Djalli vesh AMG
Linja sportive ishte e pranishme edhe më parë. Mjaftoi që reparti sportiv i Mercedes të fuste duart në këtë projekt për të nxjerrë në dritë një nga veturat kompakte më argëtuese dhe performuese në treg
Sinqerisht, punonjësit e AMG na pëlqejnë me të vërtetë shumë. Rrinë aty në Affalterbach, në parajsën e tyre të vogël që gjendet rreth 30 km larg Shtutgartit, e kur kompania mëmë Mercedes i jep për detyrë ndërtimin e një “lodre” të re, i futen punës dhe nxjerrin në dritë një makinë të paparë. Ata nuk duket sikur hasin ndonjë pengesë apo kufizim nga punonjësi i radhës i marketingut, i cili i thotë të mos ekzagjerojnë me ndonjë zgjidhje teknike apo nga ndonjë tjetër që i bllokon një ide që mund të duket disi e tepruar. Jo, teknikët e AMG kanë benzinë në vend të gjakut, e bëjnë punën siç u pëlqen atyre dhe në fund nxjerrin nga “furra” produkte që kanë karakter. Shembulli më i përshtatshëm është modeli i ri A 45 AMG. Kjo është një veturë gjakatare, që nuk të jep atë ndjesinë e mangësisë dhe atë shije të keqe në gojë, siç ndodh shpesh me disa vetura sportive; po flasim për ato të cilat ecin shpejt, por janë edhe të rehatshme, që kanë shumë kuaj fuqi, por që nuk e ndjen, sepse fuqia duhet të çlirohet në mënyrë të rrjedhshme; ato të cilat nëse dëshiron të dëgjosh “zërin” e motorit, duhet të shtypësh një buton dhe të dëgjosh zhurmën përmes një impianti audio brenda në kabinë. Jo, A 45 AMG është e sertë, të ngjesh pas sediljes, bën shumë zhurmë dhe i ndjek trajektoret si një tren. Doje një makinë sportive? Ja tek e ke!
Mbase A 45 është kaq e arrirë sepse atyre të AMG, për herë të parë në 45 vite histori (kjo është edhe arsyeja e emërtimit A 45…) i është dashur të punojnë në një model kaq të ndryshëm nga e zakonshmja dhe ishin veçanërisht të frymëzuar: një veturë e vogël, me rrota të para aktive, që ka vetëm 4 pistona, në vend të motorëve të zakonshëm me 8 ose 12. Dhe ndryshe nga ajo çka bënte AMG një dekadë më parë, domethënë modifikimi i motorit dhe diçka më shumë se kaq, me A Class – ashtu si edhe me motrën binjake CLA 45 AMG – kanë bërë një punë tëshkëlqyer, që ka prekur praktikisht gjithë makinën. Motori i mahnitshëm turbo prej 360 kf dhe 45,9 kgm, është pikërisht ajo çka pret nga reparti sportiv i Mercedes. Ajo që të lë pozitivisht të habitur është efikasiteti i përgjithshëm i veturës, sidomos nëse e krahason me atë të një A Class normale, që pavarësisht pamjes, nuk është aspak sportive kur tenton të bësh seriozisht. E nisim nga aseti, që jo vetëm është ngurtësuar dhe është më i ulët, por është riprojektuar në shumë pjesë përbërëse të tij: aksi i parë ka nyje të reja, aksi i dytë ka kushineta më të serta dhe strukturë mbështetëse të ngjitur me shasinë, si dhe një gjeometri më të përshtatshme për të përballuar tensionin e lartë. Sistemi i drejtimit është gjithashtu i ri, impianti i frenave është në lartësinë e performancave të makinës, kambio me dopio friksion përdor të njëjtën logjikë funksionimi si ai i SLS AMG, ndërsa traksioni integral 4Matic ka një karakter veçanërisht dinamik, duke mundësuar shtytje edhe në aksin e dytë, kur është e nevojshme.
E gjithë kjo sjell si rezultat një veturë kompakte sportive tërheqëse si pak të tjera, e aftë të ngacmojë tëapasionuarit edhe thjesht duke e parë të ndaluar, me stilin e saj dinamik që theksohet edhe më shumë nga paketa e modifikimeve AMG, por sidomos një veturë që të ngacmon ta ngasësh. Dhe e bukura është se emocionet fillojnë që në momentin kur rrotullohet çelësi. Në këtë makinë nuk duhet të çmendesh për të mësuar një mori me butona apo komanda, si në disa makina të kohëve të fundit. Të vetmet mundësi përzgjedhjeje janë ato të kambios (Comfort, Sport, Manuale) dhe të kontrollit të qëndrueshmërisë (On, Handling, Sport, Off). A 45 AMG të lë menjëherë të kuptosh se me ç’brumëështë gatuar, nëpërmjet një timbri buçitës, një fuqie po aq shpërthyese dhe një aseti të saktë, që ndihmohet nga një timon i ndjeshëm dhe i drejtpërdrejtë. Makina reagon mirë në aksin e pasmë gjatë ngadalësimit dhe është e pajisur edhe me traksion integral, që nëse përdoret mirë, ndihmon në mbylljen e trajektoreve në kthesa, dy faktorë jo pak të rëndësishëm në drejtimin sportiv.
Së fundi, ka edhe njëçmim që e bën veçanërisht tërheqëse. Varianti në fjalë kushton 44 mijë euro; një goditje e rëndë si për Audi (një S3 Sportback S tronic me 300 kf kushton 41.400 euro), ashtu edhe për BMW (M135i xDrive 5 dyer Steptronic me 320 kf kushton 47.600 euro), që përmomentin mund të përgjigjen vetëm me variantet e tyre sportive, por jo me variantet supersportive (respektivisht RS dhe M1).
Përshpejtim si në Drag
A 45 AMG është një makinë që i pëlqen të gjithëve, pa dallim. Mbërthen jo vetëm vëmendjen e të fiksuarve, por edhe të atyre që për makina nuk interesohen fare. Por kur marrin vesh se nën kofano ka plot 360 kf, të shohin shtrembër, dhe me të drejtë: po, sepse faktikisht është një fuqi e jashtëzakonshme për një makinë me këto përmasa. E përveçse ka shumë fuqi, kjo shkarkohet në tokë në një mënyrë që na pëlqen me të vërtetë shumë. Jo si tek motorët e rinj turbobenzinë, tepër të mërzitshëm pasi s’kanë kurrfarë luhatje fuqie, por pak a shumë si në kohët e vjetra: një vonesë e lehtë në përgjigje (fundja, me një turbinë kaq të madhe…), që ndiqet nga një shtytje e atillë, që të ngjesh pas sediljes kur turbina TwinScroll punon me ngarkesë të plotë, me një presion prej 1,8 bar. Që të kuptohemi, jo se në regjime të ulëta nuk ka shtytje: me 45,9 kgm që në 2.250 rpm, jemi në nivelet e motorëve V8, por spektakli i vërtetë fillon në zonën e sipërme të xhiromatësit, aty ku është tipike për njëveturë sportive. Ndër të tjera, progresioni motorik në regjime të mesme/larta mund t’ju zërë të papërgatitur nëse jeni duke përdorur kambion manual, pasi me vesh dhe duke ndjekur ndjesitë, nuk duket sikur ka mbërritur momenti i duhur për të ndërruar, për shkak se motori me 4 pistona M133 shtyn ende fort, por ndërkohë akrepi ka arritur zonën e kuqe. Në të gjithë këtë luan një rol vetë kambio, që me të vërtetëështë i thatë dhe i shpejtë, por mbase jo aq reaktiv ndaj komandave të gishtave. Në sensin që, nga momenti që tërheq levat nën timon deri në momentin e ndërrimit efektiv të raportit, kalojnë disa milisekonda, të mjaftueshme që të arrini në zonën e kuqe të xhiromatësit, ose në zbritje marshi, të mos shfrytëzoni në maksimum frenin e motorit; gjithsesi mjafton të paraprish veprimet dhe loja mbaroi. Kjo është e vetmja vërejtje që ndjejmë se duhet të themi në lidhje me kambion me dopio friksion me shtatë marshe, qëështë edhe një nga protagonistët që mundëson argëtimin tek A 45 AMG. Çdo ndërrimi i korrespondon një shpërthim që vjen nga marmitat (tek vetura në provë ishte montuar impianti AMG Performance), që zbukurojnë edhe më shumë një timbër të egër dhe të plotë nëçdo regjim pune. Këtë do ta vënë re së pari pasagjerët që ulen prapa, që do të dëgjojnë nga disa centimetra larg kokës këto “fishekzjarre”, përveç se do të ndjejnë çdo gur përgjatë asfaltit, duke parë edhe ngurtësinë e asetit, veçanërisht në aksin e dytë. Dhe tani dy fjalë mbi mënyrën se si përkthehen në rrugë këto 360 kf. Matëm një përshpejtim nga 0-100 km/h më të mirë nga ai i premtuar: me një kohë prej 4″51, A 45 AMG lë prapa gjithë konkurrentët e të njëjtit lloj, nga Audi TT RS tek BMW 1M Coupé. Edhe në shpejtësi maksimale i mban prapa, pasi në ekzemplarin në provë ishte i pranishëm opsioni AMG Driver’s Package, që për diçka më shumë se 2 mijë euro, ju ofron një kurs pilotimi në shkollën zyrtare AMG dhe e zhvendos kufirin maksimal nga 250 në 270 km/h.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.