Parashikimet për rritje të ardhurash 8.6%, bazuar mbi rritjen ekonomike 5.5%, rikthejnë optimizmin te qeveria, pas korrigjimeve në 2010-n. Parametrat e buxhetit dhe përplasjet e para
Ecuria e deritanishme e mbledhjes së të ardhurave dhe treguesit ekonomikë në tërësi i japin kurajë qeverisë të parashikojë një buxhet edhe më të madh për vitin 2011.
Ministri i Financave, në prezantimin publik të buxhetit, në prani të FMN-së, paraqiti treguesit ekonomikë të vendit, siç ishin rritja e eksporteve, kreditimi dhe përmirësimi i të ardhurave.
Nisur nga këta tregues, ministri tha se është bërë një korrigjim te parashikimi i rritjes ekonomike, e cila nga 5 për qind, për 2011-n do të jetë 5.5 për qind.
Në këto kushte, buxheti do të hyjë me një plan të ardhurash në total prej 362 miliardë e 223 milionë lekësh, ose gati 8.6 për qind më shumë se viti 2010.
Duket se parashikimet e Financave kësaj here janë me “këmbë në tokë”, nisur nga ecuria dhe planet e viteve të kaluara, kur rritja e të ardhurave vërtitet rreth 7-8 përqindëshit.
Për të mos përsëritur gabimin me vitin 2010, ku të ardhurat u rishikuan, nga 17 për qind, plani u vendos në 10 për qind, si efekt i krizës në 2009-n, me të ardhura të rritura 2.6 për qind,
Financat janë treguar më të kujdesshme. Natyrisht, në këtë pikë plani, kanë ndikuar edhe presionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili në plan të parë tregoi shenjat pesimiste mbi realitetin e buxhetit.
Nga vjen rritja e të ardhurave
A do të mund qeveria të mbledhë për vitin 2011 mbi 362 miliardë lekë të ardhura, në shërbim të një buxheti që parashikon rritje të konsiderueshme shpenzimesh.
Plani i rritjes së tyre me 8.6 për qind qëndron larg suksesit faktik 13.6 për qind të vitit 2008, por njëkohësisht nuk përsërit euforinë e parashikimi për një realizim me mbi 17 për qind të të ardhurave në 2010,
që më pas u rishikua për t’u bërë me 10 për qind. Ministria e Financave niset nga disa faktorë që bëjnë të mundur këtë realizim të ardhurash, që janë si fillim politikat fiskale,
klima më e përmirësuar ndaj biznesit, duke u bazuar mbi rritjen ekonomike me 5.5 për qind.
“Zhvillimet e fundit qoftë në tregun e sistemit financiar bankar, ku ka rritje të depozitave me 18 për qind në krahasim me vitin 2009, qoftë zhvillimet në tregtinë ndërkombëtare ku kemi rritje shumë të fortë të eksporteve
dhe modelim të importeve, përkatësisht 65 për qind eksportet dhe një rritje në nivelet më të ulëta historikisht vetëm 8 për qind të importeve.
Fakti që ne dolëm në tregun financiar ndërkombëtar dhe mundësuam një injektim të ri që është i barabartë me injektimin e kapitaleve investuese nga jashtë, mendoj që janë parametrat për të mbështetur një rritje ekonomike më optimiste.
Niveli i kreditimit në sistemin bankar sigurisht është i moderuar, por ne mendojmë që do të përshpejtohet”, ishin disa nga faktorët që nxitën ministrin e Financave të programonte një rritje të ardhurash të larta,
me rreth 30 miliardë lekë më shumë se ky vit që po mbyllet. Sipas kapitujve, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, parashikohet të jenë 256.1 miliardë lekë, me një rritje prej 11.5 përqindësh krahasuar me vitin 2010,
kurse të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, parashikohen në 59.3 miliardë lekë, me një rritje prej 10.1 përqindësh. Financat parashikojnë rritje të ndjeshme të ardhurash edhe për bashkitë dhe komunat,
pra për pushtetin vendor në masën e 11.8 për qind kundrejt vitit 2010.
TVSH-ja dhe Akciza, promotorët
Ulja e pragut të TVSH për biznesin e vogël, rishikimi i shkallës tatimore për shëndetësinë dhe rritja e nivelit të akcizës, synojnë të japin ndikim të rëndësishëm në totalin e të ardhurave nga tatimet.
Konkretisht nga TVSH-ja, të ardhurat parashikohen të rriten me 11.7 për qind kundrejt vitit 2010, ose rreth 10.2 për qind të shprehura si raport ndaj PBB.
Nga totali prej 136.2 miliardë lekësh të parashikuara për këtë tatim, administrata doganore pritet të mbledhë rreth 96.6 miliardë, me një rritje prej 11.1 përqindësh ndaj vitit 2010.
Parashikimi për TVSH nga dogana bazohet në parashikimin e nivelit nominal të importeve si dhe në prirjen historike të koeficientit të elasticitetit të këtyre të ardhurave ndaj nivelit të importeve të mallrave.
Kurse administrata tatimore pritet të mbledhë rreth 38.6 miliardë lekë të ardhura nga TVSH me një rritje prej 13.2 përqindësh ndaj vitit 2010. Parashikimi për këtë zë, sipas ekspertëve të Financave,
bazohet në nivelin e parashikuar të rritjes reale të PBB, në nivelin e deflatorit të PBB, pritshmërinë e aktivitetit ekonomik për sektorë të veçantë të ekonomisë,
në karakteristikat e serisë kohore të koeficentëve të elasticitetit të kësaj takse ndaj bazës tatimore respektive, si dhe pritshmeritë e përmirësimit administrativ dhe efektet e përafërta të ndryshimeve ligjore lidhur me këtë taksë.
Nga akciza, sikurse u përmend më lart, rritja e shkallës tatimore ndaj produktit duhan, me rreth 40 për qind, do të japin ndikim në buxhet, me të paktën 2.8 miliardë lekë.
Kështu, në total nga akciza do të mblidhen rreth 43.7 miliardë lekë, me rritje 12.8 për qind, ku dogana do të mbledhë rreth 29.8 miliardë lekë, ose 12.1 për qind më shumë,
kurse tatimet rreth 13.9 miliardë lekë, me një rritje prej 14.2 përqindësh.
Nuk mbetet pas edhe Tatim-Fitimi, i cili duket se po rikuperohet pas disfatës së vitit 2009, ndikimet e të cilit po ndihen ende në 2010-n.
Të ardhurat në total për tatimfitimin janë parashikuar në 19.3 miliardë për vitin 2011, me rritje prej 11.7 përqindësh ndaj vitit 2010.
BOX
Politika tatimore 2011
1. Rishikimi i nivelit të akcizës të aplikueshme mbi cigaret, duke parashikuar rritje nga 50 lekë / paketa në 70 lekë. Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit pritet të jetë rreth 2.8 miliardë lekë.
2. Propozimi i një politike të re fiskale në fushën e TVSH-së për sistemin shëndetësor dhe konkretisht aplikimin e një norme të reduktuar TVSH-je, nga 20% në 10%,
për barnat dhe shërbimet shëndetësore. Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit pritet të jetë rreth 1.7 miliardë lekë.
3. Ulja e nivelit të regjistrimit për TVSH-në nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë. Synimi i kësaj reforme është zgjerimi i bazës së taksueshme për TVSH.
Kjo do të sjellë rritje të numrit të personave fizikë apo juridikë të cilët deklarojnë TVSH, rrit të ardhurat në buxhetin e shtetit.
4. Ndryshime në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, të cilat konsistojnë në njohjen e shpenzimeve të sigurimit të jetës dhe shëndetit të punëmarrësve nga punëdhënësi;
trajtimin e dividentit të marrë nga rezidenti nga aksionet që zotëron në një kompani të huaj jo rezidente, në një shtet të huaj si të përjashtuar nga tatimi mbi fitimin me synimin e riatdhesimit të kapitalit në Shqipëri.
5. Rishikimi i niveleve të tarifës doganore për zbatimin e angazhimeve të ndërmarra gjatë anëtarësimit në OBT.
Rikthehen shpenzimet e mëdha
Viti 2011 parashikon rritje të shpenzimeve në buxhet dhe rikthim të investimeve në nivelin e 80 miliardë lekëve. Ku do të shkojnë 409 miliardë lekë?
Pas uljes me 2 për qind të buxhetit 2010, si pasojë e krizës ekonomike, qeveria tenton të sfidojë skeptikët me një rritje afër 10 për qind të shpenzimeve për 2011-n.
Në total, parashikohen të shpenzohen rreth 409 miliardë lekë, që gjithsesi qëndron më ulët se varianti fillestar i buxhetit të këtij viti, para korrektimit (në korrik).
Rikthimi i buxhetit në nivelet e një viti më parë, tregon optimizmin e qeverisë se ekonomia po ecën në rrugën e duhur. Mjafton të shikosh investimet,
për të cilat nga arka e shtetit do të dalin mbi 80 miliardë lekë dhe ku mbi 65 për qind do të shkojnë vetëm për rrugët, sikurse ka kërkuar Kryeministri.
Ministria thotë se parashikimi i shpenzimeve është mbështetur mbi baza objektivash e produktesh të vëna në zbatim në të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore dhe fondet speciale të tyre.
Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2011 shënojnë rritje në masën 37.3 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin e rishikuar 2010.
Bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit të deficitit, shpenzimet totale buxhetore për vitin 2011 parashikohen në masën 409 miliardë lekë ose 30.6 për qind e PBB.
Viti 2008 regjistron nivelin më të lartë të rritjes së buxhetit, me rreth 23 për qind, kurse në 2010, ai pësoi ulje me rreth 40 miliardë lekë, si masë antikrizë, duke synuar edhe reduktimin e borxhit publik.
Investimet, 6.1% e PBB-së
Duket se zhvillimi i zgjedhjeve lokale ka nxitur qeverinë të rrisë shpenzimet për investime pas “pushimit” këtë vit, si rrjedhojë e pezullimit në gjysmën e dytë të 2010-s.
Konkretisht, shpenzimet kapitale për vitin 2011 parashikohen me një rritje në masën 15.7 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin e rishikuar 2010.
Rrjedhimisht, ato parashikohen të arrijnë nivelin 6.1 për qind të PBB-së, krahasuar me 5.4 për qind që ka qenë në buxhetin e rishikuar 2010.
Nga totali i investimeve, prej mbi 81 miliardë lekësh, gati 65 për qind e saj do të shkojnë për rrugët, në kuadër të planit për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan,
vijimin e akseve të tjera të Jugut dhe Rrugën e Arbrit. “Shpenzimet kapitale si me financim të brendshëm, ashtu edhe të huaj, do të vazhdojnë të përqendrohen në sektorët prioritarë të qeverisë si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, bujqësia dhe zhvillimi rural.
Më konkretisht, krahasuar me buxhetin e rishikuar 2010, investimet me burime të brendshme parashikohet të rriten në masën 1.2 miliardë lekë, duke arritur në 3.2 për qind të PBB.
Ndërsa investimet me burime të huaja parashikohen me një rritje në masën 17.4 miliardë lekë ose 2.9 për qind të PBB, nga 1.9 për qind e PBB që kanë qenë në buxhetin e rishikuar 2010.
Borxhi qëndron i palëkundur
Pavarësisht angazhimit për ta ulur, borxhi publik do të vijojë të jetë 59% e PBB-së. Vetëm për interesa do të paguajmë mbi 47 miliardë lekë
Pavarësisht menaxhimit me instrumente të ndryshme, borxhi publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto do të vijojë të jetë në nivelin e 59 përqindëshit.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë, duke hedhur poshtë propozimin e ministrit të Financave për ta ulur borxhin në 58.5 për qind në raport me PBB-në.
Duket se debati mbi borxhin publik do të vijojë edhe për ca kohë, derisa qeveria të tregojë shenjat që po e ul atë. Në fakt, me futjen e vendit në krizë dhe nga presioni i ndërkombëtarëve,
qeveria u angazhua ta ulte borxhin, dhe shenja e parë ishte korriku i këtij viti, ku nga 4.2 për qind i PBB-së, deficiti për vitin 2010 u vendos të ishte 3.1 për qind, për ta ulur edhe më tej në 2.8 për qind në 2011.
Por skenarët e paraqitur nga Financat ishin për dy variante deficiti që nuk i përmbaheshin planit të muajit korrik, kur u rishikua buxheti. Bode paraqiti dy lloje buxheti me deficit 3 dhe 3.5 për qind,
ndërsa Kryeministri zgjodhi të dytin. Për FMN-në, mbajtja e deficitit buxhetor në nivelin e 3.5 për qind paraqet një rrezik për shërbimin e uljes së borxhit, duke rekomanduar një ulje edhe më të madhe, në 2.5 për qind.
Gjithsesi qeveria ka vendosur t’i shkojë deri në fund planeve të saj për të rritur shpenzimet me mbi 37 miliardë lekë, ndërsa pagesat për borxhin parashikohen të jenë edhe më të larta,
mbi 47 miliardë lekë, ose gati sa gjysma e fondit që shkon për investime.
Parashikimi i nivelit të shpenzimeve për interesa është bazuar në fluksin e huamarrjes së brendshme dhe të huaj, si dhe në nivelin e parashikuar të normës së interesit në kushtet e një situate makroekonomike të qëndrueshme.
Për pasojë, krahasuar me buxhetin e rishikuar 2010, në vitin 2011, shpenzimet për këtë zë parashikohen të rriten nga 3.5 për qind e PBB-së në 3.6 për qind e PBB-së.
Konkretisht, shtesa e stokut të borxhit deri në fund të vitit 2011 parashikohet të arrijë në 78,528 milionë lekë. Duke e ndarë në zëra, për huamarrjen vjetore neto për mbështetjen buxhetore do të shkojë deri në 26,458 milionë lekë,
kurse për huamarrjen neto për projektet me financim të huaj deri në 42,108 milionë lekë. Kurse për rritjen vjetore të garancive të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese,
parashikohet të jetë 7,370 milionë lekë dhe për kufirin e rritjes vjetore të stokut të borxhit, si rezultat i riskedulimit të borxheve të vjetra, të huaja të papaguara, deri në 2,592 milionë lekë.
A.S
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.