Ministria e Financave pranon se borxhin publik e ka të lartë, por shton se portofoli e bën më të lehtë menaxhimin, në raport me vendet e tjera. “Të ulësh borxhin tani, do të ishte e dëmshme”, thotë për “Monitor”, drejtori Xhentil Demiraj. Problem mbetet rritja ekonomike.
Kuvendi sapo ka miratuar planin e ri të masave sa i takon borxhit në buxhetin e 2012-s. Si paraqitet situata me stokun dhe shërbimet ndaj tij?
Sa i takon nivelit të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ne kemi vendosur ta mbajmë atë nën kufirin e 60 përqindëshit. Aktualisht, pra të dhënat deri në muajin nëntor tregojnë se niveli i borxhit është 59.3 për qind dhe parashikohet të arrijë në 59.4 për qind vitin e ardhshëm. Pra, këtu kemi një rritje nominale prej 8.3 përqindësh.
Duhet kuptuar që nuk ka ndryshim thelbësor në parametrat e borxhit vitin e fundit. Ajo që ka ndryshuar lidhet me sensibilizimin e opinionit publik, me faktorin rajonal apo ndërkombëtar, sa i takon menaxhimit të borxhit.
Në rastin tonë, borxhi publik konsiderohet i lartë në vlerë nominale krahasuar me vendet e rajonit apo në zhvillim, të ngjashëm me ne. Duke pasur parasysh dinamikën e borxhit, specifikat që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë e tij, aftësia e qëndrueshme e qeverisë për t´i shërbyer borxhit, kostoja dhe të tjerë faktorë që janë shumë të rëndësishëm për vlerësimin real të situatës, të portofolit, mendoj se Shqipëria ka aftësi më të mira se vendet e tjera të rajonit.
Më konkretisht, shërbimi i borxhit në raport me PBB-në, që është 3.6 për qind, regjistrohet pak më i lartë se në vitet e fundit, por më i ulët se mesatarja e viteve 2000-2006, e cila ishte mbi 4 për qind. Ka një rritje të vogël në raport me dy vitet e kaluara si rrjedhojë e shtrenjtimit të normave të interesit të borxhit të brendshëm në tregun vendas, por në përgjithësi është i qëndrueshëm, poshtë nivelit të 4 përqindëshit dhe është i shërbyeshëm, pasi është kryesisht në monedhë vendase.
Rreth 60 për qind e borxhit tonë është në monedhë vendase dhe 75 për qind e shërbimit ndaj borxhit është po në monedhë vendase, në lek. Pra është më e lehtë për ne, për qeverinë shqiptare që të vijojë shlyerjen e borxhit në mënyrë të qëndrueshme.
Viti 2009 i dha goditjen borxhit. Cilët ishin faktorët dhe a mund të shmangeshin?
Sa i takon kësaj pjese, dua të nënvizoj faktin se borxhi publik ka qenë gjithnjë brenda nivelit 55-60 për qind të PBB-së dhe nuk ka ndonjë përkeqësim specifik të viteve të fundit. Duke i marrë me radhë vitet, kemi: në vitin 2000 ishte 61 për qind, në 2002-shin u rrit në 63 për qind, në 2007-n u ul në 54 për qind, po aq ishte në 2008-n, kurse në vitin 2009 u regjistrua kërcimi sinjifikant, duke arritur në mbi 59 për qind, për të cilën dua të jap disa shpjegime.
Arsyet kryesore të rritjes së borxhit në vitin 2008-2009 nuk lidhen me thellimin e deficitit buxhetor (në 2008-n ishte i lartë, por u financua kryesisht nga të ardhurat e privatizimeve), por për arsye të rralla dhe jo të ndodhura në mënyrë të rregullt. Të tillë faktorë ishin kursi i këmbimit, rreth 2.3 për qind (stoku i borxhit), apo 0.4 për qind ndikim që i dedikohet pagesave për borxhin e vjetër komunist, të riskeduluara dhe të shlyera po atë vit, pra në 2009-n, dhe 1.6 për qind dha rivlerësimi i valutës (të gjitha në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto). Ne kemi pasur një marrëdhënie me Bankën e Shqipërisë për të bërë një rregullim kontabilizues në fund të vitit, ku ka pasur luhatje të monedhës, ku kontabilizonim një borxh të shtuar aq sa ishte diferenca e akumuluar në të gjithë vitin nga kursi i këmbimit fillestar (fillim viti) në raport me fundin e vitit (19 miliardë lekë).
Nëse i mbledhim të tre këta faktorë që kontribuuan atë vit në shtesën e raportit borxh/PBB, del 4.3 për qind ndikim, nga 4.6 për qind që ishte rritja në total e borxhit ndaj GDP-së në 2009-n. Duket qartë se rritja reale ishte vetëm 0.3 për qind.
Të gjitha këto elementë dëshmojnë se qeveria është treguar tejet e kujdesshme për të mos rritur në mënyrë galopante borxhin publik, duke e mbajtur stabël në rreth 59 për qind në tre vitet e fundit, pra nga 2009-a.
çfarë ndryshoi me planin për uljen e borxhit në 54%?
Duhet ta pranojmë se qeveria dhe plani në tërësi nuk është aq ambicioz si më parë, kur deklaroi uljen e borxhit në kuadrin makroekonomik afatmesëm, pasi konteksti ka ndryshuar. Në vlerë nominale qeveria nuk ka marrë më tepër borxh, madje ka marrë më pak nga sa parashikonte dy vjet më parë, por rritja ekonomike, ritmi i rritjes është ngadalësuar si pasojë e efekteve të krizës rajonale. Rrjedhimisht raporti me PBB-në nuk është ulur, për shkak se numëruesi është reduktuar. Pra, kemi rritje ekonomike që është ulur më tepër sesa vetë borxhi.
Si parashikohet rritja e borxhit në vitin 2012?
Stoku i borxhit publik në vitin 2008 parashikohet të arrijë në 825 miliardë lekë. Duhet të keni parasysh faktin se vendet e rajonit patën rritje të stokut gjatë periudhës së krizës me gati 20 për qind, kurse Shqipëria nuk shkoi më shumë se 4.5 për qind në raport me PBB.
Sa i takon shërbimit ndaj borxhit, në vlerë nominale arrin në rreth 49.6 miliardë lekë, nga të cilat 28.9 miliardë lekë apo 75 për qind e totalit është për shërbim të borxhit të brendshëm. Pra këto janë interesat që do të paguajmë.
A do të merrni hua vitin tjetër?
Për huanë e re, parashikohet të merren (deficiti buxhetor) 22.2 miliardë lekë, kryesisht për rrugën Tiranë-Elbasan dhe 18.9 miliardë lekë do të merren në tregun e brendshëm.
Kemi marrë disa borxhe, të cilat janë lëvruar në mënyrë paralele për disa projekte të rëndësishme, ku bie në sy projekti Tiranë-Elbasan, sepse është një konsumator i fuqishëm dhe bëhet fjalë për një kohë relativisht të shkurtër, prej dy vitesh. Kemi një seri projektesh që financohen nga bankat e zhvillimit, gati 65 të tilla, ku jo të gjitha janë rrugore, por në sektorë të tjerë të rëndësishëm, si për shkollat, energji, ujësjellës etj.
Në raportet e institucioneve financiare, si të Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, duket se situata paraqitet ndryshe me borxhin, apo me rritjen ekonomike. Ju keni bashkëpunim me to, pse nuk rakordoni dhe me vlerësimet?
Sigurisht që ne i marrim në konsideratë raportet apo rekomandimet e tyre, sikurse kemi edhe ne skenarët tanë të menaxhimit të borxhit publik dhe të rritjes ekonomike. Efekti i normave të interesit apo ndikimi i kursit të këmbimit janë pjesë e skenarëve tanë në menaxhimin e riskut.
Ne shpresojmë që të mos ketë zhvillime të tilla ku portofoli i borxhit, qoftë nga kostoja e brendshme, apo e jashtme të kenë rritje. Megjithatë, duhet të kemi parasysh faktin se borxhi i jashtëm është i kontraktuar në tërësi me norma fikse, me afate tepër të largëta, sa i takon borxhit të brendshëm nuk kemi pasur aktualisht tendenca të rritjes. Këtë vit ishte në nivele + dhe 1 për qind.
Problem për ne do të ishte përkeqësimi i klimës së kapitalit në tregjet e huaja, në rast se pjesa më e madhe e borxhit është marrë nga bankat tregtare.
A mund të ulet borxhi me kushtet aktuale të ekonomisë, duke pasur parasysh rekomandimet e FMN-së?
Ne i vlerësojmë rekomandimet me Fondin dhe kemi bashkëpunim të ngushtë me ta, por si menaxher i borxhit publik mendoj se nuk është momenti që të ulim borxhin publik. Është e pamundur, për shkak se rrezikojmë frenimin e rritjes ekonomike. Borxhin nuk mund ta ulësh në kohë krize, por në situata më të qeta ekonomike.
Të ulësh borxhin, sikurse kërkon FMN-ja, do të thotë të rrisësh taksat dhe të ulësh shpenzimet, që nuk është në politikën e qeverisë.
çfarë ndikimi i shkakton ekonomisë rritja e normës së eurobondit në 11 për qind, nga 7.5 për qind kur u emetua një vit më parë?
Kemi një rritje me 3.5 për qind, aq sa në fakt është indeksi mesatar i rritjes së bondeve në tregjet e rajonit. Pra, nuk ka arsye që lidhen me ekonominë e vendit, por kemi një efekt të shtrirë në të gjitha vendet me stad si i yni. Do të ishte shenjë e keqe në rast se qeveria do të pranonte të financohej sërish me eurobond.
Kjo do të thotë se nuk keni plan për një tjetër emetim?
Në këto kushte nuk do të ishte mirë të dilnim në treg.
Intervistoi: A.S
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.