Në qoftë se Europa do të jetë e qëndrueshme në kërkesat e saj, do ta detyrojë Kinën të ripërqendrohet në Europë jo vetëm si një nga tregjet e saj ndërkombëtare kyç, por gjithashtu si një negociator kompetent dhe një nga ruajtësit e sistemit ndërkombëtar
Kina ka evoluar nga një vend në zhvillim që e ka munduar tranzicioni nga socializmi, në një vend të pasur dhe të fortë, i mbrojtur nga statusi i saj si një ekonomi në zhvillim, që qëndron mbi ujë me një forcë punëtore ultrakonkurruese dhe një investim fizik tejet të madh. Tashmë, është vërtetuar se Kina është më e fuqishme se sa ishte, por nuk njihet shkalla në të cilën zgjidhjet e saj politike ndikojnë çdo çështje globale dhe çdo rajon rreth e rrotull botës (me fjalë të tjera, shkallën në të cilën Kina është bërë një problem global për botën).
Natyrisht, kjo kërkon një përgjigje globale, një politikë që merr në konsideratë rolin e Kinës në çështjet globale dhe në rajone të ndryshme rreth e rrotull botës dhe që rrit vëmendjen e vendeve të Europës Juglindore, veçanërisht, vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të punuar së bashku me SHBA, BE dhe të tjerë.
Sipas analistëve të politikës së jashtme, një politikë e tillë globale e Kinës do t’i shtojë kërkesat mbi politikën e jashtme të Europës në krahasim me rrugëzgjidhjen e “angazhimit të pakushtëzuar” që Europa ka ndjekur deri tani. Veçanërisht, do t’i kërkojë Europës të përmirësojë bashkërendimin e marrëdhënieve të saj ekzistuese në kuadër të mundësive të reja që ofron Traktati i Lisbonës.
Hapi i parë është konsideruar krijimi i procesit të politikëbërjes dhe instrumenteve që do t’ia bënin të mundur Europës të përgatisë një politikë më tërheqëse dhe më të qëndrueshme drejt Kinës; hapi i dytë konsiderohet identifikimi i qëllimeve të politikës dhe marrëveshjeve të perceptuara që mund të puthiten në mënyrë realiste me Kinën në disa çështje parësore, rrugëzgjidhje kjo që, pa dyshim, do të testohet nga Kina.
Në qoftë se Europa do të jetë e qëndrueshme në kërkesat e saj, do ta detyrojë Kinën të ripërqendrohet në Europë jo vetëm si një nga tregjet e saj ndërkombëtare kyç, por gjithashtu si një negociator kompetent dhe një nga ruajtësit e sistemit ndërkombëtar.
Interesi kinez për Shqipërinë
Kina i kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit ekonomik dhe tregtisë me Shqipërinë, duke u ofruar lehtësi kompanive shqiptare për të bërë biznes në Kinë. Qeveria kineze u jep mbështetje të veçantë tatimore, doganore, hua dhe sigurime të gjithë projekteve për investime të rëndësishme në Shqipëri. Kina ka dërguar delegacione biznesi të nivelit të lartë për të studiuar tregun shqiptar.
Nga mbështetja, kryesisht në import dhe eksport, marrëdhëniet ekonomike dypalëshe të Kinës me rajonin e Europës Juglindore priren të zgjerohen në lidhje me tregtinë, investimin dhe bashkëpunimin prodhues. Integrimi i rajonit në BE për Kinën paraqet një potencial shumë të madh. Analistët e politikës së jashtme vënë në dukje se pjesa më e madhe e vendimeve kyç në Kinë janë marrë nga aktorë të brendshëm të panjohur për të huajt, veçanërisht, nga Ushtria Popullore Kineze, kompanitë e mëdha shtetërore dhe Partia Komuniste; njohja e këtyre aktorëve është parakusht për të pasur një politikë të jashtme efektive drejt Kinës.
Kina, konkurrente e SHBA?!
“A kërcënohet pozicioni i Amerikës në botë me rritjen e ekonomisë dhe shtrirjen e arritjeve politike të Kinës dhe Indisë?”. Kjo është pyetja që bëjnë analistë të ndryshëm në mbarë botën, me qëllim që të marrin një përgjigje të qartë në lidhje me të ardhmen e ekonomisë botërore pas krizës së fundit financiare dhe ekonomike globale, pasi shumë prej tyre mendojnë se vërtet Kina dhe India po ngrihen, por kjo nuk do të thotë se Amerika do të humbë kontrollin e çështjeve botërore me të cilat ajo tashmë është kaq e familjarizuar; Amerika ende po vuan nga një rënie relative, por megjithatë, mbetet vendi i parë, sepse di si të përgatisë dhe ndërmjetësojë marrëdhëniet e vendeve të tjera në mënyrën e Bismarkut dhe të pushojë të përpiqet të diktojë në mënyrën e George W. Bush, ose madje edhe në mënyrën e Bill Clinton-it.
Ngritja e Kinës, pa dyshim, është një nga dramat e mëdha të shekullit 21–të; rritja ekonomike e jashtëzakonshme e Kinës dhe diplomacia aktive (e vënë në dyshim nga rënia e ritmeve këto vitet e fundit) tashmë e ka transformuar Azinë Lindore dhe dekadat e ardhshme madje parashikohet të shohin rritje më të mëdha të fuqisë dhe influencës së Kinës. Por, në mënyrë të saktë, se si do të luhet kjo dramë është një çështje e hapur.
A do ta përmbysë Kina rendin ekzistues, apo do të bëhet pjesë e tij? Dhe çfarë do të bëjnë SHBA për të ruajtur pozicionin kur Kina po ngrihet?
Disa vëzhgues kanë menduar se koha e Amerikës po perëndon, për arsye se rendi botëror i bazuar te Perëndimi mund të zëvendësohet nga një që gjithnjë e më shumë mund të dominohet nga Lindja; historiani i Universitetit të Harvardit, skocezi Niall Ferguson, ka komentuar se shekulli i përgjakshëm i 20–të dëshmoi “zbritjen e Perëndimit” dhe “një riorientim të botës” drejt Lindjes.
Realistët vazhdojnë të vënë në dukje se ashtu sikundër Kina bëhet më e fuqishme dhe pozicioni i SHBA-së erodohet, dy gjëra këto që ai mendon se ka të ngjarë të ndodhin: Kina do të përpiqet të përdorë influencën e saj të rritur për të rimodeluar rregullat dhe institucionet e sistemit ndërkombëtar (siç është vënë re në përpjekjet e saj në G 20, FMN dhe Bankën Botërore), për t’i shërbyer më mirë interesave të saj dhe shtetet e tjera në sistem do të fillojnë ta shohin Kinën si një kërcënim në rritje në lidhje me sigurinë.
Rezultati i këtyre zhvillimeve, parashikojnë ata, do të jetë tensioni, mosbesimi dhe konflikti, tipare tipike të tranzicionit të pushtetit. Në këtë pikëpamje, drama e ngritjes së Kinës do të ketë tiparet e një Kine që ngrihet dhe SHBA-së në rënie, mbyllur në një betejë epike mbi rregullat dhe lidershipin e sistemit ndërkombëtar.
Dhe ashtu sikundër vendi më i madh i botës shfaqet jo nga brenda, por nga jashtë rendit ndërkombëtar të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, është një dramë që do të marrë fund me një ngjitje të madhe të Kinës dhe mësymjen e rendit botëror me qendër në Azi.
Analistë të tjerë, ndër ata i njohuri Fareed Zakaria, mendojnë se që nga koha e rënies së Bashkimit Sovjetik, njerëzit kanë vërtetuar se bota ka hyrë në një periudhë të re, e cila karakterizohet nga nivele më të ulëta të sherrit politik ndërmjet fuqive të mëdha, tregjeve të lira, tregtisë së lirë dhe revolucionit të informacionit; natyrisht, me një fjalë të vetme: “globalizimit”. Dhe hamendja është se ashtu sikundër globalizimi rritet, përbërësit individualë të tortës do të rriten në forcë gjithashtu. Forcat e tregut do të bëhen më të forta, teknologjia do të bëhet më bindëse, duke iu dhënë individëve autonomi më të madhe dhe konflikti politik ndërmjet fuqive të mëdha do të bëhet më i kushtueshëm; diçka argëtuese ndodhi në rrugën për një ekonomi të hapur globale – ngritja e tregut global ka çuar në ngritjen e pasurisë të kombeve të mëdha dhe, si përgjigje, kjo gjë ka çuar në një ngritje të rëndësisë dhe fuqisë së qeverive të këtyre vendeve.
Ndërsa 20 vjet përpara, lista e kompanive të mëdha në botë dominohej nga firmat private, tani dominohet nga entitetet me pronë shtetërore në shumë nga tregjet e vendeve në zhvillim; për shembull, kompanitë shtetërore kineze, tani jo vetëm që dominojnë ekonominë kineze (nga 100 kompani, 99 janë shtetërore), por gjithashtu luajnë rol gjithnjë e në rritje në panoramën globale për arsye se ato luajnë me rregulla të ndryshme dhe kanë qëllime të ndryshme nga ato të kompanive private në Perëndim.