Nëpunësit e Thesarit do të ndëshkohen me gjoba deri në largimin nga puna, nëse nuk respektojnë radhën e faturave dhe pagesave. Ky paralajmërim i ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, është pjesë e një udhëzimi që rregullon procedurat e mbylljes së llogarive vjetore të buxhetit për vitin 2014. Financat kanë nxjerrë mësime nga vitet e kaluara, kur për shkak të mosfunksionimit të Thesarit, vonoheshin pagat e administratës të muajit dhjetor, duke i likuiduar listëpagesat në fund të janarit.
Vonesat
Sipas udhëzimit të Canit, do të aplikohen gjoba nga 1-3 rroga mujore deri në largim nga puna mbi të gjithë specialistët e degëve të Thesarit që regjistrojnë fatura me datë përpara datës së paraqitjes së tyre në Thesar apo pa respektuar radhën kronologjie të paraqitjes së faturave nga institucionet në Thesar, pasi shkaktojnë artificialisht krijimin e detyrimeve të
prapambetura në sistem. Për shkeljet e konstatuara, merret masë administrative deri në largim nga puna të punonjësit të Thesarit.
Gabimet
Për të gjitha kthimet e pagesave elektronike që janë për shkak të instruksioneve të gabuara nga plotësimi i dokumentacionit të paraqitur në Thesar prej njësive shpenzuese të qeverisjes së përgjithshme, ministri Cani udhëzon që, pagesa e komisionit bankar do të bëhet prej fondeve operative të këtyre të fundit, në bazë të procesverbalit të mbajtur midis njësisë shpenzuese dhe degës së Thesarit. Në rast se kthimet e pagesave janë për shkak të regjistrimit të gabuar nga specialisti i degës së Thesarit, atëherë pagesa e komisionit do të mbahet nga paga e specialistit.
Mbyllja e buxhetit
Kambana për Financat bie në fund të ditës, më 31 dhjetor 2014. Për llogari të buxhetit të shtetit 2014, në pasqyrën vjetore të konsoliduar të shpenzimeve dhe të ardhurave të qeverisjes përfshihen të gjitha vlerat e arkëtuara, si dhe shpenzimet e kryera të regjistruara në sistemin informatik financiar të qeverisë (SIFQ) nga data 1 janar 2014 deri më 31 dhjetor 2014. Në pasqyrë regjistrohen transaksionet nga shitjet, privatizimet gjatë vitit 2014, arkëtimet e lidhura me huamarrjen e huaj, me borxhin e brendshëm dhe borxhin e jashtëm. Thesari përgatit të dhënat faktike përfundimtare të pasqyrës vjetore të konsoliduar brenda datës 13 shkurt 2015 dhe brenda shkurtit publikohet nga ministri i Financave. Pasqyra vjetore e shoqëruar me raportin përfundimtar të gjendjes faktike të shpenzimeve dhe të të ardhurave të buxhetit 2014, i paraqitet Këshillit të Ministrave brenda muajit maj të vitit 2015./ Gazeta Shqip
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.