Shqipëria aktualisht ka një hendek kualifikimi në profesione që nuk kërkojnë shumë aftësi, të tilla si sektori i shërbimeve, bujqësia dhe mekanika, thotë eksperti i politikave arsimore,
Ndriçim Mehmeti.
Sipas tij,modelet e avancuara britanike dhe gjermane të arsimit nuk mund të adoptohen në kushtet e Shqipërisë, pasi mungon infrastruktura dhe burimet njerëzore, teksa rekomandoi të plotësohen nevojat që ka tregu për kualifikime të ulëta. Ai dha alarmin se industria e bareve dhe restoranteve nuk punësojnë të shkolluar për këto shërbime, duke u bërë pengesë serioze për zhvillimin e turizmit. Ai thotë se cilësia e dobët e shërbimit në hotelet dhe baret shqiptare janë shkaktari kryesor për mosavancimin e turizmit.
Zoti Mehmeti, sa i përmbush aktualisht modeli ynë arsimor nevojat e tregut të punës?
Aspak. Sistemet tona nuk ofrojnë as informacion, lë pastaj kualifikim. Edhe në Kosovë, një bukëpjekës në Ferizaj e ka shumë të lehtë të gjejë punonjës në zyrat e punësimit. Në Kosovë, zyrat e punësimit e bëjnë shkëlqyeshëm rolin e ndërmjetësit. Më thoni ju, nëse ju nevojitet një hidraulik si e gjeni?!… Ta them unë.
Duhet të pyesim shtatë veta, pasi na mungon informacioni bazë. Mbase në Tiranë ka shumë hidraulikë, por nuk dimë si ta gjejmë. Këtu pra hyn roli modest i shtetit që me një database të saktë të orientojë ofertën për punë drejt kërkesës. Kush mund të më tregojë mua sot se si mund të gjej një servis të licencuar, që nëse makina ime shfaq defekt, të marr një shërbim të sigurt në treg.
Në të shumtën e rasteve, kur kanë ndodhur aksidentet është gjetur faji nga defektet në makina, por kush e mban përgjegjësinë në këtë situatë. Shkon në restorante dhe helmohesh. Kush mbaj përgjegjësi. Kjo tregon se mungojnë totalisht entet që certifikojnë profesionet dhe tregu është i parregulluar.
Si zgjidhet?
Po ka zgjidhje të shpejta dhe efikase. Marrim shembull një fabrikë çimentoje, që kërkon të punësojë 2000 punonjës. Fabrikës mund t’i jepet gjashtë muaj kohë që të trajnojë forcën e punës, ndërsa shteti duhet të marrë pjesë në këtë proces, duke paguar sigurimet shoqërore dhe duke marrë masa stimuluese për bizneset që aplikojnë politika aftësimi. Punonjësit mund të certifikohen dhe ta ushtrojnë këtë profesion gjatë gjithë jetës së tyre.
Kërkesat e tregut të punës mund të zgjidhen në një kohë të shpejtë dhe këtë e realizojnë intershipet. Nëse tregu në një moment të caktuar ofron punë në një drejtim të caktuar, përvojat kanë treguar se vetë individët janë të prirë të shpenzojnë për t’u aftësuar sipas kërkesës, ndaj kjo në të gjithë botën zgjidhet nëpërmjet praktikave mësimore që të interesuarit bëjnë në bizneset.
Nga duhet të vijë rregullimi i arsimit dhe nevojave të tregut?
Rregullimi duhet të vijë nga qeveria. Qeveritë, nëpërmjet prioriteteve të zhvillimit ekonomik, rregullojnë perspektivat e tregut të punës. Nxitja e sektorëve të veçantë do t’i çojë universitetet drejt orientimit të nevojave të tregut.
Por prioritete nuk ka dhe për shkak të kësaj situate, të rinjtë shqiptarë nuk janë të orientuar për arsimin që kërkon tregu i punës.
Zbrazja e rretheve nga forca e punës e ka sjellë në kushte krejt të tjera perspektivën në disa sektorë. Për shembull, sektori i peshkimit. Shqipëria ka pasur traditë dhe ekspertë në këtë fushë, sidomos në zonën e Vlorës dhe Nartës, specifikisht në ekspertët e rritjes dhe kapjes së ngjalave.
Por pyesni sot në Nartë, sa specialistë të tillë ka. Vështirë se do të gjeni! Tregu i peshkimit, nga ana tjetër, ka shumë interes për zhvillim. Kompani të huaja dhe vendase janë të interesuara të zhvillojë sektorin e peshkimit, por specialistët e fushës mungojnë tërësisht. Pra nevojitet një studim, sa treg pune ka, sa kualifikim kemi dhe sa ne nevojitet.
Shqipëria ka nevojë për ekspertë që të kenë dijeni për peshkun rasatin, llojin që duhet të kultivohet dhe të nxitet. Por kjo kërkon mbështetje nga qeveria mbi bazën e një plani afatgjatë të detajuar zhvillimi për sektorin.
Çfarë cilësie garanton aktualisht arsimi profesional?
Më mirë të dish se të kesh. Kemi atraksione kulturore, historike dhe natyrore. Por nuk i zhvillojmë dot për shkak të mangësive në edukimin profesional. Marrim shembull Shkollën e Hotelerisëdhe Turizmit, “Antiono Athanas” në Sarandë. Një qytet që ka me qindra bare dhe restorante, por sa prej atyre kanë punësuar kamerierë dhe banakierë që kanë mbaruar shkollën, ose sa prej tyre kanë bërë praktikë. Një kamerier në këtë zonë duhet të zotërojë dy-tre gjuhë të huaja.
Dobësitë në shërbime duken në numrin e turistëve, pasi edhe shqiptarët parapëlqejnë të pushojnë në Korfuz dhe jo në Sarandë, pasi ka ankesa për shërbimin. Hotelet tona janë të shtrenjta dhe nuk ofrojnë shërbim. Në Sarandë, një dhomë hoteli pa parking dhe ambient për fëmijët kushton 60 euro. Në Korfuz, me çmim të ngjashëm gjen më shumë shërbim dhe atraksione.
Siguria ushqimore lë shumë për të dëshiruar dhe rastet e helmimit janë të shpeshta. Edhe këto janë pasojë e një mungese në aftësi arsimore. Në të njëjtat kushte është edhe Durrësi. Ju mund të shihni kamerierë në dukje të sjellshëm, por ata nuk janë të shkolluar dhe ofrojnë shërbim të mangët. Ruajtësit e plazhit nuk janë më. Plazhet nuk kanë kontroll pastërtie, në thelb çalon arsimi në të gjithë këtë rrëmujë në sektorin e turizmit.
Profesor më thoni pse duhet të vijojë shkollën një i ri për hoteleri dhe turizëm, kur hoteli më i mirë në plazhet tona ofron maksimumi 4-5 muaj punë?
Po kjo është e vërtetë,por ka me qindra restorante dhe hotele në Tiranë, Shkodër dhe në qytetet e tjera të mëdha që ofrojnë shërbime gjithëvjetore.
Shkon të bësh një servis për makinën dhe ti shikon që nuk ka një certifikim për këto servise dhe kjo ka bëjë me jetën e njeriut. Po për çfarë na duhet punonjësi i bankës që bën llogaritarin me 20 vite shkollë, kur shumë mirë mund ta bëjë një ekonomist i mesëm. Ose inxhinieri mban ditët e punës në fabrikë.
Çfarë modeli na duhet?
Modeli arsimor aktual është i përçudnuar. Nuk gjen asnjë vend të Europës ku arsimi profesional është i ndarë nga Ministria e Arsimit. Arsimi profesional nuk dihet kujt i takon. Nuk e di askush se cilat janë kapacitetet e tyre dhe aftësitë trajnuese dhe çfarë certifikojnë.
Po ju marr një element vjetër. Sot kemi dhjetëra njerëz të braktisur të moshës së tretë. A kemi punonjës që i asistojnë ata? Kemi vetëm një program në Kamëz. Por a mjaftojnë?Nuk kemi ekspertë për azile, edhe pse popullsia po plaket.
Sot po vuajnë edhe vendet e zhvilluara. Anglia sapo ka krijuar ministri të njerëzve të braktisur, e cila ka dhjetëra forma për të zgjidhur problemin. Modeli ynë kurrikular duhet t’u ofrohet nevojave që ka vendi. Modelet mund t’i kopjojmë, por nuk na vlejnë. Le të kopjojmë modelin gjerman që është më i përsosuri, por nuk e bëjmë dot, pasi na mungon infrastruktura e nevojshme dhe kualifikimi i mësuesve.
Marrim shkollat e IT, kush punon atje. Asnjë inxhinier nuk shkon të humbasë kohën për një pagesë 40 mijë lekë, për sa kohë kaq merr nga mirëmbajtja e një faqe web.
Ne nuk dimë sot sa burime të kualifikuara kemi, sa na duhen dhe çfarë kërkese ka tregu për këto burime. Përmendim për shembull administratorët e pallateve. Do t’i bëjnë ish-oficerët se kanë disiplinë. Ne kërkojmë në shkolla mjek, kur në fakt na duhen infermierë sa për ndihmën e parë.
Jashtë vendit kompanitë që kanë punonjës, të cilat së bashku kanë më shumë se20 fëmijë hapin kopsht. Sa kompani në Shqipëri e bëjnë këtë sot? Nuk kemi punonjës për fëmijët me aftësi të kufizuar. Por për çfarë është shteti dhe çfarë garanton. Shteti nuk orienton as për shërbimet që vetë duhet të ofrojë sinë rastin e edukatorëve të kopshtit. Dadot e fëmijëve po i marrim nga Filipinet.
Merrni rastin e Gjirokastrës që duhet restauruar. Po sa gurskalitës janë ose sa restaurues ikonash. Unë nuk po them, se shteti është punëdhënës, por shteti me politika orienton, siguron, ndërmjetëson dhe subvencionon. Ne nuk mund të marrim ekskluzivitetin e prodhimit të makinave, por kemi plot të tjera për të bërë. Për tre vite,me vështirësi restauruam tre shtëpi në Gjirokastër.
Ka shumë çështje, por duhet të sistemojmë të voglat, duhet të bëjmë një politikë arsimore të denjë që tejkalon partitë politike. Por jo një politikë arsimore që njëherë e çon arsimin profesional te Ministria e Punës, pastaj e braktis dhe sot kompetencat janë totalisht të paqarta. Çfarë ndodh në këto kushte?! Emigracion masiv, me përmasa biblike.
A duam të zhvillojmë agrobiznesin. Sa fabrika qumështi janë dhe sa profesionistë po përgatisim si përpunues qumështi, djathi etj. Teknologjitë kanë përparuar, shkolla nuk i ndjek dot. Por në të gjithë botën ndihmon biznesi në këtë drejtim, nëpërmjet ofrimit të intershipeve për praktikat, por qeveria duhet t’i mbështesë dhe subvencionojë ata.
Nuk ka biznesmenë që kërkojnë të humbasin. Ju kujtohet, uji i importit dhe birrat e huaja janë më konkurruese, se prodhimi vendas. Ne nuk kemi punonjës për teknologjinë ushqimore. Nuk i konkurrojmë as fqinjët. Edhe Kosova është më mirë. Bizneset interesohen që në shkolla për nxënësit më të mirë. Në të gjithë botën,bizneset që në shkollë marrin punonjësit që u duhen.
Sa e kemi ne numrin e njerëzve të shkolluar që po ikin jashtë vendit. Duhen qendra trajnimi dhe kreditesh. Do të ketë gjithmonë emigracion, por jo në mënyrë të tillë, pasi në vendin tonë po merr përmasa biblike. Është shumë e frikshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.