Mbyllja e lojërave të fatit vë në vështirësi të ardhurat buxhetore në 2 mujor

27/03/2019 10:00 AM 0 komente

Grumbullimi i të ardhurave buxhetore po has në vështirësi këtë fillimvit, teksa shihet se ritmet e rritjes gjatë janar-shkurt ishin vetëm 1.7 për qind më shumë se fakti i një viti më parë.

Ngërçi në arkëtime ka përfshirë “motorët” e grumbullimit të të ardhurave, tatime dhe dogana, arkëtimet nga të cilat ishin 0.2 për qind më të ulëta se dymujori i vitit 2018.

Ekspertë nga administratat fiskale sqarojnë se dobësitë po vijnë për shkak të mbylljes së aktiviteteve të lojërave të fatit. Mbyllja e aktiviteteve të bixhozit mësohet të kenë ndikuar për keq në arkëtimin e TVSH së brendshme, e cila shënoi ulje me 524 milionë lekë në shkurt 2019.

Në fillim këtij viti, qeveria me një ligj të posaçëm vendosi të mos lejojnë ushtrimin e aktivitetit nga lojërat e fatit dhe bastet sportive. Sektori i lojërave të fatit kishte njohur zgjerim të pazakontë vitet e fundit.

Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, bazuar në xhirot e deklaruara në tatime të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, më 2017, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve për loto e kazino në 2017 ishin me 9.3%, apo rreth 11 milionë euro më shumë.

Ekspertët e Tatimeve pohojnë se, bllokimi i i këtyre aktiviteteve ka dhënë efekt të menjëhershëm në të ardhura, i cili me gjasë do të rikuperohet më tej pasi paratë e shpenzuara në këto aktivitete do të shkojnë në produkte të tjera të konsumit.

Të ardhurat tatimore në muajin shkurt të këtij viti ishin 1.7 për qind më të ulëta se një vit më parë. Ndërkohë që edhe të ardhurat doganore janë në vështirësi për shkak të importeve më të ulëta në mallrat e akcizës.

Doganat grumbulluan 725 milionë lekë ose rreth 6 milionë euro më pak se dymujori i vitit 2018, ku rënia më e madhe u vu në arkëtimet nga TVSH me rreth 427 milionë lekë më pak. Rënia u shënua edhe nga arkëtimet e akcizës dhe, taksës doganore etj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of