, si dhe industritë siç janë shërbimet financiare, peshkimi dhe fusha bërthamore.
Nëse Britania përfundon një marrëveshje tërheqjeje me BE, duke përfshirë një periudhë tranzicioni përtej marsit 2019, ajo duhet t’i japë Britanisë më shumë kohë për të rregulluar traktatet.
Megjithatë, çështja se çfarë do të ndodhte nëse nuk do të arrihet asnjë marrëveshje u diskutua nga drejtuesit e departamenteve të Whitehall javën e kaluar.
Sipas njerëzve të informuar në takim, diskutimet mbi traktatet ndërkombëtare ishin “kthjelluese”, pasi sekretarët e përhershëm u përballën me realitetin se shumë përpjekje për të replikuar traktatet ishin ende të paplota.
Mungesa e përparimit në adaptimin e të gjitha 236 traktateve është treguesi më i fundit se si qeveria po lufton me planifikimin e saj pa marrëveshje. Downing Street tha: “Ne jemi duke punuar ngushtë me partnerë për të zëvendësuar marrëveshjet në rast të asnjë marrëveshje.”
Adaptuar, me siguri bëhet fjalë për adoptuar!