Votuesit meksikanë kanë pritshmëri të mëdha ndaj Presidentit të ri. Përgjegjësia e tij është e madhe që të mos i zhgënjejë
“Unë nuk do t’ju braktis. Unë nuk do t’ju zhgënjej. Duke qëndruar përpara një turme prej më shumë se 100,000 banorësh në Zócalo, në sheshin qendror të Meksikës, Andrés Manuel López Obrador dukej plotësisht i vetëdijshëm për madhësinë e asaj që sapo kishte arritur, shkruan The Economist. Populisti karizmatik sapo kishte fituar Presidencën e Meksikës. Koalicioni i tij, “Juntos Haremos Historia” (Së bashku do të bëjmë historinë), do të kontrollojë kongresin dhe qeverinë e Meksikës, duke marrë kështu fuqi që kurrë më parë i ka pasur një President i kohëve moderne. Ndaj asnjë Presidenti tjetër nuk ka pasur kaq shumë pritshmëri pozitive, madje që nga fillimi i zhvillimit të zgjedhjeve lira në vitin 2000. Nuk dihet nëse ai do t’i takojë ata dhe kjo kryesisht për shkak se është një lloj politikani që nuk mund të parashikohet.
López Obrador, i cili shpesh quhet thjesht AMLO, është një rebus i vërtetë. Në disa fjalime, ai mund të tingëllojë si një pragmatist konservator, në disa të tjera, ai shfaqet si një njeri që flet me pasion për punën e tij, ndonjëherë i qetë, e ndonjëherë i nervozuar. Për këtë arsye, meksikanët nuk mund të jenë të sigurt se cili AMLO do të fillojë të punojë më 1 dhjetor, ditën kur ai do të marrë detyrën.
Ish-kryebashkiaku 64-vjeçar i Mexico City, i cili ka kandiduar edhe dy herë më parë për postin e Presidentit, López Obrador fitoi këtë vit 53% të votave. Kundërshtari i tij më i afërt, Ricardo Anaya i Partisë Kombëtare të Veprimit (PAN), mbeti shumë prapa tij, duke marrë vetëm 22%. José Antonio Meade i Partisë Revolucionare Institucionale (PRI) fitoi një 16% të mjerë. Fitorja e López Obrador nuk ishte aspak një surprizë: ai gjithmonë ka kryesuar që në sondazhet e marsit me rreth dyfishin e përqindjes së votave të kundërshtarit të tij kryesor.
Kur Partia Revolucionare Institucionale (PRI) humbi pushtetin në vitin 2000 pas qeverisjes së Meksikës për rreth 71 vjet, Partia Kombëtare e Veprimit (PAN), e themeluar gjashtë dekada më parë, erdhi në pushtet. Kjo nuk vazhdoi për shumë kohë, sepse në vitin 2012 PRI-ja erdhi sërish në pushtet. Z. López Obrador, i cili themeloi koalicionin partiak të quajtur Morena në vitin 2014, nën sloganin “Juntos Haremos Historia” (Së bashku do të bëjmë historinë), i denoncoi dy partitë e mëdha duke i etiketuar si “pushteti i mafies”. Këto zgjedhje i dhanë fund duopolit politik.
Gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore, ai iu drejtua mbështetësve duke i thënë se ky do të ishte momenti më i rëndësishëm që nga revolucioni që nisi në vitin 1910.
Retorika kundër rezultateve
Z. López Obrador premton të jetë antiteza e Presidentëve të mëparshëm. Ai nuk do të jetojë në pallatin Los Pinos dhe do të përgjysmojë pagat e burokratëve të lartë, përfshirë edhe të tijën. Gruaja e tij, Beatriz Gutíerrez Müller, nuk do të jetë “Zonja e Parë”, një term që sipas saj është shumë diskreditues. AMLO nuk do të ketë nevojë për truproja, sepse, sipas tij, do të jenë pikërisht “njerëzit ata që do ta mbrojnë”. Por ata duan gjithashtu që edhe ai t’i mbrojë ata. Ai fitoi kryesisht sepse premtoi se do të zvogëlonte krimin dhe do të eliminonte korrupsionin, duke theksuar se asnjëra prej dy partive kryesore të mëdha nuk arriti ta kontrollojë atë.
Dhënia e ryshfeteve lulëzoi nën Presidencën e Enrique Peña Nieto. Në një shtet të qeverisur nga partia PRI, sistemi shëndetësor administronte ujin e distiluar në vend të barnave për fëmijët me sëmundje të rënda. Vitin e kaluar, shkalla e vrasjes shënoi një rekord të ri. Edhe zhvillimi i fushatës zgjedhore u bë në një situatë dhune dhe tensioni, ku më shumë se 120 politikanë dhe zyrtarë janë vrarë që nga shtatori i vitit të kaluar. Një gjë është të duash të qeverisësh, duke shtypur krimin e organizuar, korrupsionin dhe padrejtësi të shumta dhe diçka krejt tjetër, të qeverisësh duke marrë nën kontroll të gjitha institucionet shtetërore ligjvënëse.
Idetë e z. López Obrador për shërimin e plagëve të Meksikës nuk janë të qarta. Ai ka thënë se do t’i japë amnisti anëtarëve të bandave të drogës, dhe më pas ka sqaruar se i referohej kryesisht fermerëve të pafajshëm dhe jo drejtuesve të dhunshëm të bandave. Në qershor, Olga Sánchez Cordero, ministrja e Brendshme që do të shërbejë në kabinetin qeveritar të AMLO-s, kërkoi dekriminalizimin e kanabisit. Z. López Obrador ka folur për krijimin e një xhandarmerie federale, e cila, sipas tij, do të sillte vetëm të mira nëse do të krijohej.
Një prej mënyrave që sipas tij mund të reduktohet varfëria dhe të luftohet krimi është një program bursash për të rinjtë, si një mënyrë për t’i parandaluar ato nga rekrutimi i bandave kriminale. Por “plani i tij i paqes dhe i pajtimit” është thjesht një premtim për momentin dhe asgjë më shumë. Njësoj si edhe qasja për të luftuar ryshfetet. Fushata e tij propozoi një amendament kushtetues për të ndaluar zyrtarët publikë që të angazhohen në biznese që mund të bien ndesh me detyrat e tyre. Por López Obrador ka treguar pak interes në reforma të tilla jetike, si sigurimi që Prokurori i Përgjithshëm dhe Prokurori kundër Korrupsionit të jenë të lirë në zbatimin e detyrës dhe të mos influencohen politikisht.
Edhe për sa i përket luftës kundër krimit, ai është entuziast dhe beson se do të këtë sukses pikërisht aty ku paraardhësit e tij dështuan, dhe këtë gjë do ta arrijë nëpërmjet një kombinimi të qëllimeve të mira, drejtësisë personale dhe presionit popullor. Për sa i përket ekonomisë së vendit ai ka premtuar se do të tregohet i kujdesshëm në menaxhimin e buxhetit të shtetit dhe se nuk do të ketë rritje të taksave. Pas përfundimit të fushatës zgjedhore, ai i ka kushtuar një vëmendje të veçantë qetësimit të nervozizmit të investitorëve. “Ne do të tregohemi shumë të kujdesshëm, duke u munduar që ky tranzicion të jetë sa më i rregullt, për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe financiar”, premtoi ai.
Edhe monedha kombëtare, pesoja, është forcuar pak që nga mesi i qershorit. Por presidenti i sapozgjedhur ka bërë premtime të cilat, përpos faktit që janë shumë pozitive, mbartin edhe një kosto të madhe nëse do të zbatohen. Ai ka premtuar rritjen e çmimeve të naftës dhe energjisë elektrike në terma realë, subvencionimin e bujqësinë, të paguajë bursa për të rinjtë dhe të rrisë pensionet. Nëse të gjitha planet e tij të shpenzimeve do të zbatoheshin gjatë vitit të tij të parë të ardhjes në pushtet, ato do të rrisnin me 5.5 pikë përqindje të PBB-së në deficitin fiskal, thotë Carlos Serrano, kryeekonomisti i bankës, BBVA Bancomer. Z. López Obrador shpreson se reduktimi i dhënies së ryshfeteve do të paguajë shumicën e të gjithë atyre që ai dëshiron të realizojë.
Pastaj ekziston Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, e cila ka ndihmuar në industrializimin e Meksikës së Veriut dhe Qendrore. Dikur z. López Obrador e ka denoncuar këtë marrëveshje, por tani pretendon ta mbështesë atë. Ai dhe presidenti Donald Trump, i cili e ka cilësuar Meksikën “dashin për t’u bërë kurban” për krimin dhe prishjen e industrisë në Shtetet e Bashkuara, patën një telefonatë miqësore pas fitores së tij. Gjatë periudhës së tranzicionit, z. López Obrador kërkon që ekipi i tij të marrë pjesë në rinegocimin e NAFTA-s të kërkuar nga z. Trump, i cili është tashmë në proces.
Por, në qoftë se Presidenti proteksionist i Shteteve të Bashkuara vendos të prishë marrëveshjen, atëherë do të jetë e vështirë për z. López Obrador të luftojë për ta shpëtuar atë. E gjithë kjo fitore frymëzuese dhe entuziazëm që ekziston në mesin e meksikanëve ështënjëkohësisht edhe një tregues i përgjegjësisë së madhe që e pret këtë njeri sapo të marrë detyrën. Votuesit ia dhanë votën atij jo për shkak të programit që ai prezantoi, por për shkak të besimit që kanë tek ai si njeri. Ata janë të entuziazmuar më shumë nga simbolika e këtij Presidenti të ri sesa nga përmbajtja e programit politik. Por, duke filluar nga viti i ardhshëm, meksikanët do të kërkojnë rezultate nga Presidenti i tyre. Dhe ai e di mjaft mirë, ata nuk kanë frikë ta dënojnë dështimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.