Mes natyrales dhe organikes

03/07/2018 3:02 PM 0 komente

Një tendencë e re po zhvillohet mes shqiptarëve, “dashuria” për organiken dhe natyralen. Në konceptimin se çfarë produktesh janë vërtet organike dhe çfarë natyrale ka ende mjegull. Numri i operatorëve në proces apo të certifikuar si organikë në Shqipëri është në rritje vit pas viti, ndërsa 1/4 e prodhimit shkon për eksport. Shqiptarët “mburren” jashtë me bimët e tyre aromatike, ndërkohë në tregun shqiptar hapet i pari supermarket me produkte 100% bio…

 

Nga Deada Hyka

 

Nuk është e vështirë të dëgjosh fjalën ‘bio’ në mesin e shqiptarëve, që përpiqen që të konsumojnë sa më shumë produkte natyrale, por që nuk janë të sigurt vërtet për origjinën e tyre. Duhet pasur parasysh se bio, pra natyralja, nuk do të thotë organike. Janë dy gjëra të ndryshme. Standardet e aplikuara në bujqësi, veçanërisht standardet eko dhe organike, janë një tërësi rregullash dhe specifikimesh, të cilat përcaktojnë kushtet e sakta për prodhimin, përpunimin, transportin, certifikimin dhe kontrollin e produkteve bujqësore.

Një produkt nuk është organik, vetëm për shkak se atë e keni blerë tek një fermer që përpiqet t’ju sigurojë se janë kultivuar në oborrin e shtëpisë së tij dhe janë “të freskëta”. Specifikat mbi vendndodhjen e fermës apo kopshtit, me tokën ku këto produkte janë rritur, çfarë është përdorur për të plehëruar tokën, a është kjo tokë e ndotur me mbetje apo të ngjashme dhe në çfarë “mënyre këto produkte janë transportuar deri në vendin e shitjes” janë tejet të rëndësishme për të përcaktuar se çfarë është vërtet organike.

 

Prodhimi Organik në Shqipëri

Moti i ngrohtë dhe klima e favorshme e bëjnë Shqipërinë një burim ideal të prodhimit organik, duke i shtuar kësaj edhe një tokë pjellore. Për të konkurruar denjësisht në një treg ndërkombëtar, ku fuqia blerëse është e informuar dhe e orientuar drejt cilësisë, fermerëve shqiptarë do t’u duhet të marrin masat e duhura për të përmbushur pritshmëritë dhe kërkesat, duke certifikuar produktet e tyre. Certifikimi ka disa kritere që duhen përmbushur.

Sipas informacioneve të marra nga Ministria e Bujqësisë, të dhënat paraprake të 2017-s tregojnë se numri total i operatorëve në sistem kontrolli për certifikim është 64. Nga këta, 43 janë operatorë të bimëve aromatike (të egra dhe të kultivuara). Burime nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se numri i operatorëve ndryshon ndër vite, sepse mund të hiqen ose pezullohen nga sistemi nëse shkelin kriteret e kualifikimit. Në vitin 2016 ishin 51, nga 59 operatorë në 2015.

Sipas të dhënave të MBZHR, vitin e kaluar, sipërfaqja e mbjellë e certifikuar si organike, ishte rreth 380 hektarë, ndërsa si sasi e prodhuar e kulturave organike ishin mbi 5 mijë tonë. E krahasuar me një vit më parë, pra më 2016-n, prodhimi ishte me rritje me rreth 15%. Të dhënat tregojnë se sipërfaqja më e madhe e mbjellë, si dhe sasia e prodhuar ka qenë në vitin 2015. Në 2016, pati një përgjysmim të prodhimit, i cili përkon edhe me vitin që disa operatorë tregu u pezulluan nga certifikimi i konsideruar organik për mospërmbushje kriteresh.

Sa u përket kulturave, dominojnë operatorët me bimë aromatike, me rreth 58 % ndaj totalit në 2016 (të dhënat e fundit të plota, 2017 ende paraprake!), ndjekur më pas me gështenjat dhe ullinj, erëza, vreshta, vaj ulliri dhe mjaltë etj.

Nga 5223 tonë të prodhuara si produkte organike në 2017, vetëm 1395 tonë janë dërguar për eksport. Prodhimi i dërguar për eksport është rritur në dy vitet e fundit, me rreth 25% dhe kulturat që eksportohen më shumë janë bimët aromatike, erëzat, vaji i ullirit etj. Italia kryeson në vitin 2016 në listën e shteteve ku eksportojmë, me rreth 56% (sipas peshës në ton), ndjekur nga Gjermania me 25%, Spanja e Belgjika me 11%.

 

 

Kërkesë më e lartë nga konsumatorët

Shqiptarët pëlqejnë ushqimet organike. Ndërsa thuajse të gjithë supermarketet në Shqipëri ofrojnë një kënd për ushqimet bio, një muaj më parë u hap një supermarket i tëri me ushqime organike. Juri Kadiu, drejtuesi i tij, thotë për “Monitor” se duke marrë shkas nga përvoja jashtë vendit dhe duke parë trendin në rritje të konsumit të produkteve organike, vendosi që rreth dy muaj më parë të hapë edhe në Shqipëri një supermarket me produkte bio.

“Mendoj se ishte e nevojshme, kishte ardhur koha që shqiptarët të hynin në një supermarket dhe të kishin garancinë që çdo produkt në të, ka siglën bio dhe organike. Ne importojmë nga Holanda, Italia, Franca, Gjermania, etj. Janë produkte që kanë zgjuar interes te klientët dhe kemi pasur xhiro që muajin e parë.

Vërtet janë më të shtrenjta se sa produktet në supermarkete të tjera, megjithatë ka edhe oferta të mira. Kostoja për prodhimin e këtyre produkteve është dukshëm më e lartë, por duhet marrë në konsideratë se sa të shëndetshme janë. Për momentin është e rëndësishme që po krijohet një kulturë e re, e konsumimit të këtyre produkteve. Mendoj, se ky trend do të zgjerohet më tepër në të ardhmen”, – tha z. Kadiu.

 

Produkte organike vs. bio?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ushqimet organike janë prodhuar tradicionalisht dhe në mënyrë të qëndrueshme, pa përdorur produkte kimike ose dhe duke mos pësuar modifikime gjenetikisht. Për pjesën më të madhe të njerëzve, këto produkte respektojnë mjedisin dhe janë më natyrale kur konsumohen.

Ndërsa ushqimi bio është ai që kujdeset për mjedisin, por respekton procesin gjenetik natyror të specieve, ciklet e tyre riprodhuese dhe biodiversitetin. Është më e vështirë të gjesh produkte bio se sa produkte organike, pasi prodhimi i tyre është më i shtrenjtë, gjë që ndikon në kërkesën dhe çmimin përfundimtar. Për shembull: gjysmë kilogram makarona gruri jo të ndryshuar gjenetikisht mund të kushtojë një euro më shumë se një makaron me grurë të paspecifikuar si bio në çdo supermarket.

 

Aplikimet për “bio”

Në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural u regjistruan 49 aplikime për subvencion për zhvillimin e fermave Bio, sipas shifrave të bëra publike për gjysmën e parë të këtij viti. Aplikantët janë nga i gjithë vendi dhe kryesisht kanë në plan të kultivojnë prodhime organike si fruta, perime dhe bulmet me përparësi varietetet vendase. Sipas listës së publikuar nga AZHBR, aplikantët përfaqësojnë dhe bizneset e agroturizmit, të cilët kanë kombinuar zhvillimin e bujqësisë organike me shërbimet e turizmit.

Nga 49 aplikime, 25 prej tyre janë shpallur fitues dhe do të mbështeten me subvencione. Sipas kritereve që qeveria ka miratuar për subvencionet në bujqësinë organike, bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1,000 000 lekë.

Për makineri, pajisje të tjera për prodhimin e produkteve tradicionale, merret mbështetje deri në 50% të vlerës së blerjes së pajisjeve, jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt. Mbështetja për marketingun (përfshirë linjat e ambalazhimit/paketimit) e produkteve tradicionale të zonës është sa 70% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 700 000 lekë për subjekt. Mbështetja për modernizimin e staneve mbulon deri në 80% të vlerës së investimit, jo më shumë se 200 000 lekë për subjekt.

Ngritja e inkubatorëve të prodhimeve tradicionale mbështetet me grant deri në 70% të vlerës së investimit, jo më shumë se 15 000 000 lekë për subjekt. Ministria e Bujqësisë, tre vite më parë, duke vlerësuar fizibilitetin e investimeve në bujqësi, përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm dhe vlerësoi se fermat bujqësore nuk ishin fitimprurëse nëse nuk kishin më shumë se 20 hektarë. Fermat e mëdha të kafshëve prodhojnë produkte me kosto të lartë, për shkak se nuk mbështeten me zinxhirin ushqimor.

Copëzimi i madh i tokës, ku sipërfaqja mesatare e një ferme nuk është 1.03 hektarë, problemet e pronësisë, mekanizimi i dobët i kanë bërë bizneset e sektorët të vuajnë nga produktiviteti i ulët, teksa agroturizmi po shihet si shpresëdhënës për riorientimin e investimeve në sektor.

 

AZHBR/ Mbështetje për certifikimin dhe sigurimin e produkteve

-Mbështeten me 50% të vlerës për implementimin dhe certifikimin Global GAP, jo më shumë 175 000 lekë për secilën nga masat 1-12, si dhe për lakrën, lulelakrën dhe brokolin për sipërfaqe të mbjellë, por jo më pak se 1 hektar.

-Mbështetje me 50% të vlerës për certifikimin e standardeve IFS, BRC dhe/ose FS në stabilimentet e përpunimit të prodhimeve të detit, por jo më shumë se 325 000 lekë për standard për produkt;

-Mbështetje për certifikimin e fermave organike, për periudhën në kalim, vitin e parë në vlerën 100,000 (njëqindmijë) lekë, në vitin e dytë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200,000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar;

-Mbështetje me 50% të vlerës për implementimin dhe certifikimin për standardin ISO 22000:2005 për operatorët e biznesit ushqimor, por jo më shumë se 120 000 lekë;
– Mbështetje me 50% të vlerës për primin vjetor të siguracionit të prodhimeve bujqësore, por primi të mos kalojë vlerën 4% të totalit të aseteve të siguruara.
– NIPT i Fermerit dhe përditësimi i të dhënave të NIPT-it janë kusht i domosdoshëm për të aplikuar

 Ligji

Ligji “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, i miratuar në vitin 2016, ka të bëjë me vendosjen e një sistemi menaxhimi të qëndrueshëm të bujqësisë. Etiketat e produkteve bio do të shoqërohen me emërtimin “bio”, “biologjik” ose “eko”.
Ndërsa, për produktet e përpunuara, kushti që të konsiderohen biologjike është që të paktën 95% e peshës së përbërësve të tij me prejardhje bujqësore të jenë biologjikë. Gjithashtu përcakton edhe përmbajtjen që duhet të ketë etiketimi i një produkti bio, në të duhet të cilësohet qartë se kemi të bëjmë me “bujqësi shqiptare”, kur lënda e parë bujqësore është kultivuar në Shqipëri dhe me “Bujqësi joshqiptare”, kur lënda e parë bujqësore është kultivuar në vende të tjera.

 

 

Ligji:

Përcakton produktet dhe substancat që lejohen të përdoren në prodhimin biologjik;

– Përcakton metodat që duhet të përdoren në bujqësinë biologjike dhe në përpunimin e ushqimit biologjik;

– Ndalon përdorimin e organizmave të modifikuar gjenetikisht (OMGJ-të) dhe produkteve të prodhuara me apo nga OMGJ-të në bujqësinë biologjike apo në përpunimin e produkteve biologjike;

– Përcakton rregullat e përgjithshme dhe të veçanta për etiketimin e produkteve biologjike, si dhe logon kombëtare;

– Përcakton sistemin e kontrollit për prodhimin biologjik dhe përcakton autoritetet përgjegjëse për kontrollin në çdo hallkë të prodhimit biologjik, si dhe rregullat e veçanta për kryerjen e kontrollit biologjik;

– Ngre sistemin e informacionit për prodhimin biologjik;

– Siguron përshtatshmërinë për zbatimin e rregullave të prodhimit, sipas kushteve lokale klimatike ose gjeografike, praktikave specifike të mbarështimit dhe fazave të zhvillimit;

– Përcakton rregullat për importin e produkteve biologjike nga vendet e tjera.

 

Fqinjët e dashuruar pas organikes

Ushqimi organik mbetet dinamik në Itali. Shitjet me pakicë të tij vazhdojnë të lulëzojnë, teksa gjithmonë e më shumë konsumatorë italianë janë të gatshëm të paguajnë ekstra për ushqim me cilësi të mirë. Prandaj, ushqimi organik në Itali është në lulëzim, duke shënuar rritje dyshifrore në vlerë. Gjatë 2010-2015, ushqimi organik u përball me rritje të shitjeve në një CAGR (norma e përbërë e rritjes vjetore) prej 12.3%, norma e dytë më e lartë e rritjes në Europën Perëndimore, pas Turqisë, shkruan EuroMonitor.

Po pse italianët kanë filluar të tregojnë një oreks të tillë për produktet organike? Parashikimi për tregun e ushqimit organik në Itali duket optimist. Teksa tregjet e hapura ushqimore po bëhen gjithmonë e më popullorë, industria e ushqimeve të paketuara pritet të përgjigjet shpejt, me më shumë ushqime të paketuara organike në dispozicion të dyqaneve moderne me pakicë.

Qumështi organik dhe ushqimet e thata organike të fëmijëve janë parashikuar të jenë protagonistët e rinj, ndërsa mjalti organik do të vazhdojë të regjistrojë rritje dyshifrore. Për sa i përket qumështit, 2015-a u përball me fundin e kuotave të qumështit, një masë e përdorur nga BE-ja për ta vënë nën kontroll rritjen e prodhimit të qumështit. Kjo i ka hapur derën qumështit me origjinë nga vendet e tjera nën kufizime më pak të rrepta të prodhimit dhe konsumatorët kanë më shumë gjasa për të zgjedhur qumësht organik, teksa ai konsiderohet si një opsion më i sigurt, sidomos në Itali ku kapaciteti i prodhimit të qumështit është i lartë.

Sa u përket ushqimeve të thata të fëmijëve, prindërit duket se kanë filluar të besojnë më shumë te produktet organike për pasardhësit e tyre, me perceptimin se ato janë më të shëndetshme. Për më tepër, kur vjen fjala për shpërndarje, zinxhirët e ushqimit organik si NaturaSi dhe CuoreBio, ku që të dy i përkasin Ecor NaturaSi SpA, po fitojnë terren, dhe deri në fund të vitit 2015, të dy pritet të kenë zhvilluar një rrjet të gjerë, me 458 dyqane mes tyre në mbarë vendin.

Konsumatorët e shohin të përshtatshme të vizitojnë këto dyqane, teksa është më e lehtë të identifikosh produkte organike sesa në supermarkete Ecor NaturaSi, që ka parë një rritje prej 67% në të ardhurat që kur nisi veprimtarinë në 2009-n dhe planifikon të zgjerohet, pavarësisht konkurrencës së fortë të supermarketeve të mëdhenj.

 

Ushqimi organik në Europë

Ushqimi në shtetet anëtare të BE-së mund të përmbajë vetëm fjalët “bio”, “biologjike” ose “organike” nëse ndiqen rregulla specifike në prodhimin e saj dhe nëse prodhuesi është certifikuar nga autoritetet përkatëse. Këtu janë disa nga rregullat kryesore për ushqimet organike në BE:

a. Asnjë përdorim i pesticideve sintetike ose plehrave në prodhim nuk lejohet, vetëm një listë e vogël e pesticideve natyrore dhe plehrave kimike.

b. Fermerët duhet të përdorin ushqim organik që nuk përmbajnë substanca që promovojnë artificialisht rritjen.

c. Blegtoria duhet të lindë dhe të ngrihet në një fermë organike, të ketë hapësirë të mjaftueshme të banimit dhe numri i përgjithshëm i kafshëve duhet të jetë i kufizuar, kështu që nuk ka mbidërgim ose erozion të tokës (më shumë informacion: rregullimi mbi bagëtinë)

d. Organizmat e modifikuar gjenetikisht janë të ndaluara (prania e rastësishme e OMGJ-ve me një maksimum 0.9% të produktit lejohet).

e. Të paktën 95% e përbërësve të një produkti duhet të përmbushin standardet për të qenë organike.

f. Prodhuesi i ushqimit duhet të jetë i certifikuar nga agjencia kombëtare që është përgjegjëse për procesin e auditimit dhe certifikimit.

g. Produktet nga gjuetia apo peshkimi i kafshëve të egra nuk kualifikohen si organike.

 

Edhe kozmetika

Italia është djep i modës dhe estetikës. Për këtë arsye i kushton rëndësi të lartë prodhimit, shpërndarjes dhe përdorimit të produkteve kozmetike, sidomos vitet e fundit fokusi ka qenë të kozmetika bio. Edhe pse me vonesë, edhe në Shqipëri, me kalimin e kohës, shumica e femrave mësuan se çfarë është silikoni, parabeni apo kimikatet e ndryshme që përbëjnë kremrat apo produktet kozmetike dhe ndikimin e tyre në lëkurë.

Kur ndodhesh përballë bukurisë dhe efekteve anësore, je gjithnjë në kërkim të një zgjidhjeje alternative. Dhe kush më mirë se kozmetika BIO e zgjidh këtë problem? Edhe pse produktet BIO kanë çmime më të larta dhe nuk janë të përballueshme për të gjithë, një pjesë e mirë e tyre ia lejojnë vetes përdorimin e tyre. Anta Haxhiraj nuk e mendonte se linja e saj e produkteve bio kozmetike do të kishte sukses, kur nisi të prodhonte kremrat e parë, bazuar në njohuritë e saj si dermatologe.

Aq më pak nuk e mendonte se blogu i saj cocomed.al do të ishte burim frymëzimi dhe që do t’u përcillte lexueseve femra njohuri për kozmetikën bio. Anta, pas dy viteve, tregon se tashmë konceptimi i ‘bios’ ka ndryshuar, femrat shqiptare janë ndërgjegjësuar, e përveç produkteve të prodhuara vetë, në dyqanin e saj ka sjellë dy marka të njohura organike, PuroBIO Cosmetics dhe Biofficina Toscana. Produktet e certifikuara 100% natyrale, tregtohen në disa dyqane e farmaci të Tiranës dhe qyteteve të tjera.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of