Flet Suela Shtylla, Administratore e McCann Tirana
Suela Shtylla, administratore e agjencisë së marketingut dhe komunikimit McCann Tirana, është e mendimit se nëse fushatat e mëparshme, të paktën i mëshonin një slogani, qoftë ky në tejngopje, ndoshta vend e pavend, por që arrinte deri-diku të përcillte një frymë e disa ide, në këtë fushatë ka një apati deri në mosrespektim ndaj inteligjencës së njerëzve.
Partitë ofrojnë për zgjedhësit një produkt politik, si po marketohet nga partitë politike?
Mund të them se kemi të bëjmë me një marketing të vakët. Mungojnë mesazhet e qarta, ose edhe nuk ka fare. Deri-diku ka premtime që nuk apelojnë ose perceptohen si astronomike. Nuk ka platforma të mirëfillta të përkthyera në potenciale reale, madje nuk ka një faturë apo bilanc financiar se çfarë do të ndodhë me qeverisjen e ardhshme.
Si e shikoni fushatën zgjedhore të këtij viti në këndvështrimin e marketingut?
Edhe pse është pak shpejt për të arritur në një përfundim, perceptimi im është që forcat kryesore partiake mendojnë se e dinë rezultatin paraprakisht. Ato synojnë manovra në treg për rekrutimin e votuesve më shumë sesa për të fituar ndërgjegjen e tyre me apelimin e një produkti politik që e marketojnë përmes metodave të ndryshme të komunikimit.
Çfarë strategjish komunikimi po përdorin partitë politike për të përçuar mesazhet e tyre elektorale?
Mesazhet janë pothuajse guerile, anemike, pa esencë. Nuk ka një bërthamë që minimalisht duhet të ketë dy – tre propozime të cilat më pas të komunikohen qartë dhe profesionalisht.
Unë mendoj se vështirë se mund të gjeni qytetarë që e dinë se cilat janë programet e partitive politike në këtë fushatë. Kjo është diagnoza aktuale që mund të bëhet për atë sesi po marketohet ky produkt.
Cilat janë dallimet kryesore në nivel marketingu dhe komunikimi krahasuar me fushatat e mëparshme për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare?
Nëse fushatat e mëparshme, të paktën i mëshonin një slogani, qoftë ky në tejngopje, ndoshta vend e pavend, por që arrinte deri-diku të përcillte një fryme e disa ide, në këtë fushatë ka një apati deri në mosrespektim ndaj inteligjencës së njerëzve. Ndoshta besojnë se tifozëria e zgjedhësve është e mjaftueshme.
Sa rëndësi i kushtojnë partitë politike marketingut në mediat sociale?
Vëmendja është, por jo edhe aq mjaftueshëm. Mediat sociale janë instrumente që po dite si t’i përdorësh dhe sidomos t’i kalibrosh janë shumë efektive dhe mund të bëjnë diferencën.
A ka elemente të ngjashme të stilit të marketingut e komunikimit me ato të realizuara në SHBA apo Britaninë e Madhe, si dy modele që po merren më shumë në konsideratë?
Po janë kopjuar aty këtu elemente. Por, siç ndodh edhe në rastin e një transplantimi, edhe nëse veshka është e mirë nuk mund të funksionojë nëse trupi nuk është i shëndetshëm dhe nëse nuk ka përputhje.
A kemi të bëjmë me një fushatë luksoze apo me më shumë tipare populiste?
Unë mendoj se, në këtë rast, nuk është asnjëra prej tyre. Në opinionin tim, këto fushata ngjajnë më shumë me ‘mbledhje në grup’, diçka që duhet bërë, por pa arritur dot të bëjë diferencën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.