Minat e HEC-eve krisin muret e shtëpive në Valbonë, Gener 2: Do t’i rehabilitojmë

11/06/2018 11:54 AM 0 komente

Banorët e Valbonës po mbajnë sot (të hënën) të bllokuar rrugën që lidh zonën turistike me pjesën tjetër të vendit, në protestë për shpërthimet që janë bërë një ditë më parë nga kompania që po ndërton HEC-et.

Shpërthimet me mina për hapjen e tuneleve kanë krijuar krisje në shtëpitë e fshatit Dragobi (shih fotot e dërguara nga banorët e zonës), teksa gurët që kanë rrëshqitur nga shpatet e maleve kanë rrezikuar jetën e banorëve dhe kane prishur linjat e shpërndarjes së energjisë.

Përfaqësuesi i Agjencisë Kombëtarë të Mjedisit thotë se ka frikë se shpërthimet e vazhdueshme prej më shumë se një viti kanë kompromentuar faqet shkëmbinjve dhe nëse ndodh një tërmet i vogël mund të ketë ortek të madh gurësh.

Burimet zyrtare të kompanisë Gener 2, për llogari të së cilës po ndërtohen HEC-et pohuan se shpërthimet me mina janë pjesë e procesit të punimeve. “Nëse shtëpitë e banorëve janë dëmtuar nga këto shpërthime ne do t’i rehabilitojmë ato në kuadër të planit të rehabilitimit të të gjithë zonës, që është një pjesë e rëndësishme e projektit”, – pohuan burimet zyrtare nga Gener 2.

Banorët e zonës pohojnë se shpërthimet e fundit kanë dëmtuar rreth 13 shtëpi në fshatin Dragobi, 7 prej tyre në lagjen Metaliaj dhe 6 të tjera në lagjen Ismailaj.

Banorët duket se janë të bindur për dëmin në mjedis që kanë krijuar HEC-et, derisa punimet kanë nisur të rrezikojnë shtëpitë e tyre.

Shtëpitë zonën e Dragobisë janë karakteristike, tipike të trashëgimisë së arkitekturës të fshatrave alpine shqiptare.

Ato janë përgjithësisht kulla guri trekatëshe, me dritare të vogla e porta rrumbullake. Disa prej tyre janë mbi 100-vjeçare dhe mjaft të forta për shkak të mureve të trasha të gurit, por shpërthimet e shpeshta me mina të viteve të fundit duket së i kanë tronditur rëndë themelet e tyre. derisa dje me shpërthimet u fundit muret e tyre u çanë.

Gurët shumë kilogramësh kanë pushtuar oborret e shtëpive dhe tani jeta banorëve nuk është më e sigurt, ndërsa mjedisi në luginë është dëmtuar.

Ndërkohë është duke u zhvilluar një betejë ligjore në gjykatë, ku kompania Gener 2 kërkon dëmshpërblim nga banorët për prishje imazhi, ndërsa shtëpitë e tyre po rrezikohen nga punimet me mina.

 

 

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of