Kancelarja gjermane Angela Merkel u zotua të arrijë një bazë të përbashkët me presidentin francez Emmanuel Macron mbi një plan të gjerë reformash të Bashkimit Evropian, duke anashkaluar koklavitjen e marrëdhënieve në koalicionin e saj mbi forcimin e zonës së euros, për t’u përqëndruar në fusha të tjera të politikave.
“Janë reforma që duhet të funksionojnë që Europa të përparojë, përtej çështjeve të bashkimit ekonomik dhe të monedhës”, u tha Merkel gazetarëve të martën në Berlin. Çështjet përfshijnë një sistem të përbashkët azili, një politikë të jashtme koherente të BE dhe iniciativa të përbashkëta të sigurisë, të gjitha kolona të barabarta të të njëjtit projekt: një Europë e fortë, e lidhur me vlerat”, tha ajo, shkruan Bloomberg.
Komentet publike të Merkel e lejuan të shkonte tek Macron, duke e vendosur veten mbi koalicionin që grindet rreth fushës së rishikimit në zonën e euros. Prapa dyerve të mbyllura, megjithatë, ajo u rreshtua me bllokun e saj të udhëhequr nga Bashkimi Kristian Demokratik, i cili kërkon të ankorojë masa të tilla si përfundimi i bashkimit bankar me miratimin e Bundestagut.
Merkel më vonë u tha ligjvënësve nga grupi i saj se rishikimi i ESM-së në eurozonë dhe kthimi i saj në një formë të Fondit Monetar Evropian, do të kërkonte ndryshime në traktate, d.m.th çdo shtet anëtar duhet ta ratifikonte atë. Kjo tërhoqi duartrokitje nga takimi, sipas një zyrtari të partisë që ishte i pranishëm, raporton Bloomberg.
Ky hezitim për të shpejtuar reformën i ka zemëruar partnerët e koalicionit social-demokrat të CDU / CSU dhe kërcënon të përhapet të enjten kur Merkel do të presë presidentin francez në Berlin. Të dy udhëheqësit kanë thënë se do të dorëzojnë një grup të përbashkët propozimesh të reformës së BE, deri në qershor.