Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën me dije se po i kushton kujdes të posaçëm inputeve bujqësore, jo vetëm për zbatimin e planit paraprak të monitorimit, por duke e korrektuar këtë edhe me të dhëna dhe indicie të ardhura nga dëgjesat publike apo edhe shqetësime në media.
Kështu, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka intensifikuar mbikëqyrjen përmes sensibilizimit të operatorëve, paralajmërimit apo edhe ndëshkimit të tyre për raste shkeljes, bllokimit të produkteve edhe nëpërmjet bashëkpunimit ndër-institucional për të maksimizuar efektin e veprimit ligjor.
Gjatë periudhës Tetor 2017 – Qershor 2018 janë kryer rreth 3948 inspektime dhe ndaj subjekteve të gjetura me shkelje janë marrë masa administrative: 116 paralajmërime, 80 gjoba me vlerë 6 890 000 lekë, janë bllokuar 75.4 tonë produkte kësisoj (fara dhe plehra), si dhe 23 litra e 60 fidanë.
Ndërkohë që në periudhën Janar – Shtator 2017 janë kryer 4769 kontrolle dhe ndaj subjekteve të gjetura me shkelje janë marrë masa administrative: 101 paralajmërime, 25 gjoba me vlerë 1 740 000 lekë si dhe janë bllokuar 23.5 tonë produkte kësisoj (fara dhe plehra).
Gjykuar nga shifrat gjatë periudhës Tetor 2017 – Qershor 2018 janë realizuar rreth 800 kontrolle më pak, por dukshëm është rritur efektiviteti dhe cilesia e këtyre kontrolleve duke gjeneruar 1.5 herë më tepër paralajmërime, rreth 3 herë më tepër numër gjobash, rreth 4 herë më tepër vlerë gjobash dhe 50 tonë sasi produkti e bllokuar dhe asgjesuar më shumë sesa 9 mujori pararendës.
Me qëllim që rezultatet e kontrolleve të mbështeten me konkluzione shkencore në bashkëpunim me rrjetin e laboratorëve në varësi të MBZHR-së, është dyfishuar edhe numri i analizave të inputeve bujqësore.
Kjo veprimtari përfshin zbatimin e një plani monitorimi të miratuar nga MBZHR-ja, të korrektuar sipas rastit me plane të veçanta, marrë shkas nga analizimi i të dhënave nga dëgjesat publike, apo problematikave të investiguara nga mediat.
MBZHR-ja garanton fermerët për cilësinë dhe treguesit e inputeve bujqësore që qarkullojnë në treg duke bërë thirrje, që të frekuentojnë shërbimin e ekstensionit të MBZHR-së, pasi edhe përdorimi i inputeve bujqësore, jashtë protokolleve agronomike është shkak për dështimin e rendimenteve të pritshme të tyre nga fermerët.Nga ana tjetër inkurajon këdo të denoncojë cdo rast abuzimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.