Ka nisur zyrtarisht epoka e Fondit Elliott te klubi i Milan. Dje, Fondi, i drejtuar nga Paul Singer nisi zbatimin e procedurave për shlyerjen e borxhit prej 32 mln eurosh pas dështimit nga ana e Yonghong Li.
Hapi i parë ishte fshirja e administratorëve nga Rossoneri Champion (një nga kompanitë që kontrollohet nga klubi), duke përfshirë edhe Chen Huashan, një figurë gjithnjë në hije, por i pranishëm me firmën e tij në kontratat e Sino-Europe Sports. Tani, siç thekson ‘Repubblica’, Elliott do të thërrasë Asamblenë e Aksionerëve të Rossoneri Sport Investment, që nga ana tjetër do të ndryshojnë drejtuesit.
Më pas, brenda dhjetë ditësh, Asambleja e Aksionerëve të Milanit do të emërojë CDA – Këshillin e Administrimit – në të cilin mendohet se do të qëndrojë këshilltari Paolo Scaroni. Asambleja do të emërojë dhe një president të ri të Këshillit dhe do të vendosë për një rritje të kapitalit prej 150 milionësh, i nevojshëm për t’i dhënë qëndrueshmëri financiare.
Sipas disa zërave, siç shkruan ‘Corriere della Sera’, Elliott mund të emërojë te Këshilli, Giorgio Furlani, menaxher i portofolit, i cili është kujdesur më parë për klubin e Milan.
Ndërkohë Yonghong Li është gati të apelojë në Gjykatën e Luksemburgut që gjyqtarët të përcaktojnë “Fair value” të klubit.
Sot Elliott merr kontrollin për rreth 370 milionë, por sipas Li, i cili e ka blerë klubin për 740 milionë euro nga Fininvest (duke përfshirë dhe borxhet), Milan vlen më shumë.
Fondi Elliott, me drejtues Paul Singer, ka filluar bisedimet me familjen Ricketts, që ka në pronësi Chicago Cubs, por natyrisht edhe me të gjithë subjektet që treguan interes ndaj Milan, duke nisur nga Rocco Commisso.
Ndërkohë mbetet për t’u kuptuar nëse Fondi do të përfshijë menjëherë drejtuesit e nivelit të parë, duke nisur nga Umberto Gandini e Paolo Maldini, të cilët për shkak të profilit të tyre, mund të marrin pëlqimin e blerësit të ardhshëm.