Kopa ishte futbollisti i parë francez që fitoi “Topin e Artë”, si dhe 2 herë fitues i kampionatit spanjoll dhe 3 herë i Kupës së Kampioneve me Realin e Madridit
Mbyll sytë në moshën 85-vjeçare legjenda e futbollit francez në vitet ’50 Raymond Kopa, ish-sulmues i Realit të Madridit dhe i Kombëtares transalpine, si dhe fituesi i parë i “Topit të Artë” për Francën. Lajmi për humbjen e Kopa – simbol i klubit francez Reims, fitues tre herë i Kupës së Kampioneve me Realin, protagonist në Botërorin e vitit 1958 në Suedi – u dha nga e përditshmja franceze Le Courrier de l’Ouest.
Kopa ishte futbollisti i parë i madh francez. Në Botërorin e vitit 1958, në të cilin bota zbuloi Pele dhe ku sulmuesi i “Les Bleus”, Just Fontaine, fitoi çmimin si golashënuesi më i mirë, me 13 gola, ishte Kopa ai që u zgjodh lojtari më i mirë i turneut. Kopa dhe Fontaine, ndihmuan Francën të zinte vendin e tretë në Botërorin suedez. Po në të njëjtin vit, Kopa fitoi “Topin e Artë”, i cili në atë kohë u jepej vetëm futbollistëve europianë. Kopa është lojtari i parë francez i cili ka fituar “Topin e Artë”, shumë vite më parë se Platini, Papin dhe Zidane.
I lindur në një familje emigrantësh polakë, të cilët punonin nëpër miniera në veri të Francës, që fëmijë ndiqte të atin dhe humbi dy kocka të gishtërinjve pikërisht në minierë. Ai fitoi në Francë dy kampionate dhe arriti deri në finalen e Kupës së Kampioneve kur luante me skuadrën e Reims (finale të cilën e humbi pikërisht ndaj Realit). Shtypi botëror e cilësoi në atë kohë frymëzuesin e “futbollit shampanjë”…. një futboll i bukur për t’u parë, me finte dhe driblime magjepsëse.
Kur u transferua tek Reali për një shifër rekord në atë kohë prej 52 milionë frangash, iu bashkua një skuadre të mbushur me yje dhe futbollistë legjendarë, si Ferenc Puskas, Alfredo Di Stefano, Francisco Gento etj. Së bashku në tre sezone fituan dy herë La Ligën Spanjolle dhe tre herë Kupën e Kampioneve (Champions League-n e sotme), kur në vitin 1959 mundi në finale pikërisht Reims-in “e tij”.