Vitet e fundit, në merkaton e futbollit janë rritur ndjeshëm investimet nga ana e klubeve, gjithnjë në kërkim të talenteve më të mira për të arritur rezultatet e shpresuara sportive.
CIES Football Observatory, duke marrë për bazë të dhënat nga viti 2010 deri më 2018, ka analizuar tregun e transferimeve në pesë kampionatet më të mëdhenj në Europë: Premier League, La Liga, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1.
Për herë të parë nga viti 2012, shumat që lidhen me transferimet e paguara nga klubet në këto pesë kampionate janë të ulëta se ato të vitit të kaluar. Në vitin 2018 është regjistruar një rënie me 2,4% të shpenzimeve krahasuar me 2017: 5,82 kundrejt 5,96 miliardë euro. Rritja e investimeve gjatë merkatos së dimrit 2018 nuk ka vijuar në merkaton e verës. Megjithatë, gjatë gjithë vitit, shumat e investuara ishin dukshëm më të larta se ato në vitin 2016: +1,59 miliardë + 37,6%).
Më shumë se 37% e shpenzimeve vijnë nga Premier League
Gjatë kësaj periudhe, klubet e Premier League kanë shpenzuar 37,4% të totalit të matur në pesë kampionate. Nga viti 2010, klubet angleze kanë shpenzuar 1,6 herë më shumë se klubet italiane, 2,1 herë më shumë se ato spanjolle, 2,8 herë më shumë se klubet gjermane dhe 3,1 herë më shumë se klubet franceze. Në vitin 2018, dy kampionate kanë vendosur një rekord të ri shpenzimesh: Premier League dhe La Liga. Në rastin e parë rritja ka qenë mjaft e limituar (+2,1%). Në kampionatin spanjoll, krahasuar me vitin 2017, rritja ka qenë e ndjeshme (+ 80,4%).
Manchester City, klubi që ka investuar më shumë
Sa u përket klubeve, klasifikimi i atyre që kanë investuar më shumë në transferime që nga viti 2010, nxjerr në pah, më mënyrë të qartë, fuqinë financiare të pak skuadrave. Në podium gjejmë Manchester City, Chelsea dhe Barcelona. Katër skuadra të tjera kanë shpenzuar më shumë se 1 miliard euro në harkun e tetë viteve të marrë në analizë. Ndër klubet e mëdha, vetëm Real Madrid (912 milionë euro) dhe Bayern München (554 mln euro) kanë shpenzuar nën këtë prag.
Analiza tregon se pjesa më e madhe e parave mbeten brenda këtyre kampionateve. 66% e totalit shpenzohet për lojtarë që janë tashmë të afirmuar në pesë kampionatet më të mëdha. Monako është në krye të klasifikimit të skuadrave që kanë përfituar më shumë nga shitjet, gjatë periudhës 2010 – 2018. Klubi ka fituar thuajse 1 miliard euro në tetë vjet.
Merkato nga viti 2010 – 2018, bilanc negativ prej më shumë se 7 mld eurosh
Nga viti 2010 deri më 2018, klubet e këtyre pesë kampionateve kanë regjistruar një deficit prej 7,29 miliardë eurosh. Vetëm Premier League është përgjegjëse për 78,3% të kësaj shume. Pavarësisht investimeve të konsiderueshme nga ana e Paris St-Germain, Ligue 1 është kampionati i vetëm me një bilanc pozitiv (+ 199 milionë euro).
Klasifikimi i skuadrave me bilancin më pozitiv në merkaton e transferimeve gjatë 2010 – 2018 nxjerr në pah, në mënyrë të qartë, edhe një herë Monakon +289 milionë euro. Manchester City (-1,03 miliardë euro) e Paris St-Germain (-874 milionë euro) spikasin ndër skuadrat me bilancin më negativ për transaksionet e transferimit gjatë 2010 – 2018.