Komisioni Europian ka planifikuar të përmirësojë politikën e kohezionit, politika kryesore e investimeve të BE-së për strukturën financiare 2021-2027.
Fondet e kohezionit për Italinë dhe vendet e tjera anëtare në Europën Jugore, të prekura nga kriza ekonomike dhe fluksi i emigrantëve, do të rriten me 6%, ndërsa shtetet e tjera do të përballen me reduktim të fondeve të tyre.
Rumania do të marrë 27 miliardë euro nga fondet e kohezionit, rreth 8% (ose 2 miliardë euro) më shumë në krahasim me strukturën financiare 2014-2020.
Kjo është një sasi e konsiderueshme parash, që përbën 15% të PBB-së së Rumanisë në 2017. Komisionerja Europiane për Politikën Rajonale, Corina Cretu deklaroi se “për herë të parë në historinë e Bashkimit Europian, politika e kohezionit është bërë politika më e rëndësishme dhe burimi kryesor i investimeve në Europë”.
Kjo është prova më e mirë e solidaritetit dhe që ka për qëllim reduktimin e pabarazive ekonomike, sociale dhe territoriale në Europë. Besoj se në kontekstin e tanishëm, kur të gjithë ne po merremi me realitetin e trishtë të kontribuuesit të dytë më të madh të BE-së, që përgatitet të largohet nga blloku, ne kemi arritur të krijojmë një politikë kohezioni për të gjitha rajonet, e cila nuk lë asnjërën prej tyre prapa dhe duke ia lehtësuar përshtatjen me prioritetet e reja dhe, mbi të gjitha, ne kemi rritur më shumë mbrojtjen e qytetarëve të BE-së, tha Komisionerja Cretu.
Gjatë strukturës financiare të viteve 2007-2013, Rumania humbi 1.6 miliardë euro, sepse nuk ishte në gjendje të shpenzonte paratë nga fondet strukturore. Sipas strukturës financiare aktuale, Rumanisë iu akordua një vlerë prej 25 miliardë dollarësh nga fondi strukturor dhe i kohezionit.
Megjithatë, katër vjet më pas, Rumania ka absorbuar vetëm 2.7 miliardë euro nga BE-ja, që është vetëm 10% e fondeve në dispozicion. Rrjedhimisht edhe lind pyetja, a do të jetë Bukureshti në gjendje që të tërheqë më shumë fonde?
Sipas Corina Cretu, pas vitit 2020, ne do të mbështesim autoritetet lokale, urbane dhe territoriale dhe do t’i përfshijmë ato në trajtimin e fondeve europiane, sepse si rajonet ashtu edhe qytetet, i njohin më mirë sesa ne në Bruksel, fushat kryesore që kanë nevojë për investim.
Ne mbështetemi në një buxhet të përgjithshëm prej 374 miliardë eurosh për të 27 shtetet tona anëtare.
Nga 374 miliardë euro, 75% do të vazhdojnë të jenë të caktuara për rajonet që kanë nevojë për investime më të mëdha, rrjedhimisht për rajonet më pak të zhvilluara. Rumania, së bashku me Bullgarinë dhe Greqinë, janë ndër shtetet e BE-së që do të marrin pjesën më të madhe të fondeve nga BE-ja, rreth 8% më shumë krahasuar me periudhën e mëparshme.
Është i rëndësishëm fakti që paratë të përdoren për projekte konkrete në dobi të përmirësimit të jetëssë njerëzve. Dhe unë besoj se ne duhet të fillojmë hartimin e projekteve që tani, në mënyrë që të përdorim këtë mundësi sa më mirë të mundemi, tha ajo më tej.
Buxheti për strukturën financiare 2021-2027, i pari i hartuar pasi Britania e Madhe të ketë dalë nga Bashkimi Europian, do të shkojë deri në 1,100 miliardë euro, nga 1,000 miliardë euro sipas strukturës aktuale financiare shtatëvjeçare. Komisioni ka në plan të rrisë paratë që do të investohen në fushën e kërkimit, sigurisë dhe atë të ekonomisë dixhitale.
“Ne i kemi thjeshtuar normat, kështu që ato do të jenë në përfitim të të gjithëve, që nga sipërmarrësit, ndërmarrjet e vogla, shkollat dhe spitalet”, tha Komisionerja e BE-së, Corina Cretu. Politika e kohezionit i klasifikon rajonet në tre kategori, rajonet më pak të zhvilluara, rajonet në tranzicion dhe rajonet e zhvilluara.
PBB për banor do të mbetet kriteri kryesor për alokimin e fondeve, por do të merren parasysh edhe kritere të reja, të cilat do të pasqyrojnë më mirë realitetin, duke përfshirë nivelin e papunësisë së të rinjve, nivelin e ulët të arsimit, ndryshimet klimatike dhe integrimin e emigrantëve.
Komisionerja Corina Cretu shpjegoi se Polonia dhe Hungaria do të marrin më pak fonde këtë vit, për shkak se
Brukseli e pranon përparimin që këto dy vende kanë bërë në vitet e fundit. Për shembull, Polonia u bashkua me BE-në kur PBB-ja e saj ishte afërsisht sa 50% e mesatares europiane, ndërkohë që aktualisht PBB-ja e saj është rritur në 75% të mesatares europiane.
Kjo padyshim që ka përmirësuar dukshëm jetën e njerëzve. Gjithashtu, komisionerja Corina Cretu sqaroi çështjen e heqjes së fondeve, nëse shteti ligjor nuk respektohej. Mekanizmi i ardhshëm, që do të zbatohet nëse një shtet anëtar nuk respekton normat demokratike, do të jetë heqja e të gjitha fondeve të BE-së të destinuara për atë shtet.
Puna në këtë mekanizëm është ende në zhvillim e sipër, sepse kjo është një çështje tejet delikate dhe prandaj është i rëndësishëm fakti që ajo të mos lërë asnjë hapësirë për abuzim, tha në fund Komisionerja Cretu.