Ousmane Dembélé është zyrtarisht futbollist i Barcelonës. Më në fund përfundon me sukses një nga telenovelat e kësaj merkatoje verore. Francezi i lindur në 1997-n ka firmosur sot paradite kontratën me blaugranat. Ish-futbollisti i Borussia Dortmund u prezantua në Camp Nou në praninë e shumë tifozëve.
Barcelona pagoi 105 milionë euro për talentin francez, teksa parashikohen dhe disa bonuse që do të çojnë në 150 milionë euro shpenzimin total të katalanasve. Dembélé firmosi një kontratë 5-vjeçare, në të cilën është vendosur dhe një klauzolë 400 milionë euro për shitjen e mundshme të lojtarit.
Francezi do të veshë fanellën me numër 11, të lënë të lirë nga Neymar. Barcelona nuk pritet të ndalet me kaq, teksa në këto pak ditë të mbetura deri në mbylljen e merkatos së verës do të vazhdojë këmbënguljen për afrimin në skuadër të brazilianit Coutinho.
Ndërkohë Borussia Dortmund nuk humb kohë dhe gjen menjëherë zëvendësuesin e 20-vjeçarit francez. Sot, klubi verdhezi ka firmosur me ukrainasin Andrey Yarmolenko, 27 vjeç nga Dinamo Kiev për rreth 25 milionë euro. Yarmolenko ka nënshkruar deri në vitin 2021 dhe do të mbajë veshur fanellën me numër 9.