Mes sfidave dhe mundësive

02/07/2014 2:29 PM 0 komente

Mbledhja vjetore e EFSE-së në Jerevan vendos fokusin në financimin e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla. Rajoni kthen sytë nga financimi i bujqësisë…

Nga Ornela Liperi

Europa në zhvillim ka kaluar disa herë recesion gjatë viteve të fundit, veçanërisht për vendet e Ballkanit ka qenë një periudhë e vështirë. “Rritja në Europën Juglindore ishte vetëm 1.5% në vitin 2013, ndërkohë që niveli i kredive me probleme ka arritur në 15.6%”, theksoi Monica Beck, kreu i Bordit të Drejtuesve të Fondit Europian për Europën Juglindore (EFSE) gjatë mbledhjes vjetore të Fondit, që u zhvillua së fundmi në Jerevan të Armenisë dhe mblodhi më shumë se 200 ekspertë nga sektori financiar në Europën Juglindore dhe Rajonin Fqinj të Europës Lindore.

Sfidat përpara janë të shumta. Teksa rimëkëmbja ka filluar, ajo shfaqet e brishtë, me papunësinë e lartë që kërcënon stabilitetin politik dhe social dhe kreditë e larta me probleme që rrezikojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar.

Megjithatë, mundësitë janë në horizont. “Pjesa më e madhe e institucioneve financiare gjatë viteve të kaluara kanë ulur nivelet e tyre të borxheve dhe kanë rritur kapitalet (deleveraging) dhe tani janë në një pozicion të përshtatshëm për të rifilluar kreditimin”, tha Beck.

Në këtë situatë, shtoi ajo, një partner i mirë financimi është i domosdoshëm. Nga ana tjetër, ndërmarrjet e mesme dhe të vogla janë një element kyç për zhvillimin e Europës Juglindore dhe një burim i rëndësishëm i krijimit të vendeve të punës. Por, këto ndërmarrje shpesh kanë mungesë aksesi në financë, ndaj dhe mikrofinanca ka marrë një rëndësi të veçantë gjatë viteve të fundit.

EFSE është një prej fondeve më të mëdha të mikrofinancës në botë. Volumi total i kredive të disbursuara në vitin 2013 për institucionet financiare vendase në dobi të ndërmarrjeve mikro dhe të vogla (NMV-të) u rrit në një rekord të ri prej 211,3 milionë eurosh të disbursuara për 71 institucione partnere huadhënëse të EFSE-së. Këto disbursime shërbyen për të rifinancuar 121 422 nënkredi të reja për ndërmarrjet mikro dhe të vogla, si dhe për familjet me të ardhura të ulëta për rikonstruksion të shtëpive. Nga ana e financimeve, investimet e reja rritën kapitalin e disponueshëm në 962 milionë euro, 66% e të cilave nga investitorë privatë.

Edhe Mekanizmi i Zhvillimit i EFSE-së, i cili vepron paralelisht me Fondin në ofrimin e asistencës teknike për institucionet e tij partnere, kryesisht për përmirësimin e aksesit cilësor për ndërmarrjet mikro dhe të vogla, si dhe për organet e sektorit, ka përparuar në mënyrë të konsiderueshme me 65 projekte nën menaxhim, me një total prej 3,7 milionë eurosh vetëm në vitin 2013.

Vëmendja te bujqësia

Nën sloganin “16 vende … dhe mundësitë për zhvillimin e ndërmarrjeve”, ekspertë nga 16 vendet e synuara të Fondit dhe profesionistë nga sektori financiar i zhvillimit global diskutuan në konferencë lidhur me zhvillimet më të fundit të industrisë, duke u fokusuar në veçanti në financimin e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla, në menaxhimin e riskut dhe huadhënien bujqësore.

Sidomos bujqësia po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e financuesve. “Bujqësia nuk ka qenë asnjëherë kaq e rëndësishme për ekonominë në botë”, tha Monica Beck, kreu i Bordit të Drejtuesve të EFSE gjatë prezantimit të aktivitetit të fondit. Por ky sektor është i nënpërfaqësuar në kreditë e bankave, megjithëse ka potencial të madh. Gjithsesi, ai po tërheq së fundmi interesin e institucioneve financiare, ndërsa dhe tendenca e kreditimit është në rritje.

Por, shumë institucione që marrin financime nga EFSE rrinë larg bujqësisë, për disa arsye, shpjegoi Beck. Së pari, ka një asimetri të madhe informacioni, teksa ky sektor nuk njihet shumë. Së dyti, ai kërkon një staf specifik të specializuar. Së treti perceptohet me rrezik të lartë dhe së katërti ka një infrastrukturë jo shumë të zhvilluar për zinxhirin agroushqimor.

Duke pasur parasysh rëndësinë e sektorit bujqësor lidhur me kontributin në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe krijimin e vendeve të punës, EFSE është përqendruar veçanërisht në promovimin e huas për bujqësinë, të kombinuar me asistencën teknike. Në fund të vitit 2013, linjat e kreditit të specializuara për bujqësinë përfaqësonin 14% të portofolit total të investimeve.

Gjithashtu, Mbledhja Vjetore ofroi mundësinë për prezantimin e studimit “Angazhimi me ndërmarrjet e vogla: Introspektiva të reja në nevojat financiare të grupit të synuar të EFSE-së”. Studimi i zhvilluar në Armeni, Serbi dhe Rumani, synonte të identifikonte boshllëqet në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve financiare për NMV-të, si dhe t’u propozonte zgjidhje Fondit dhe institucioneve partnere huadhënëse për mbylljen e këtyre boshllëqeve. Një prej konstatimeve kryesore që konfirmon nevojën për financim të dedikuar për NMV-të ishte se ndërmarrjet e vogla, në veçanti në sektorin prodhues dhe bujqësor, kanë nevojë për shërbime financiare të përshtatura për rrethanat e tyre specifike dhe kërkojnë transmetim më efikas dhe shpesh edhe kushte më elastike sesa ofrohen aktualisht.

Rreth Fondit Europian për Europën Juglindore (EFSE)

Fondi Europian për Europën Juglindore (EFSE) u themelua nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) me mbështetjen financiare të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe të Komisionit Europian. Ai synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në Shqipëri, Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Bosnjë e Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Kosovë, Gjeorgji, Moldavi, Malin e Zi, Rumani, Serbi, Ukrainë dhe Turqi. Duke qenë se aksesi në burime financiare është një faktor kyç suksesi në zhvillimin e segmenteve të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, EFSE-ja fokusohet në ofrimin e ndihmës për sektorët financiarë vendas për forcimin e mundësive të tyre për të siguruar financime të mjaftueshme dhe të qëndrueshme. Financimet që siguron EFSE-ja si financim afatgjatë, kryesisht për ndërmarrjet mikro dhe të vogla (NMV-të), por edhe për familjet në formë kredie për rikonstruksionin e shtëpive, kanalizohen drejt këtyre klientëve të kredisë përmes institucioneve partnere huadhënëse vendase. Në mbështetje të aktiviteteve të investimit të EFSE-së është Mekanizmi i Zhvillimit i EFSE-së, i cili u siguron institucioneve partnere huadhënëse asistencë teknike, shërbime konsultimi dhe trajnimi për të ndërtuar kapacitetet operacionale dhe menaxhimin profesional.

E themeluar nga Banka për Zhvillim KfW) më 15 dhjetor 2005 nga katër programe me shumë donatorë nën menaxhimin e saj, EFSE-ja është partneriteti i parë publiko-privat i këtij lloji dhe fondi i parë me menaxhim privat në financën e zhvillimit që shfrytëzoi fondet private për financimin e NMV-ve në rajonin e synuar. Kapitali sigurohet nga agjenci donatore, institucione financiare ndërkombëtare dhe investitorë privatë institucionalë, përfshirë Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Komisionin Europian (KE), qeverinë e Shqipërisë, Mbështetjen e Kreditit për Biznesin e Vogël dhe të Mesëm (SMBCS), një filial i Bankës Qendrore të Armenisë, Bankën për Zhvillim të Austrisë (Oesterreichische Entwicklungsbank – OeEB), Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Agjencinë Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (Danida), KfW si investitorin kryesor, Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), Kompaninë Holandeze të Financës (FMO), Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankën Europiane të Investimeve (BEI), Sal. Oppenheim dhe Deutsche Bank.

Oppenheim Asset Management Services S.à r.l., Luksemburg dhe Finance in Motion GmbH, Gjermani, janë përkatësisht Menaxhuesi i Fondit dhe Këshilluesi i Fondit i EFSE-së

Shqipëria, financuese direkte, por përfituese e pakët

Ndonëse Shqipëria është një ndër dy shtetet, së bashku me Armeninë, ku qeveritë janë financuese direkte të Fondit Europian për Europën Juglindore (EFSE), vendi ynë zinte vetëm 4.2% të stokut të portofolit të investimeve të EFSE në fund të vitit 2013. E pyetur nga “Monitor” për këtë peshë të ulët të tërheqjes së fondeve, Sylvia Wisniwski, drejtore menaxhuese e Finance in Motion, tha se kjo peshë e ulët është e lidhur së pari me kërkesën e institucioneve financiare dhe bankave në Shqipëri për të tërhequr fondet e EFSE. “Në Shqipëri, vendi ka kaluar një periudhë sfiduese. Ka kërkesë të ulët për kredi dhe kjo është reflektuar dhe në këtë tregues”.

Ajo shtoi se EFSE ka punuar sidomos me jo-bankat për të nxitur kredinë në bujqësi, pasi ky sektor është i rëndësishëm për vendin.

Monica Beck shtoi se “kemi mësuar nga kriza që të jemi të kujdesshëm dhe duke parë situatën, kemi vlerësuar se nuk do të ishte e përgjegjshme të injektonim likuiditet”. Por ajo shtoi se investimi i qeverisë shqiptare është afatgjatë dhe “ne do të angazhohemi që të shtojmë investimet”.

Zj. Wisniwski shtoi se së fundi është nënshkruar një marrëveshje mes institucionit financiar shqiptar, NOA dhe EFSE për një transh kredie prej 2 milionë eurosh.

Në Shqipëri, institucionet partnere të EFSE janë:

-Bankat tregtare: Banka Kombëtare Tregtare; Banka Kombëtare Tregtare, Dega e Kosovës; Credins Bank sh. a.

-Institucione mikrofinanciare: NOA sh.a.

-Banka të mikrofinancës: ProCredit Bank sh.a.

Serbia është shteti që ka peshën më të madhe në portofolin e investimeve të EFSE, me 24.2% të totalit, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 12.3%.

monitor 636.indd

Në fund të vitit 2013, Stoku i portofolit të investimeve të EFSE arriti në 826 milionë euro.

EFSE në shifra, 2013

-961.8 milionë euro në angazhime kapitali

-826.2 milionë euro stoku i investimeve

-71 institucione huadhënëse partnere

-volum kumulativ prej 3.3 miliardë eurosh në nënhua dhënë ndërmarrjeve mikro e të vogla dhe konsumatorëve që nga krijimi i EFSE në 2005

-472,490 hua dhënë ndërmarrjeve dhe individëve të ndërmjetësuara që nga krijimi i EFSE në 2005-n

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of