Tani, nuk përbën më lajm fakti që Premier League, edhe gjatë merkatos së verës 2017, ka thyer edhe një herë rekordin e shpenzimeve të përgjithshme. Madje, kjo gjë është pranuar si diçka normale.
Shpenzimet e klubeve të Premiership në ditën e mbylljes së merkatos arritën në 210 milionë sterlina krahasuar me 155 milionë euro vitin e kaluar.
Shpenzimet totale ishin 1,4 miliardë sterlina, afërsisht 1,6 miliardë euro.
Në ditën e fundit bien në sy blerjet e klubit të Chelsea: mbrojtësi Davide Zappacosta nga Torino (25 milionë sterlina), si dhe mesfushori Danny Drinkwater nga Leicester (35 milionë sterlina).
Në anën tjetër nuk u arrit transferimi i Thomas Lemar nga Monaco tek Arsenali dhe për pasojë u mbyll dhe rruga e Sanchez te Manchester City.
Siç shpjegon Deloitte Sports Businnes, shpenzimet gjatë merkatos verore të klubeve të Premier League në krahasim me të ardhurat e parashikuara për sezonin 2017-18 janë 31 për qind.
Shpenzimet neto ishin 665 milionë sterlina, 20 milionë sterlina më pak krahasuar me një vit më parë (685 milionë sterlina).
Me fjalë të tjera, klubet e Premier League kanë shpenzuar më shumë, por kanë shitur edhe pak më mirë.
Sipas Deloitte Sports Businnes, “rekordin e transferimit e mban një klub europian (PSG me Neymar), ndërsa klubet e Premier League zotërojnë një fuqi blerëse të pakrahasueshme”.