Për momentin nuk ka vlejtur aspak ftesa e fundjanarit të bërë nga Barack Obama për të punësuar më shumë personel. Një ftesë që u transferua në një marrëveshje mes Presidentit amerikan dhe sipërmarrjeve të mëdha të vendit me “yje dhe shirita” duke filluar nga Apple e Ford e deri te WalMart e Visa, duke kaluar më pas te Boeing e Xerox, për të shëruar plagën ekonomike të shekullit: papunësinë. Pavarësisht se norma e papunësisë amerikane llogaritet nga 6-7%, mungesa e punësimit vlerësohet si një problem shqetësues që administrata amerikane nuk ka arritur ta zbusë.
Pikërisht në këtë drejtim do të zhvillohet edhe reforma e punës: një marrëveshje e sigluar nga 300 sipërmarrje, ku 50 janë ndër më të rëndësishmet e vendit.
Kushtëzimi duket si detyrues, por pavarësisht kësaj, rezultatet nuk janë ato që priteshin. Për këtë mjafton që të shihen kandidaturat e mbërritura në selinë e re të WalMart në Uashington DC: nga më shumë se 23,000 CV për 600 vende të disponueshme u pranuan vetëm 2.3%. Një përqindje e vogël kjo veçanërisht kur krahasohet me shkallën e pranimit të një prej universiteteve më prestigjioze të Shteteve të Bashkuara, Universiteti i Harvardit, i cili ka një mesatare prej 8.9% të pranimit të kërkesave. Por, WalMart nuk është rasti i vetëm. Situata komplikohet kur bie fjala për sektorin e teknologjisë, një nga më të kërkuarit nga të rinjtë dhe të sapodiplomuarit. Gjiganti i Google, ku shumë duan të punojnë për shkak të prestigjit dhe mjedisit të punës, pranon vetëm 0.5% nga kërkesat. Me pak fjalë, të punosh për kolosin e teknologjisë së lartë rezulton pothuajse e pamundur.