Mikrofinanca, mbështetje për rritjen ekonomike të zonave më të varfra të Shqipërisë

24/08/2014 8:28 AM 0 komente

Flet Uarda Hoti, administratore e Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF Sh.a

Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit (FAF sh.a.) vepron në një treg sa të vështirë, teksa targeton të gjithë ata që nuk u shërbehet nga bankat, aq dhe interesant, për shkak të ndikimit social dhe efektit që ka në punësim, sidomos në zonat rurale. Pasi ka kaluar një vit të vështirë në 2013-n, për shkak të krizës ekonomike, por edhe tranzicionit të qeverive (institucioni është në varësi të Ministrisë së Financave), shoqëria është riorganizuar në 2014-n. Uarda Hoti, administratore e Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF sh.a., thotë në një intervistë për “Monitor” se gjatë 2014-s ka një përmirësim të treguesve të portofolit të kredisë, specifikisht disbursimeve të reja dhe rritjes së numrit të klientëve të rinj, si dhe ulje të përqindjes së kredisë me probleme

Si ka qenë ecuria e FAF sh.a. për vitin 2013? (portofoli i kreditit, klientët dhe tregues të tjerë)?
FAF sh.a. mbështet ekonominë lokale duke ofruar një ndërvendosje më eficiente dhe efektive të shërbimeve dhe resurseve financiare, përgjigjet ndaj kërkesave për kredi të mikrobizneseve dhe të investimeve të nivelit të vogël/mesëm në një kontekst tregu, kontribuon në një përdorim më të gjerë të produkteve dhe shërbimeve financiare në zonat malore dhe rurale që janë më pak të mbështetura, dhe nxit lindjen dhe zhvillimin e bizneseve të reja dhe fuqizimin e bizneseve ekzistuese.

Viti 2013 ka qenë një vit i trazuar për sa i përket ekonomisë së vendit, siç ndodh gjithmonë gjatë një viti elektoral, e shoqëruar kjo nga kriza ekonomike globale, sigurisht e pasqyruar edhe në vendin tonë, dhe pa dyshim që ka pasur efektin e vet edhe në tregun e mikrofinancës, duke u reflektuar edhe në performancën e institucionit që unë drejtoj nga marsi i vitit 2014.

Performanca e Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit (FAF sh.a.) gjatë vitit 2013 nuk ka qenë në nivelin e duhur, si pasojë e të gjitha shkaqeve të sipërpërmendura, duke mos pasur përmirësim të portofolit të kreditit si në aspektin sasior, ashtu edhe në aspektin cilësor, si edhe duke mos pasur rritje të numrit të klientëve të shërbyer me produktet e institucionit tonë.

Si e vlerësoni ecurinë e institucionit tuaj dhe gjithë tregut të mikrofinancës?
Tregu i mikrofinancës është nga tregjet më të vështira, nëse u referohemi produkteve dhe shërbimeve të industrisë financiare, pasi ky treg konsiston në të gjithë të “pashërbyerit” nga sistemi bankar, për karakteristikat që e dallojnë; klientë në zona rurale dhe malore, në industri si bujqësia apo blegtoria, me kolaterale jo shumë cilësore, me të ardhura jostabile, etj. Kështu që, si i tillë, gjithë tregu i mikrofinancës, dhe specifikisht institucioni ynë, përballet me një numër shumë të madh sfidash dhe vështirësish.

FAF sh.a., gjatë muajve të fundit, është karakterizuar nga përmirësimi i treguesve të portofolit të kredisë, specifikisht disbursimeve të reja dhe rritjes së numrit të klientëve të rinj, si dhe ulje të përqindjes së kredisë me probleme, indikatorë të cilët pasqyrojnë menaxhim cilësor dhe të orientuar nga rezultatet dhe misioni i institucionit.

Sa ka ndikuar kriza ekonomike në ecurinë e aktivitetit tuaj, sidomos në drejtim të rritjes dhe menaxhimit të portofolit të kredisë me probleme?
Referuar kësaj pyetjeje, më lejoni t’i përgjigjem vetëm duke ju kujtuar borxhin qeveritar të mbartur nga qeveria e kaluar, e cila, duke mos paguar në kohë bizneset dhe sipërmarrjet, ndikoi në treguesit e likuiditetit të tyre, gjë e cila, më pas, u reflektua në vonesa të pagesave të kësteve të kredisë tek institucionet bankare dhe mikrofinanciare, dhe respektivisht në rritjen e kredive të këqija.

Por, me politikat e reja të qeverisë, ky problem ka filluar të marrë zgjidhjen e duhur, duke gjeneruar likuiditete për klientët tanë, dhe rrjedhimisht, duke pasur më shumë arkëtime, dhe më pak kredi të këqija.

Cilat janë pritshmëritë për këtë vit për institucionin tuaj dhe sektorin e mikrofinancës në tërësi?
Institucioni ynë, duke qenë nën varësinë e Ministrisë së Financave, gjatë gjithë kohës ka qenë më pranë iniciativave dhe politikave të reja të kësaj Ministrie për të gjeneruar dhe për të promovuar rritje ekonomike, gjë e cila është ndier edhe te Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit.

Që në mars të këtij viti, kemi filluar me ridimensionimin e filozofisë së menaxhimit të FAF sh.a., duke bërë riorganizim të stafit dhe pikave të ofrimit të shërbimit, gjë e cila është pasqyruar edhe në treguesit ekonomiko-financiarë të institucionit, me më shumë klientë të rinj, më shumë disbursime kredish, më pak kredi të këqija, dhe me një trend gjithnjë në rritje të treguesve të një performance pozitive.

Nëse u referohemi numrit të klientëve, FAF sh.a., në total ka rreth 3,678 klientë aktivë dhe një portofol kredish prej afro 20 milionë dollarësh. Nga këto, pjesa më e madhe e klientëve janë në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, tregtisë, shërbimeve, prodhim, etj.

Si portofol gjithsej i kredisë, pjesën më të madhe e zë sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, i ndjekur nga tregtia, shërbimet, prodhimi, etj.
Nëse i referohemi ndikimit social të institucionit tonë kemi të dhënat e mëposhtme lidhur me numrin e klientëve femra, numrin e klientëve në zonat rurale dhe numrin e klientëve në agropërpunim, bujqësi dhe blegtori, të dhëna të cilat pasqyrojnë fokusin kryesor të institucionit tonë, target-grupet kryesore që mbështesim, si edhe ndikimin te këto kategori.

Ndikimi social-ekonomik është një nga elementet më të rëndësishëm të institucioneve të mikrofinancës dhe veçanërisht ndikimi në punësim. FAF. sh.a. është nga të vetmet institucione të mikrofinancës në Shqipëri që prodhon një raport vjetor në të cilin pasqyrohen gjetjet për ndikimin social ekonomik të institucionit, dhe nga të dhënat e këtij raporti evidentohet që një mikrokredi e disbursuar nga FAF sh.a. mesatarisht krijon 1,70 vende të reja pune me kohë të plotë dhe 1,33 vende të reja pune me kohë të pjesshme.

Duke u bazuar në të dhënat e këtij raporti të matjes dhe vlerësimit të ndikimit, vetëm përgjatë 300 ditëve të qeverisë së re, nga mbështetja me mikrokredi e FAF sh.a. janë krijuar 833 vende të reja pune me kohë të plotë dhe 682 vende të reja pune me kohë të pjesshme.

Institucioni në shifra
FAF sh.a. në total ka rreth 3,678 klientë aktivë dhe një portofol kredish prej afro 20 milionë dollarësh. Nga këto, pjesa më e madhe e klientëve janë në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, tregtisë, shërbimeve, prodhim, etj.

Rreth FAF
Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF sh.a. është Subjekt Financiar Jobankë që u jep kredi direkt Individëve dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (SME) në zonat gjysmëurbane dhe urbane të Shqipërisë, rurale dhe të disfavorshme, të cilat, në shumicën e rasteve, janë të paarritshme prej bankave. “Misioni i FAF sh.a. është të kontribuojë për rritjen ekonomike të zonave malore dhe përgjithësisht më të varfra të Shqipërisë, duke u ofruar klientëve të synuar, hyrje në shërbime financiare të qëndrueshme dhe në përputhje me nevojat e tyre investuese, si dhe qëllimet e aktivitetit”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of