Kina vijon me zhvillime të reja në botën e futbollit. Përveçse vazhdojnë të blejnë futbollistë për China Super League duke baraspeshuar vlerën me klubet më të njohura në Europë, autoritetet kineze kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje me vende të kontinentit të vjetër. Disa ditë më parë, qeveria kineze nënshkroi një marrëveshje me Gjermaninë: në tryezën e bisedimeve ishte zëvendëskryeministrja kineze, Liu Yandong, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Kjo marrëveshje vjen pas disa takimeve të Merkel dhe presidentit Xi Jinping, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ligës Gjermane.
Marrëveshja do të zgjasë pesë vjet dhe parashikon një bashkëpunim ndërkombëtar në nivel qeverie dhe një seri marrëveshjesh të tjera midis Deutscher Fußball-Bund (DFB) dhe Deutsche Fußball Liga (DFL) nga një anë, dhe Ministrisë kineze të Arsimit dhe Federatës kineze të Futbollit nga ana tjetër. Në komunikatë thuhet se qëllimi i marrëveshjes është synimi për të vijuar shkëmbimin e ideve dhe përvojave mes dy vendeve.
Rritja e futbollit kinez është një ndër arsyet që ka shtyrë të dy delegacionet që të nënshkruajnë marrëveshjen. Siç thuhet në komunikatën zyrtare, këto marrëveshje synojnë të mbështesin futbollin kinez.
Xi Jinping është shumë i pasionuar pas futbollit dhe prej një viti i ka dhënë jetë planit për të rritur popullaritetin e këtij sporti në Kinë. Shembulli konkret për këtë është zgjedhja e Marcello Lippi si trajneri i ri i kombëtares kineze.
Më parë, grupet e rëndësishme industriale kineze si Wanda e Suning morën drejtimin e disa prej klubeve më të rëndësishme në Europë, si për shembull Inter (nga Suning).
Pikërisht Xi, në dhjetor të vitit 2015, u fotografua me David Cameron, atëherë kryeministri i Britanisë në qendrën sportive të Manchester City (13% e aksioneve të klubit u përkasin kinezëve) dhe është pikërisht Xi Jinping që do ta bëjë Kinën një fuqi botërore në futboll, që aspiron për të fituar Kupën e Botës në vitin 2030.