E përditshmja e madhe greke, Ethnos, ka publikuar së fundmi lajmin se Banka Kombëtare Greke, NBG, do të duhet që deri në vitin 2018, të ketë mbyllur filialet në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Rumani, Serbi, por edhe në Afrikë të Jugut e në Egjipt. Ndërkohë NBG ka njoftuar se ka nxjerrë në shitje 20 për qind të aksioneve që disponon në Finans Bankën turke, me shpresë për të arkëtuar 600 milionë euro. Po sipas gazetës Ethnos, Alpha Bank parashikon që deri në fund të vitit të ketë mbyllur gjithë filialet e veta në Europën Juglindore dhe Ballkan, me përjashtim ndoshta të Qipros dhe Rumanisë.
Vitin e kaluar Alpha mbylli 33 filiale jashtë Greqisë me një numër të përgjithshëm prej 650 punonjësish.
Banka e Pireut do të duhet që deri në vitin 2018 ta ketë ulur aktivin jashtë Greqisë në nivelin 3,5 miliardë euro. Në të kundërt, do të duhet të mbyllë ose të shesë gjithë filialet jashtë vendit.
Sipas gazetës tjetër greke, Kathimerini, banka e Pireut do të synojë deri në fund që të mbajë filialet në Bullgari dhe Shqipëri.
Këto lëvizje vijnë teksa Komisioni Europian miratoi ditët e fundit projektet e ristrukturimit të dy bankave më të mëdha në Greqi, National Bank of Greece (NBG) dhe Pireus Bank, ndërsa më herët kishte hapur “dritën jeshile” edhe për Alpha bank dhe Eurobank.
Të gjitha projektet konsistojnë në uljen e shpenzimeve dhe rritjen e likuiditeteve, nëpërmjet reduktimit të numrit të filialeve dhe të punonjësve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.