Projekti për “Mbështetjen dhe Zgjerimin e Sistemit të Thesarit në Shqipëri (SETS)”, i cili ka nisur në 2011, me qëllim që të mbështesë Ministrinë e Financave në menaxhimin e financave publike në vend, nëpërmjet një konference për shtyp, financuesit e projektit treguan si vijon mbështetja.
Në takimin ku ishin të pranishëm zv.ministri i Financave z. Luçi, z. Yngve Engström, Drejtues i Departamentit të Operacioneve në BE, z. Martin Ledolter, Drejtor i Përgjithshëm i ADA-s, znj. Ksenija Maver, Drejtuese e Projektit SETS si dhe z. Fatmir Demneri, Drejtor i ASPA-s, u tha se janë rreth 1500 punonjës të thesarit që duhet të regjistronin të gjitha angazhimet e qeverisë, shpenzimet, pagesat dhe arkëtimet në një bazë manuale.
Agjencia Austriake për Zhvillim ka zbatuar projektin që u mundëson këtyre punonjësve të procedojnë transaksionet online. Shtatë ministri janë duke përdorur këtë sistem elektronik dhe një tjetër pritet të lidhet së shpejti. Projekti u hartua si pilot projekt për zgjerimin e sistemit të thesarit, që parashikonte krijimin e një lidhje të sigurt në mes të thesarit dhe deri rreth 50 institucioneve të shpenzimeve. Zgjerimi i Sistemit të Thesarit shqiptar do të bëjë punën e oficerëve të thesarit më efektive dhe efikase, do të rrisë transparencën dhe reduktojë rrezikun e gabimeve.
Mbështetja e projektit SETS konsiston në regjistrimin e saktë kontabël të të gjitha transaksioneve të qeverisë dhe përgatitjen e raporteve financiare të konsoliduara të qeverisë duke:
• Forcuar më tej anën funksionale dhe operacionale të Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë, në veçanti të ndërtojë dhe mirëmbajë një sistem eficent për menaxhimin e informacionit financiar, në të njëjtën linjë me reformën për menaxhimin e financave publike;
• Asistuar në rritjen e kapaciteteve me anë të trajnimeve dhe asistencës teknike;
• Hapur rrugën për reformat në vazhdim për menaxhimin e financave publike si p.sh. zgjerimi i sistemit nëpëmjet një web portali dhe menazhimi elektronik i dokumenteve financiar.
Projekti SETS është financuar nga Bashkimi Evropian, Zyra Austriake për Zhvillim (ADA), bashkëfinancuar nga Qeveria Shqiptare dhe u zbatua nga Agjencia Austriake për Zhvillim në bashkëpunim të ngushtë me stafin e Ministrisë së Financave, në një buxhet total prej 1.54 milion Euro në një periudhë kohore prej 14 Prill 2011 deri në 14 Tetor 2015.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.