“Metamorfoza” e Portit të Limionit, Concord Investments: Plani ynë për 25 milionë euro investime

14/06/2018 11:00 PM 0 komente

Shqipëria kërkon kaq shumë të kthehet në një destinacion elitar turizmi dhe pjesë e këtij kontingjenti janë edhe ata që brigjet duan t’i prekin përmes komoditetit të jahtit të tyre.

Bëhet fjalë për atë grup individësh që nuk e kanë problem të shpenzojnë shumë në një hark kohor të shkurtër. Por sot që flasim, Shqipëria nuk ka porte të dedikuara për jahtet përgjatë vijës bregdetare që për hir të së vërtetës nuk është e vogël, me përjashtim të Portit të Jahteve në Orikum.

Saranda pritet që këtë vit ta ketë një port të tillë për jahtet dhe jo vetëm. Përmes procedurës së konkurrimit dhe dhënies me qira 1 euro për një afat 20-vjeçar, Concord Investment pritet të kthejë Portin e Limionit në një destinacion atraktiv. Të pyetur nga “Monitor” për interesin e shprehur deri më tani nga agjencitë turistike të huaja, vetëm pak javë nga nënshkrimi i kontratës me qeverinë, përfaqësues të kompanisë thanë se ka rritje të interesit.

“Ne sapo kemi nënshkruar kontratën ndaj ende jemi në fazat e para të investimit të parashikuar në këtë Port. Sipas planit të biznesit, në dy fazat e para më të afërta do të investojmë rreth 3.8 milionë euro për pjesën më emengjente që ka nevojë kthimi i Portit të Limionit në standard. Sot ankorimi në këtë port bëhet mbi goma makinash, shërbimet e nevojshme nga pastrimi tek zjarrfikësja as nuk ekzistonin, nuk ka një kordon që shërben për pastrimin e mbetjeve të naftës. Ka inerte dhe plehra gjithandej dhe këto janë pjesa ku ne do të ndërhyjmë në afatshkurtër. Në afatgjatë investimi ynë mund të shkojë në 25 milionë euro.

Në raport me qershorin e vitit të kaluar ka një rritje të kontraktimit të shërbimeve me të paktën dyfish krahasuar me qershorin 2017. Për tetorin, pritet që kjo të trefishohet edhe pse situata duket më optimiste sesa parashikimi fillestar i kompanisë. Porti synon të kthehet në një pikë reference për mirëmbajtjen, riparimet, shërbimet ekstra dhe atë të emergjencës SOS në det” konfirmuan përfaqësues të Concord.

Lidhur me një ankesë të kompanive të karburantit për aplikimin e një tarife 0.06 euro për litër, Concord Investment argumenton se deri më dje që porti ishte nën menaxhim shtetëror, ofronte vetëm shërbime minimale jashtë standardeve, nuk vilte tarifa dhe bilancet i ka me humbje. Investimet për përmirësimin e kushteve dhe standardeve do të kërkojnë koston e tyre, të cilën kompania që ka marrë kontratën e qirasë, do të detyrohet ta përballojë pikërisht me tarifat e shërbimit që do të arkëtojë nga palët e ndryshme të interesit ku bëjnë pjesë edhe kompanitë e karburanteve.

“Nuk mendojmë që turistët do të braktisin Shqipërinë për tarifën 0.06 euro/litri mbi karburantet. Kemi studiuar gjithë portet në rajon për të parë situatën dhe për të vendosur tarifa që ishin konkurruese në raport me të tjerët, por edhe që na siguronin zbatim të suksesshëm të planit të biznesit. Nga krahasimi që kemi bërë, na rezulton që jemi me tarifa relativisht ekonomike dhe më konkurruese”, konfirmojnë përfaqësues të Concord Investment.

Porti i Limionit i kaloi përmes një procedure standarde konkurrimi kompanisë Concord Investment për një afat 20-vjeçar qiraje kundrejt vlerës simbolike 1 euro. Investimi sipas planit të biznesit është menduar në dy faza, ku e para përfundon në 2019 dhe e dyta në fund të 2021.

Qëllimi i kontratës përfshin ngritjen e një kantieri me kushte ndërtimore-teknologjike bashkëkohore, përmirësimin e infrastrukturës së portit, shërbim mirëmbajtjeje, dekonstruksion të mjeteve detare lundruese, me qëllim rritjen e standardeve të cilësisë së shërbimeve dhe mirëmbajtjen e mjeteve lundruese.

Gjendja në Portin e Limionit, Foto 1

Gjendja në Portin e Limionit, Foto 2

Porti i Limionit, Sarandë

Porti i Limionit, Sarandë

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz