Flet Andi Bushati, botues i Lapsi.al
Shtimi i mediave online vitet e fundit krijoi një hapësirë të re lirie dhe informimi por, nga ana tjetër, u shoqërua edhe me kaos.
Andi Bushati, gazetar me përvojë dhe botues i Lapsi.al, pohon se koha do të bëjë përzgjedhjen e tyre dhe do të mbeten në treg mediat më serioze.
Një tjetër “revolucion” siç e quan ai, është zhvendosja e reklamave nga shtypi i shkruar në atë online.
Si e shpjegoni lulëzimin e tregut të mediave online?
“Lulëzimi” i portaleve, sipas meje, lindi si një nevojë e brendshme e gazetarëve për t’u larguar nga zgjedha e pronarëve, kryesisht ndërtues, të cilët erdhi një moment që i shndërruan fletushkat e tyre në servise të qeveritarëve të radhës.
Nga përvoja ime, unë vendosa të filloj me Lapsin, pasi e pashë veten, për një kohë të gjatë, si një gazetar që nuk kisha më hapësirë ku të shkruaja. Pra si një njeri që nuk e ushtroja dot më profesionin tim. Në këtë kuptim mendoj se ky bum krijoi një hapësirë të re lirie dhe informimi.
Ne u rikthyem në fazën e parë të viteve ’90, kur shtypin e rimorën në dorë sërish gazetarët dhe jo pronarët, që ishin katapultuar në shtyp si mish i huaj. Por, natyrisht, si çdo hapësirë e re lirie, edhe kjo u shoqërua me kaos, shpesh me media të krijuara për dezinformim, shantazh dhe gjobëvënie.
Sa të qëndrueshme janë ekonomikisht?
Ka dy lloj mediash online, ato që vetëfinancohen nga reklamat dhe ato për të cilat fola më lart, që shërbejnë për qëllime politike dhe financohen nga burime okulte. Të parat mund të vetëmbahen financiarisht. Lapsi është një shembull i tillë, që me anë të reklamave që mbledh, arrin të përballojë pagat dhe shpenzimet.
Natyrisht, me shtrëngim dhe kushte minimale. Jemi ende larg gazetarisë së thellë, ku të ngrihen grupe me gazetarë investigativë, që të shpenzojnë ditë dhe javë me hetimin e një teme. Pra në këtë kuptim, shtrëngesa ekonomike ka krijuar një mangësi të gazetarisë së thelluar dhe thelbësore, megjithëse paradoksalisht mendoj se media online ka krijuar hapësirë lirie.
Sa interes kanë reklamuesit për tregun online?
Për sa i përket buxhetit të reklamave të kompanive mendoj se ka një “revolucion” që duhet theksuar. Mediat online kanë përvetësuar të gjithë buxhetin që deri 5 vite më parë i përkiste shtypit të shkruar. Në këtë kuptim, kjo tregon se ata që kanë vënë bast për këtë lloj media më të lirë, megjithëse me shumë mëkate, kanë pasur të drejtë.
Si pritet e ardhmja e këtij segmenti?
Për të ardhmen, mendoj se koha do të bëjë seleksionimin e saj. Mediat më serioze online (se mua më vjen ndot t’i quaj portale) do të mbeten në treg dhe shumë gjobaxhij fake news-esh do të zhduken. Kjo do të thotë, shpresoj që edhe tregu i reklamës do të jetë më “bujar”, me ata që do të rezistojnë, duke mundësuar investime më të mëdha te mediat më serioze.
Megjithëse dhe këtu hapim një parantezë tjetër paradoksale: Sa mundëson financimi nga kompanitë e mëdha një gazetari të lirë???? E vështirë të thuhet…Personalisht do të parapëlqeja modelin e mediave të financuara nga kontributet e lexuesve. Por kjo duket se është e parakohshme në Shqipëri, ku ende ka shumë probleme me besueshmërinë e mediave dhe me të drejtën e autorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.