Cilët janë dy njerëzit më të pasur të Gjermanisë dhe të tretët në BotëShitja me pakicë në Gjermani, një nga vendet më të pasur e me standardin e jetesës më të lartë në Botë, karakterizohet nga një paradoks i çuditshëm. Ndërkohë që gjermanët janë të gatshëm të shpenzojnë mijëra e mijëra euro për të blerë BMV-të e Mercedesët e tyre, apo për të pushuar nëpër hotele tejet luksozë, kur vjen çasti për të mbushur frigoriferët, vërtiten poshtë e lart në kërkim të ushqimeve me çmime sa më të lira të jetë e mundur. Dhe ka qenë pikërisht ky tipar i popullit gjerman ai që vëllezërit Teo dhe Karl Albreht ditën ta shfrytëzonin më së miri. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, ata trashëguan nga prindërit një dyqan të vogël fruta-perimesh me përmasa vetëm 35 metra katrorë, ndoshta shumë i vogël për ambicjet e tyre pa kufij. Gjendja ekonomike e pasluftës i kishte shtyrë gjermanët drejt një serie të kufizuar artikujsh ushqimorë me çmime sa më të ulëta të ishte e mundur. Vëllezërit Karl dhe Teo menjëherë vunë re se ajo që kërkonin blerësit ishin ushqimet e lira dhe u përqendruan vetëm në këtë veçori, duke lënë pas dore elementet e tjerë të tregtisë, siç janë gama e produkteve apo niveli i shërbimit, strategji e cila është shumë e vështirë të zbatohet në vende të tjerë, si në Angli, ku konsumatorët janë tejet mosbesues kundrejt mallrave të lirë.Formula e suksesitDuke u bazuar në këtë strategji, pak e nga pak, ata e zgjeruan aktivitetin në atë masë sa në vitin 1960 zotëronin një zinxhir prej 300 dyqanesh pakice. Por suksesi i tyre i vërtetë mori jetë pas krijimit të shoqërisë ALDI (Albrecht Discount), inagurimi i së cilës u bë në vitin 1962 në Dortmund. Edhe me zgjerimin fenomenal të firmës, formula e suksesit të tyre mbeti e pandryshuar; shitje me çmime sa më të ulët, thjeshtësi dhe cilësi. Sipas një prej administratorëve kryesorë të ALDI-t, shoqëria nuk ofron asnjë lloj shërbimi dhe gjithçka është organizuar në funksion të shpejtësisë. Artikujt nuk renditen nëpër rafte, por vendosen nëpër kuti të stërmëdha, të cilat, pasi zbrazen nga klientët, zëvendësohen menjëherë. Në shumicën e rasteve blerësit paguajnë vetëm me para në dorë, në shumë pak supermarkete ALDI është lejuar përdorimi i kartave të kreditit apo i çeqeve, ndërkohë që numri i artikujve është i kufizuar (rreth 800, ndërsa në një supermarket normal gjenden rreth 15.000 artikuj). Slogani i tyre është cilësi shumë e lartë, çmime shumë të ulëta. Çdo javë nëpër gazetat vendase publikohen ofertat e momentit, gjë që normalisht krijon radhë të gjata njerëzish që presin të hapen dyqanet. Një veçanti e supermarketeve, që është njëkohësisht edhe një tregues i aktivitetit të tyre e sidomos i morisë së njerëzve që i frekuentojnë ato rregullisht, janë sipërfaqet që mbulojnë parkingjet, të cilët, në shumicën dërrmuese të rasteve, shtrihen nëpër hapësira më të mëdha se të vetë supermarketeve. Çmime të pabesueshmeShpesh çmimet janë të pabesueshëm; një pako gjalpë kushton vetëm 0,88 euro, në krahasim me 0,99 euro që kushton normalisht nëpër supermarketet e tjera të Frankfurtit; një pako gjysmë kilogramëshe spageti kushton vetëm 0,29 euro në vend të 1,19 eurove që kushton gjetkë. Fillimisht, nëpër supermarketet ALDI shiteshin kryesisht produktet bazë, të tillë si ushqimet e konservuara dhe asortimentet që bliheshin nga njerëzit me sasi të mëdha, por, vitet e fundit, nëpër rafte konsumatorët mund të gjejnë qumësht të freskët, ushqime të ngrira, dhe, që nga viti 2003, edhe mish të freskët.Megjithëse me njëri-tjetrin kishin marrëdhënie shumë të mira, për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me përfshirjen e duhanit në produktet që tregtoheshin në supermarketet e shoqërisë, ata vendosën ta ndanin këtë të fundit. Karlin, vëllanë e madh, e shqetësonte frika se përfshirja e duhanit mes produkteve të ALDI-t do të shtonte ndjeshëm numrin e vjedhjeve. Duke mos arritur të gjenin një zgjidhje, ata vendosën të ndanin zonat e ndikimit. Me hartë në dorë Karli dhe Teo, përmes një kufiri imagjinar, ndanë në dysh territorin e vendit të tyre; i pari mori zonën jugore, ndërsa i dyti perëndimoren. Në fakt, nuk ishte një ndarje e vërtetë, pasi të dy vëllezërit vazhduan së bashku punën për zgjerimin e shoqërisë jashtë vendit. Ndërsa ALDI Verior është i pranishëm në Belgjikë, Danimarkë, Francë, Luksemburg, Hollandë e Spanjë, ALDI Jugor ka lëshuar rrënjë në Austri, Angli, Irlandë, SHBA, Australi e në Zelandën e Re.Më të pasurit e GjermanisëSipas një studimi të kohëve të fundit, rezulton se 37% e pasanikëve europianë janë trashëgimtarë të familjeve të pasura. E parë në këtë këndvështrim, mund të thuhet fare mirë se Albrehtët janë përjashtimi që vërteton rregullin, pasi brenda një periudhe 50-vjeçare ata kanë arritur të zënë vendet e dy njerëzve më të pasur në Gjemani. Sipas revistës Forbes, së bashku ata gjenden në vendin e tretë në rang botëror, pas Bill Gates në vendin e parë dhe Warren Buffet në vendin e dytë. Sipas revistës gjermane Manager Magazine, më i pasuri ndër të dy është Teo, pasuria e të cilit llogaritet të jetë rreth 15 miliard euro, ndërkohë që ajo e Karlit vlerësohet rreth 13 miliard euro. Siç ndodh rëndom me pasanikët gjermanë, edhe dy vëllezërit bëjnë një jetë të tërhequr e larg vëmendjes së njerëzve, aq sa fotografia e tyre e fundit është bërë publike rreth 15-të vite më parë. Kjo edhe për shkak se në vitin 1971 Teo u bë objekt i një pengmarrjeje dhe u mbajt për rreth 11 ditë, për t u liruar vetëm pas pagesës së dy milion dollarëve të kërkuar në këmbim nga pengmarrësit. Vëllezërit tashmë janë mbi të 80-at dhe në mënyrë progresive po largohen nga pjesëmarrja aktive në drejtimin e përditshëm të shoqërisë. Ka shumë mundësi që fëmijët e tyre të marrin tashmë në dorë drejtimin e supergjigantit të shpërndarë anembanë rruzullit. Për ta shitur as që bëhet fjalë; duke parë suksesin e ALDI-t, atyre do t u duhej të përcaktonin një superçmim, dhe çmimet e larta janë krejt të papranueshëm për vëllezërit Albreht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.