Ministria e Financave bën të ditur treguesit e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NJMLF) sa i përket mbikëqyrjes dhe kontrollit të veprimtarisë, pajisjeve dhe subjekteve, të cilat ushtrojnë aktivitet në tregun e lojërave të fatit, për 8-mujorin e vitit 2015,
Nga ana e NJMLF-së kanë dalë dhe janë zbatuar 248 urdhëra shërbimi për ushtrimin e kontrolleve dhe marrjen e masave ligjore, penalizime me gjobë ose konfiskim të pajisjeve të padeklaruara apo të pacertifikuara. Eshtë ushtruar kontroll në 2987 subjekte me aktivitet lojëra fati, janë konfiskuar 824 mjete të lojërave të fatit apo pajisje që shërbejnë për mbarëvajtjen e aktivitetit të lojërave të fatit, për shkeljet e legjislacionit në fuqi për lojërat e fatit.
Gjatë 8-mujorit të vitit 2015 janë marrë gjithsej masa administrative (gjoba) në vlerën 27.5 milionë lek, ndaj subjekteve të licensuara të lojërave të fatit, por gjithashtu edhe ndaj subjekteve tregtare, të cilat kanë organizuar lojra promocionale në kundërshtim me legjslacionin në fuqi, si dhe është marrë masa shtrënguese me heqje leje ushtrimi aktiviteti për 4 (katër) shoqëri. Eshtë marrë masa shtrënguese me pezullimin e aktivitetit për një periudhë 30 (tridhjetë) ditore për 8 subjekte, si dhe janë bllokuar llogaritë e 3 subjekteve të tjera, për mos shlyerjen e detyrimeve ndaj NjMLF-së.
MF deklaron se është marrë masa e zhbllokimit të fondeve të garancisë, ndaj 23 subjekteve, të cilave u është hequr leja e ushtrimit të aktivitetit ose u ka përfunduar afati i lejes së ushtrimit të aktivitetit, sidhe kalimin e tij në favor të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për detyrimet e mbartura nga ana e këtyre subjekteve ndaj NjMLF-së.
Në këtë periudhë, janë ç`ngurtësuar dhe arkëtuar në llogarinë e NjMLF-së nga fondet e garancisë, prej 33,8 milionë lekë, si dhe në llogarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve vlera prej 16,7 milionë lekë.
Të ardhurat e derdhura në total në llogarinë e NJMLF-së gjatë periudhës janar – gusht 2015 kanë një vlerë prej 144, 5 milionë lekë, thuhet në njoftimin e MF, e përbërë nga 0.5 për qind e xhiros, gjoba dhe kamatëvonesa. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, arkëtimet nga 05 për qind e xhiros janë rritur me 54 për qind më shumë ose rreth 57 milionë lekë, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2015 ardhurat nga 05 për qind e xhiros kanë një vlerë prej rreth 88 milionë lekë.
Edhe pse numri i subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e lojërave të fatit, në krahasim me vitin 2014 është pothuajse i njëjtë, kemi një rritje të arkëtimeve, pohon MF.
Më poshtë, arkëtimet nga 05% e xhiros për 8-mujorët e viteve 2014 dhe 2015:
Detyrimet e subjekteve ndaj NJMLF-së për 05 për qind të xhiros, për periudhën 2009-2015 kanë një vlerë prej 21.7 milionë lekë. Kjo i përket kryesisht viteve të kaluara 2009-2013 në vlerën 18.1 milionë lekë dhe vetëm 3.6 milionë i përket viteve 2014-2015.
Gjatë periudhës janar – gusht 2015 vlera e gjobave të aplikuara ndaj subjekteve të lojërave të fatit ka një vlerë prej 27.5 milionë lekë. Gjatë periudhës janar – gusht 2015 janë arkëtuar në total nga gjobat 37.5 milionë lekë, nga 26.5 milionë lekë të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se gjatë vitit 2015 ka një rritje në arkëtim në vlerën prej 11 milionë lekë më shumë. (Më poshtë paraqiten grafikisht arkëtimet nga gjobat për 8-mujorët e viteve 2014 dhe 2015.)
MF sqaron në fund, se gjatë periudhës janar – gusht 2015 janë arkëtuar 14.3 milionë lekë për kamatëvonesat e aplikuara ndaj subjekteve të lojërave të fatit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, (ku këto arkëtime kapnin vlerën prej 2.7 milion lekë) arkëtimet nga kamatëvonesat janë 5-fishuar. Në muajin shtator jane kryer 102 kontrolle, janë vendosur 1 gjobë dhe 10 konfiskime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.