Mediat televizive e të shkruara azere i kanë kushtuar jo pak vëmendje vizitës së Kryeparlamentarit shqiptar, Ilir Meta në Azerbajxhan këtë javë.
Agjencia “AzerNews” shkruan se lidhjet me Azerbajxhanin kanë një rëndësi të madhe për Shqipërinë duke u fokusuar në projektet që hap fillimi i punimeve të Gazsjellësit TAP dhe gazifikimi i Shqipërisë që do të sjellë energjinë në shtëpitë shqiptare.
Sipas “Azernews”, Presidenti i Azerbajxhanit, Aliyev është shprehur se implementimi i projektit TAP do ta rrisë peshën e Shqipërisë në rajon dhe do të hapë oportunitete të panumërta për zhvillimin e vendit. Presidenti Aliyev ka thënë gjatë takimit se Azerbajxhani i kushton rëndësi të veçantë lidhjeve bilaterale me Shqipërinë, dhe si një vend që tashmë investon fuqishëm në Azi, Evropë dhe Ballkan, ka oportunitete për investime në disa sektorë të ekonomisë shqiptare si në energji, infrastrukturë, agropërpunim, turizëm, etj.
Ndërkohë që “Trend News Agency” citon Presidentin Aliyev për Projektin TAP si një projekt i frytshëm për ekonomitë jo vetëm të vendeve transitore, por edhe ato konsumatore të gazit, dhe këtu Azerbajxhani dhe Shqipëria mund ta zgjerojnë bashkëpunimin e tyre, sepse Shqipëria nuk duhet të mbetet vetëm në linjën e transitit, por edhe të ketë mundësinë të konsumojë gazin e Azerbajxhanit.
Mediat azere shkruajnë se gjatë vizitës së Metës në Baku ai ka diskutuar me homologun e tij Ogtay Asadov për zhvillimin e lidhjeve mes dy parlamenteve që kanë grupe reciproke miqësie. Gazetat citojnë kryeparlamentarin azer Asadov se dy popujt janë të lidhur historikisht dhe se dy parlamentet do të punojnë së bashku për rritjen e vizitave politike dhe shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve.
Një shkrim tjetër i “AzerNews” thekson se dimensioni energjetik i marrëdhënieve mes dy vendeve është shume i rëndësishëm dhe se përzgjedhja e TAP-it për të sjelle gazin azer në vendet evropiane përmes Shqipërisë do të krijojë mundësi të mëdha bashkëpunimi mes dy vendeve, ndërkohe që kompani shtetërore azere mund të sjellin ekspertizën e tyre në fazën e dytë të ndërtimit, atë të ndërtimit të një infrastrukturë gazifikimi për të hapur tregun e gazit në Shqipëri.
Agjencia e lajmeve “AZERTAG” shkruan se gjatë takimit me Kryeministrin e Azerbajxhanit Artur Rasizade, Kreu i Parlamentit shqiptar ka vënë theksin në zhvillimin e shkëmbimeve tregtare dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik.
Gjithashtu gazetat kanë shkruar edhe për ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Universitetit Shtetëror të Bakusë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës me pjesëmarrjen e Ilir Metës dhe delegacionit parlamentar shqiptar, të cilët i kanë dhënë rëndësi shkëmbimeve studentore dhe arsimore mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me ekspertizën azere në fushën e naftës dhe gazit.
Gazetarët azerë përmendin faktin që Shqipëria e ka njohur Azerbajxhanin që në vitin 1992 dhe se kjo vizitë e parë e kryeparlamentarit Ilir Meta në Baku tregon se Shqipëria e sheh Azerbajxhanin si një partner strategjik për zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë së saj.