Mes Tiranës, Durrësit, Romës e Parisit
Telekomunikacioni është fusha ku ka ndërtuar karrierën. Ka ecur me hapa të sigurt dhe tani drejton me sukses, një prej kompanive kryesore në tregun e shërbimit të kujdesit të klientëve, “call center”.
“Teleperformance Albania” është kompania që Diego Pisa e drejton që nga dita e parë e krijimit. Sot, pas rreth katër vitesh, numëron rreth 1,300 punonjës, në Tiranë dhe Durrës. Diego Pisa rrëfen për “Monitor”, një ditë tipike për të
Ai është pothuajse gjatë gjithë kohës në udhëtim, mes Tiranës, Durrësit, Romës e Parisit, ku ndodhen edhe zyrat kryesore të grupit “Teleperformance”.
Ndaj dhe ditët për të nuk janë njësoj, varen nga fakti se në cilin qytet bie zilja e zgjimit të mëngjesit. Por ka disa zakone që nuk ndryshojnë, pavarësisht pamjes që sheh jashtë dritares.
Zakonisht për të, dita fillon rreth orës 7:30. Kontakti i parë me botën nis me tabletin e tij. Me gotën me lëng portokalli të saposhtrydhur përpara, nis të informohet me lajmet online, me azhurnimin e rrjeteve sociale, si “Twitter”,
por edhe me postën elektronike. Komunikimet me kolegët në SHBA e Amerikën Latine kanë mbërritur gjatë natës për shkak të diferencës së orareve të punës.
Natyrisht që lëvizjet e shpeshta e mbajnë edhe më gjatë larg familjes, por falë teknologjisë së avancuar, kjo distancë nuk ndihet.
“Nëse nuk jam në Romë, telefonatën e parë e bëj me vajzën time, në të kundërt me dy drejtuesit operativë me të cilët diskutoj rezultatet financiare të ditës së kaluar,
por edhe me drejtuesin e financave me të cilin ndaj parashikimet për mbylljen e muajit”, thotë Diego Pisa, administrator i deleguar i “Teleperformance Albania”.
Pasi ka mbërritur në zyrë, orën e parë ia dedikon leximit të raporteve të detajuara, të çdo departamenti, ndaj takimet me kontaktet e jashtme përpiqet t’i zhvillojë gjithmonë pas orës 10:00.
Tek ai bie në sy fakti se është gjithmonë i programuar dhe zbaton një ditar të saktë. “Të jesh pjesë e një kompanie multinacionale ka shumë përparësi, por edhe shumë punë për të bërë.
Në axhendën time video-konferencat javore, takimet mujore dhe mbledhjet e bordit janë të përcaktuara deri në fund të vitit”. Megjithatë, nuk i ka shpëtuar huazimit të zakoneve shqiptare,
pasi takimet me sipërmarrësit shqiptarë i zhvillon jashtë ambienteve të zyrës. Me klientët, që janë të gjithë italianë, mbledhjet i zhvillon në zyrë, kjo pasi ndahen rezultate operative me ata që janë përgjegjës për aktivitetin.
Kompania që ai drejton operon në fushën e shërbimeve të kujdesit ndaj klientit (“call center”) ndaj dhe kontaktet me stafin e ngushtë dhe punonjësit janë tepër të shpeshta, madje ai i përkufizon të çdo minute.
“Për vetë natyrën e shërbimit që ofrojmë, ne duhet të garantojmë cilësi. Jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë drejtorët, për çdo problem që mund të shfaqet gjatë ditës”, thotë administratori i deleguar i “Teleperformance Albania”. E pikërisht,
jo vetëm për të garantuar mbarëvajtjen, por edhe për të rritur biznesin, në zyrën e tij nuk mungon asnjëherë një projekt i ri mbi të cilin duhet të reflektojë dhe të punojë.
Dita gjithmonë e zënë, me lëvizje sa nga njëri takim në tjetrin, deri- diku e privojnë nga zakoni i të ushqyerit si një italian i vërtetë, ndaj në pushimet e shkurtra i duhet të kënaqet me ndonjë “snack” të vogël.
Nga zyra, zakonisht del rreth orës 8:00 të mbrëmjes, por nuk largohet asnjëherë pa iu dërguar eprorëve listën e gjërave që duhet të përfundohen.
Pasi ka mbyllur derën, është gati të shkojë për të darkuar te një restorant i mirë, ku ka prenotuar më parë.
Ambicia ime…. duke qenë se jam CEO i një sipërmarrjeje që punësohen kryesisht të rinj, është ta bëj kompaninë një vend të këndshëm pune
Ju e gjeni frymëzimin….te sytë e të rinjve, në vendet në zhvillim si Shqipëria
Eksperienca ju ka mësuar se… të rinjtë janë investimi më i mirë që një vend mund të bëjë. Shqipëria ka shanse të mëdha dhe këtë mund ta kuptosh nëse hedh vështrimin në rrugë apo në rrjetet sociale.
Është e pamundur të mos mbetesh i mrekulluar.
“Teleperformance”
është kompani ndërkombëtare me qendër në Itali. Ofron shërbime në fushën e kujdesit ndaj klientit, si telefonata in-bound dhe out-bound, intervista e sondazhe në dobi të kërkimeve të tregut.
Është prezent në 49 shtete të ndryshme dhe në total numëron 120,000 të punësuar. Në Shqipëri operon që nga vitit 2008 dhe ka seli në Tiranë dhe Durrës. Ka të punësuar më shumë se 1,300 persona, kryesisht të rinj.