Firma indoneziane, Lippo Group, ka bërë publike në fillim të këtij muaji projektin gjigant prej 20.9 miliardë dollarësh, me anë të të cilit synon që të ndërtojë një qytet tërësisht të ri, Meikartën, në periferi të Xhakartës, qytet që do të popullohet me afërsisht 8 milionë banorë pasi të ketë përfunduar.
Pas prezantimit të këtij projekti, CEO-ja e Lippo Group, dr. James Riady, u shpreh gjatë një deklarate se Meikarta do të jetë një prej qyteteve më të bukura dhe më funksionalë që kjo firmë ka marrë përsipër deri më sot.
Projekti ambicioz i Meikartës përfshin ndërtimin e 10 hoteleve me pesë yje, 7 qendra gjigante tregtare, që do të zënë një hapësirë prej 1,500,000 m2, një qendër financiare ndërkombëtare, dhe një qendër kërkimore. Shembulli që kjo firmë do të ndjekë është ai i qytetit të Nju Jorkut, vetëm se firma do të bëjë të pamundurën që ky qytet i ri të mos ketë problemet e trafikut që ka Nju Jorku.
Çmimet e apartamenteve në këtë qytet të ri nuk do të jenë të larta, sepse synohet që në 60 për qind të ndërtesave që do të përdoren për banim të akomodohet ajo pjesë e klasës punëtore që ka më shumë nevojë, vazhdoi më tej z. Riady.
Ky projekt është në bashkëpunim edhe me vizionin e qeverisë indoneziane për ta shndërruar këtë qytet në “Shenzhenin e Indonezisë” (Shenzhen është një prej qyteteve më të zhvilluara të Kinës Jugore). Projekti Meikarta përfshin edhe bashkëpunime të tjera si ai me Grupin Japonez të Mitsubishi, të Toyota-s dhe Sanko Soflan Holdings Co.
I gjithë ky projekt synon që në një të ardhme Meikarta të shndërrohet në qytetin më të rëndësishëm të Indonezizë.
Në fazën e tij të parë, kjo qendër industriale do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 22 milionë metrash katrorë, në një zonë që do të jetë si urë lidhëse ndërmjet Xhakartës dhe qytetit West Java.