Ministria e Financave ka shpallur procesin e përzgjedhjes së inspektorëve financiarë publikë, ekspertë të jashtëm, punonjës të administratës publike apo jashtë saj, të cilët do të angazhohen në kryerjen e inspektimit financiar publik.
Urdhri nr 23, datë 11.02.2016 “Për procedurat e përzgjedhjes dhe të shpërblimit të ekspertëve të jashtëm, punonjës të administratës publike apo jashtë saj, të cilët do të angazhohen në kryerjen e inspektimit financiar publik” është firmosur sot nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani, ndërsa MF bën thirrje për aplikim të gjithë individëve që plotësojnë kushtet.
“Ministria e Financave bën me dije se për t’u përzgjedhur inspektorë financiarë publikë janë të ftuar të marrin pjesë ekspertë të fushave dhe profesioneve të ndryshme (jurist, inxhinier, ekonomist, etj), punonjës të administratës publike apo jashtë saj, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në vendimin nr.84, datë 03.02.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e përzgjedhjes dhe të shpërblimit të ekspertëve të jashtëm, punonjës të administratës publike apo jashtë saj, të cilët do të angazhohen në kryerjen e inspektimit financiar publik””- thuhet në njoftimin e ministrisë.
Procesi, sipas arsyetimit të MF, synon shtimin e kapaciteteve inspektuese, duke ruajtur integritetin, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin e trupës inspektuese, me qëllim intensifikimin e lufës kundër keqmenaxhimit financiar, mashtrimit, vjedhjes, shkatërrimit të pronës, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit.
Bëhet e ditur se afati i aplikimit të kandidatëve për t`u përzgjedhur në listën e inspektorëve financiarë publikë është deri më datë 20 mars 2016. Dokumentacioni nga aplikantet do të dorëzohet në protokollin e Ministrisë së Financave, nëpërmjet rrugës postare apo dorazi.
Fusha e veprimtarisë që angazhon inspektorët financiarë publikë, shtrihet në të gjitha njësitë publike, shoqëritë tregtare, në të cilën një njësi publike zotëron apo kontrollon një pjesë të aksioneve, e cila i jep të drejtën e kontrollit, si dhe çdo person fizik apo juridik, vetëm për fondet që përfiton nga Buxheti i Shtetit, Bashkimi Evropian apo fondet në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, ku përfitues është shteti shqiptar.
Qëllimi i angazhimit është përcaktimi i shkeljeve të akteve normative dhe zbardhja e dyshimeve për mashtrimet e kryera, zbulimi i parregullsive dhe dëmeve të shkaktuara në pronën publike, identifikimi i individëve përgjegjës për shkeljet e kryera dhe kërkimi i marrjes së masave zhdëmtuese, administrative, disiplinore apo kallëzimi në prokurori për kryerjen veprave penale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.