Krejt ndryshe nga dy vite më parë kur një grup deputetësh bën lobimin kryesor në mbrojtje të lojërave të fatit duke u zgjatur afatin për aktivitetit me dy vjet, sot janë sërish deputetët që kërkojnë mbylljen sa më shpejt të tyre. Deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar permes një projekt-rezolute që ndryshimi në ligjin “Për lojërat e fatit” që përcakton mbylljen e basteve sportive dhe kazinove elektronike deri më 31 dhjetor 2018 të kalojë me procedurë të përshpejtuar. Kerkesa është nënshkruar nga Taulant Balla, Erion Braçe, Ulsi Manja dhe mbyllet me emra si Ermonela Felaj dhe Vasilika Hysi.
Në një vendim të miratuar tashmë nga Kuvendi, Kryetari Gramoz Ruçi ka saktësuar edhe axhendën që do të ndjekë diskutimi i projektligjit “Për lojërat e fatit” sipas kërkesës së një grupi deputetësh.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””. Shqyrtimi në komisionin përgjegjës për Ekonominë dhe Financat të bëhet në datat 22-23 tetor 2018. Amendamentet të dorëzohen në komisionin përgjegjës brenda datës 22 tetor 2018. Shqyrtimi në seancë plenare të bëhet në datën 25.10.2018. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë” thuhet në projektvendim.
Ndryshimi në projektligjin për lojrat e fatit
Referuar projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për lojërat e fatit’ në Republikën e Shqipërisë”, nënvizohet se tek pjesa e dispozitave kalimtare shtohet pas pikës 2 pika 2.1. Pika 2 e dispozitave kalimtare sanksionon se: “Organizatorët e kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilët janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2018”. Afati i parë ishte 31 dhjetori 2016 por ai u shty pas lobimit në Kuvend të disa deputetëve dhe votimit nga mazhoranca.
Në pikën 2/1, që është edhe risia që shtohet në pjesën e dispozitave kalimtare, thuhet se: “Organizatorët e kategorive ‘Baste sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’ do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018. Të gjitha aplikimet për pajisjen me licencë për kategoritë e sipërpërmendura, në proces shqyrtimi, ndërpriten”.
Kjo do të thotë se nuk do të ketë më baste sportive dhe as baste për garat në pistë. Sakaq ka ndryshime edhe në pikën 3 të dispozitave kalimtare. Kjo pikë aktualisht është: Organizatorëve të kategorive “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2016.
Me ndryshimin e propozuar bëhet: Organizatorët e kategorisë “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2016”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.