Ministrat e Financave në 100 vjet shtet shqiptar

15/12/2012 8:02 AM 0 komente

Historia e shtetit modern shqiptar fillon me vitet e para të shekullit XX, fill pas agonisë së Perandorisë Turke.

Ajo nis me Pavarësinë kombëtare, më 28 Nëntor 1912 dhe sidomos me krijimin e institucioneve shtetërore, kur Shqipëria doli nga një brinjë e konceptit “osman”, kur Perandoria Osmane, e hallakatur dhe e kuturisur nga luftërat e përhershme të popujve ballkanikë, jepte shpirt nëpër rrugët dhe qytetet e përgjakura të Shqipërisë.

Në qeverinë e parë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali, një nga institucionet më të rëndësishme ishte Administrata Financiare, që kishte në varësi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, të cilën Ismail Qemali dhe Abdi Toptani e vlerësonin tej mase.

Ministri i parë i Financave shqiptare ka qenë Abdi Toptani, ndërsa drejtor i përgjithshëm, Baki Gjebrea.

Qeveria e Ismail Qemalit synonte, nga njëra anë, të konsolidonte Shtetin e ri Shqiptar, dhe nga ana tjetër të ndihmonte borgjezinë vendase, e cila ishte në hapat e parë të saj.

“E them me lumturim, vinte në dukje Ismail Qemali në fjalimin e tij, që mbajti në sheshin e mbledhjes në Vlorë, – se puna e Bankës për Shqipërinë ishte një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga pikpamja ekonomike dhe politike”.

Ismail Qemali i mori të gjitha masat që të krijoheshin të gjitha kushtet që ky institucion të fillonte punën pa humbur kohë. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, qeveria e Ismail Qemalit depozitoi pranë Bankës fondet që dispononte dhe u bëri thirrje tregtarëve që të depozitonin në Bankë mjetet e tyre të lira.

Abdi Toptani, me cilësinë e ministrit të Financave, vendosi tarifën doganore në bazë tagri specifik mbi llojin e mallrave, e cila pati qëllim fiskal.

Ministri Toptani vijoi në veprimet e veta ligjore, duke vepruar me taksat doganore si më parë, d.m.th 11% mbi vlerën e mallrave, që importoheshin dhe 1% mbi vlerën e mallrave që eksportoheshin.

Pra u mbajt në fuqi sistemi ad-valoren. Ai ndryshoi taksën e importimit mbi duhanin, që e shtoi përkohësisht deri në masën 30% me një urdhër të firmosur nga vetë ai me nr. 472, datë 15 korrik 1913.

Lufta ballkanike dhe rebelimet separatiste të Esat Pashë Toptanit, detyruan Fuqitë e Mëdha të sillnin në Shqipëri Princ Vidin për të drejtuar vendin. Në këtë kohë, ministër i Financave u caktua Filip Noga dhe Adhamidh Frashëri. Por Lufta e Parë Botërore, që përdori për mejdan vendin tonë nuk la gjurmë historike në drejtim të qeverisjes së vendit. Kështu që dhe puna e qeverisë ishte e papërfillshme.

Vetëm pas Kongresit të Lushnjës e pas krijimit të Qeverisë Kombëtare u bë e mundur vendosja në Tiranë e Ministrisë së Financave, duke shtrirë pushtetin e vet mbi të gjithë administratën përkatëse, përfshirë doganat dhe monopolet. Kështu nën vartësinë e saj, në atë kohë, vepronin Drejtoritë Financiare në Shkodër, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Vlorë; zyrat financiare në Lezhë, Krujë, Kavajë, Fier, Lushnjë, Gramsh, Peqin, Mallakastër, Skrapar, Tiranë, Gramsh, Qukës, Delvinë, Leskovik, Përmet, Tepelenë, Bilisht, Ersekë, Pogradec, Himarë dhe Mat.

Nën varësi të kësaj ministrie vepronte në Durrës edhe Kryedrejtoria e Monopolit, prej së cilës vareshin Drejtoritë e Monopoleve në Shkodër e Gjirokastër dhe Zyrat në Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë, Lezhë, Sarandë, Delvinë, Përmet, Korçë, Krumë e Peshkopi, si dhe Kriporet në Durrës, Kavajë, Vlorë. Prej Ministrisë së Financave vareshin edhe Drejtoria e Pasurisë së Shtetit me qendër në Libofshë.

Në vitet 1920-‘21 u shtuan, u pakësuan dhe u anuluan taksat e eksportimit me qëllim: mbrojtjen e prodhimit vendas e ngandonjëherë edhe me qëllim fiskal. Dolën ligje dhe urdhëresa për ndalimin e eksportimit të arit, argjendit, tunxhit, drithit, etj. Pasi doli ligji i parë doganor në vitin 1921 dhe po në këtë vit u hartua tarifa e parë doganore shqiptare, filloi të konturohej e të funksiononte më mirë edhe veprimtaria e doganave. Po ashtu u nxorën dhe ligjet e para për rregullimin e të ardhurave të shtetit.

Hapin e parë për organizimin e Financave duhet ta shohim në prillin e vitit 1916, kur Komanda Eprore ushtarake austro-hungareze, me qëllim krijimin e Administratës Civile shqiptare krijoi të parin institucion, Ministrinë e Financave, duke nxjerrë libra në gjuhën shqipe për kontabilitetin, duke përkthyer ligje në gjuhën shqipe, sipas doktrinave perëndimore për tatimet mbi ndërtesat dhe tatimin mbi fitimin, xhelepin.

Më vonë, politikat financiare të qeverive shqiptare të viteve ‘20 dhe ‘30, të shekullit XX përparuan më shumë dhe si rezultat i një pune atdhetare të përkushtuar për të mirën e Shqipërisë. Për herë të parë doli Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.273, datë 6.05.1920, ku u vendos për herë të parë nxjerrja e të ardhurave shtetërore në bazën e frangut ar.

Ministrat e Financave të atyre viteve si Ndoc Coba, Ahmet Dakli, Tefe Curani, Kol Thaçi, krijuan Drejtorinë e parë Doganore Shqiptare, me Ahmet Boriçin nga Shkodra, drejtor të përgjithshëm. Nën drejtimin e tyre, më 16 shkurt 1922, doli ligji që dispononte prerje Kartëmonedhash Kombëtare me emrin “Lekë”, duke u bazuar në ar dhe duke u njehsuar 100 lekë baras me 20 franga ari. Kartëmonedhat do të pjesëtoheshin në 25 qindarka të lekut në 50 qindarka, 1,2,5,10 dhe 25 lekë. Autorizimi i prerjes së tyre do të kufizohej në 3.000.000 franga ari.

Ata krijuan Ligjin e Parë Doganor Shqiptar, të firmosur nga kryedrejtori i Doganave, Ahmet Boriçi, që mban datën 20 Gusht 1922 dhe hartuan Tarifën e Parë Doganore shqiptare.

Në Fletoren Zyrtare, që mban datën 17 Gusht 1922 gjendet edhe ndryshimi i artikujve 13 dhe 18 i Tarifës së re Doganore, që është firmosur nga zv/ministri dhe ministër i Financave, Kol Thaçi dhe për Këshillin e Lartë të Shtetit Shqiptar, Sotir Peci.

Kol Thaçi ishte një nga 36 senatorët e zgjedhur në Kongresin e Lushnjës për Këshillin Kombëtar më 31 janar 1920. Po ashtu vëmë në dukje se Sulejman Starova dhe Abdurrahman Dibra dhe Andon Beça kanë qenë edhe ndër 18 senatorët e 2 Marsit 1925.

 

Në vitin 1922, struktura e Ministrisë së Financave përbëhej:

  1. Përfaqësia ligjore me nga dy përfaqësues legalë e teknikë dhe Inspektorati me tre inspektorë, nga një për financa, dogana dhe monopole.
  2. Drejtoria e të Ardhurave të Shtetit me seksionet: Pasuri Shteti e Tatime, Dogana e Monopole.
  3. Drejtoria e Kontabilitetit e përbërë nga buxheti, kontrolli e llogaria.
  4. Drejtoria e Thesarit me seksionet: likujdacion, llogari, arka e përgjithshme e kontroll.

Në librin “Ballafaqime politike në Shqipëri në vitet 1879-1942”, politikani i atyre kohëve, Sejfi Vllmasi, jep edhe disa aspekte të jetës ekonomike e të gjendjes financiare të Shqipërisë deri në dhjetor të vitit 1924.

Pas Kongresit të Lushnjës, kur Qeveria e Tiranës filloi ta dominojë situatën e të vërë njëfarë rregulli në punët e administratës së re e për rrjedhim edhe në çështjet ekonomike e të financave të vendit, u shfaqën ndër të tjera, edhe disa plagë specifike, që kishte trashëguar vendi nga e kaluara e tij nën Perandorinë Osmane dhe nga Lufta Ballkanike, e cila e kishte thyer unitetin ekonomik të hapësirës jetike shqiptare dhe nga disa ngjarje, që ishin zhvilluar në Shqipërinë e re që nga Lufta Ballkanike e deri në Kongresin e Lushnjës, plagë këto, që patën tronditur edhe besimin e disa intelektualëve të atëhershëm shqiptarë e të një pjese popullsie në aftësitë e vendit për të qëndruar e për të ecur përpara me mundësitë e veta. Problemet e mëdha me karakter ekonomiko-financiar u paraqitën edhe shumë më të mprehta se sa pandehnin disa burra të politikës së atëhershme financiare shqiptare si Luigj Gurakuqi, Sulejman Starova, Milto Tutulani, Mufit Libohova, etj.

 

Në ç’formë u paraqitën këto plagë?

Libri i Vllamasit, që për mendimin tim paraqet një enciklopedi të vogël politike të atyre viteve dhe na ndihmon për të hulumtuar problemet politike, sociale dhe ekonomiko-financiare ka vlera interesante për të kuptuar atë që gatuhej në korridoret e diplomacive të huaja dhe kafenetë tona. Klasa politike e asaj kohe, e ndershme dhe e pandershme, e moralshme dhe e pamoralshme, e arsimuar dhe e paarsimuar, e pasur dhe idealiste, gjeneronte sherre pa mbarim, kurthe dhe intriga dhe në shumicën e rasteve, harxhet i paguante populli shqiptar i sfilitur nga skamja. Shpesh pas kuintave të politikës së sherreve fshihej profili tinëzar i fqinjëve të pabesë dhe lakmitar të vendit tonë. Kjo periudhë është karakterizuar nga ndërrime të pajustifikuara kabinetesh, nga ndonjë grusht shteti apo nga ndonjë atentat politik. Është koha e kacafytjeve ku demokracia e brishtë degjeneronte herë pas here në anarki. Është koha kur disa politikanë e konsideronin pushtetin si burim paraje dhe paratë si burim për të pasur pushtet.

Kur njihesh me historinë e kabineteve qeveritare të atyre viteve, të krijohet përshtypja sikur të gjithë politikanët-baballarë të kombit përgjërohen për Shqipërinë, por nga ana tjetër, mundohen kush e kush të zërë karrigen më të madhe, me synim: marshimi drejt pushtetit. Është me vend thënia me kuptim pezhorativ dhe gati proverbiale që thuhet ndër ne: “Nënat shqiptare dinë vetëm të lindin më shumë kapedanë se sa ushtarë”.

Në këto vite të ndërrimeve të kabineteve qeveritare dhe të amullisë politike, gjuha më e mirë e provave në çështjet ekonomiko-financiare janë mungesa totale e zhvillimit të arsimit, shëndetësisë, telekomunikacionit, infrastrukturës rrugore, bujqësisë, industrisë, etj. Kishte mungesë drithërash, mungesë shkollash e spitalesh. P.sh. vlera e artikujve shqiptarë të eksportit në vitin 1921 ishte shumë e ulët. E llogaritur në franga ari, ajo përfaqësonte shifrën 2.000.000. Ndërsa importi kapte shifrën 15.000.000 franga ari. Midis artikujve të importuar ishte edhe misri e disa gjëra ushqimore konsumi, veshmbathje, të cilat duheshin prodhuar në vend. Në vitin 1923, gjendja u rëndua edhe më shumë. Mungesa e drithërave të bukës u bë më e theksuar sa që banorët shqiptarë në malet e Veriut e të Jugut nuk kishin as mjetet financiare për të blerë te tregtarët misër të importuar. Për këtë iu desh Lidhjes së Kombeve t’i japë Shqipërisë një ndihmë në misër, për ndarjen e rregullt të të cilit në popull erdhën dhe e mbikëqyrën vetë të dërguarit e saj.

Mendojmë se një popull, që nuk prodhon vetë, nuk ka si të krijojë mirëqenie, bollëk dhe zhvillim.

Një plagë tjetër ishte e lidhur me sa thamë më sipër. Me gjithë dërgesat e çeqeve dhe valutave në dollarë dhe deviza të tjera, që emigrantët shqiptarë u bënin familjeve të tyre të mbetura në Shqipëri, deficiti në bilancin e tregtisë, nga njëra anë dhe pagesat e tjera me jashtë nga ana tjetër, shkaktuan pakësimin e gjendjes së monedhave në ar, në argjend dhe të valutave të ndryshme, që atëherë ishin të vetmet monedha qarkullimi e pagesash në Shqipëri. Deficiti në bilancin e pagesave, që krijoi pakësimin e monedhave, tregoi se edhe ai pak kapital qarkullues privat, që kishte mbetur në vend po vinte duke u shteruar. Pakësimi i monedhave në qarkullim dhe pasojat e tjera për marrëdhëniet private sollën domosdoshmërisht pakësimin e të ardhurave shtetërore, si dhe prapambetjen në nxjerrjen e disa të ardhurave të vërtetuara.

Duke qenë se shpenzimet e planifikuara në buxhet jo vetëm që nuk u pakësuan në masën e të ardhurave të nxjerra, por përkundrazi, u shtuan. Veçanërisht për shkak të gjendjes së brendshme erdhi duke u formuar një deficit buxhetor, që u rrit gjithnjë dhe u bë plagë tipike e arkës së shtetit. Kjo plagë tipike nënkuptonte: pagesa me vonesë të rrogave dhe shpenzimeve të tjera buxhetore, vonesë në arkëtimin e të ardhurave, që nuk përputhej kurrë në kohë e në sasi me kohën e me shumën e mandateve, që paraqiten për pagesë. Prandaj në çdo shtet të rregullt ose formohet një fond i thesarit të shtetit në likuid për kapërcimin e inkongruencave ose financohet thesari nga bankat e mëdha për këtë qëllim. “Punë e bukur për ministrat e atëhershëm të Financave – shkruan më tej në libër Sejfi Vllmasi – të cilët shpesh herë qe e mundur t’i gjeje në dhomën e tyre me monella ari, sermi e kartmonedha të ndryshme nëpër duar, duke paguar rrogat ose shpenzimet urgjente e duke llogaritur shumën në frënga ari, që bënin monellat e papaguara në bazë të kursit të ditës”.

Në vitin 1925 u krijua monedha e parë shqiptare (franga ar shqiptare). Futja e kapitalit të huaj u bë politikë zyrtare e qeverisë së mbretit Zog. Me këtë, Zogu, në planin e brendshëm synonte të forconte pushtetin personal, të pasuronte përkrahësit vet, por dhënien e koncesioneve kapitalit të huaj e përdori edhe si mjet për sigurimin e të ardhurave për regjimin në formën e huave e të rentës, me të cilat Zogu llogariste të dilte nga kriza e rëndë financiare.

Në vitin 1927, Financave të Shqipërisë iu dha mundësia të organizoheshin më mirë. Për këtë qëllim, u dërgua nga qeveria italiane Federiko Merlino, këshilltar në Këshillin Kontrollues në Romë. Pas një pune serioze, ai përfundoi Ligjin e Kontabilitetit të Përgjithshëm të Shtetit, i cili u dekretua më 28 Maj 1929 dhe hyri në fuqi më 1 Prill 1930.

Në të gjithë periudhën e qeverisë së Zogut, Ministria e Financave e ushtroi veprimtarinë e vet, duke përdorur sistemin centralizues me anën e Sekretarisë së Përgjithshme dhe të Drejtorive:

  1. Drejtoria e të Ardhurave e cila përfshin: Seksionet e Pasurisë së Shtetit, të tatimeve direkte, të Doganave, të Statistikës dhe të Monopolit.
  2. Drejtoria e Kontabilitetit, e cila përfshin: Seksionet e Kontrollit të të Ardhurave dhe Shpenzimeve, dhe të Buxhetit.
  3. Drejtoria e Thesarit, e cila përfshin: Seksionin e Llogarisë e të kontove speciale, të Arkës së Përgjithshme, të Sendeve me Vlerë dhe Kontrollit.
  4. Drejtoria e Laboratorit Kimik.
  5. Drejtoria e Pensioneve.

Gjithashtu pranë kësaj vepronte: përfaqësia ligjore dhe katër inspektorë-instruktorë.

Gjatë viteve 1931-‘36, kapitali i huaj dhe sidomos ai italian i diktuan qeverive shqiptare përfundimin e një marrëveshjeje për Bashkimin Doganor.

Ky bashkim, në atë kohë, do të përfshinte ekonominë shqiptare në sistemin e ekonomisë italiane dhe hapjen pa kufizim të kapitalit italian. Bashkimi doganor do të godiste në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e borgjezisë shqiptare të sapokrijuar. Por edhe buxheti i shtetit do të privohej nga një burim i rëndësishëm të ardhurash, siç ishin të ardhurat nga doganat. Në të njëjtën kohë do të rritej varësia e financave shqiptare nga financat italiane. Zogu formalisht e pranoi këtë marrëveshje, por pastaj e refuzoi.

Në vitet e qeverisjes së mbretit Zog u bënë mjaft ndryshime ligjesh si tarifa e re doganore, ligji që përjashtonte nga tagri doganor materialet e shoqërisë “Fives Lille” për ndreqje urash, ligji mbi Financat e Bashkisë, etj. Në vitin 1927 dolën ligje mbi modifikimin e tarifës dhe mbi përjashtime si: ligji më datë 26.12.1926, i cili ka një shtesë 50% mbi tagrin doganor të pambukut, leshit, mëndafshit dhe gjërave të tjera të punuara prej tyre, shtesë e cila u vu me qëllim fiskal. Po ashtu dolën ligje që përjashtonin të gjitha veglat dhe makinat e nevojshme për kryerjen e punëve botore, që shoqëritë sipërmarrëse importojnë në Shqipëri.

Në vitet 1928-‘34 qeveritë e mbretit Zog nxorën mbi 70 dekretligje për tarifën dhe tagrën doganore. Në këto vite, një punë të palodhur bëri Haxhi Shkoza, studiues dhe nëpunës i aftë në Ministrinë e Financave.

Haxhi Shkoza është i pari studiues shqiptar, që ka bërë një libër për “Historinë e Financave Shqiptare” (1939-1934), në të cilin pasqyron historinë e financave shqiptare në rrafshin hostoriko-profesional, ligjet për taksat dhe tarifat, vështirësitë e realizimit të tyre, vështirësitë në organizimin e financave për shkak të luftërave të huaja në vend, por edhe për shkak të kontradiktave të brendshme midis vetë bejlerëve nga njëra anë dhe vegjëlisë nga ana tjetër.

Një tjetër personalitet që i kushtoi mendjen dhe përkushtimin e vet financave shqiptare ka qenë edhe Teki Selenica, specialist dhe drejtor në Drejtorinë e të Ardhurave në Ministrinë e Financave. Ai ka botuar dy libra: “Shqipëria në vitin 1927”, album i ilustruar dhe librin “Shqipëria në vitin 1937”. Këto dy libra dhe duke përfshirë edhe librin e tretë “Probleme Shqiptare” të Mehdi Frashërit, formojnë një fond të mirë teorik dhe historik për vazhdimin e mëtejshëm të Historikut të Ministrisë së Financave të Shqipërisë në vite.

Në vitet e qeverisjes së mbretit Zog kanë dhënë ndihmesën e tyre edhe kuadro e specialistë të tillë të kulturuar si Rrok Gera; Lame Kareco; Sokrat Dodbiba; Vasil Pala, anëtar i Këshillit Kontrollues në Ministrinë e Financave; Lac Gera, drejtor i Kontabilitetit në Ministri; Muharrem Kokona, specialist në ministri për doganat.

 

 

Ministrat e Financave 1912-2012

Abdi Toptani 1912-1913

Adamidh Frashëri 1914 (shkurt-maj)

Filip Noga 1914 (maj-shtator)

Fejzi bej Alizoti 1918-1920, 1927, 1939

Ndoc Çoba 1920

Tefë Curani 1920-1921

Ahmet Dakli 1921

Sulejman Starova 1921, 1925-1928

Kol Thaçi 1921-1922, 1922-1924, 1930-1931, 1936-1939

Mufit Libohova 1924, 1925

Luigj Gurakuqi 1923, 1924

Fejzi Alizoti 1927, 1939-1940

Milto Tutulani 1928-1930

Lame Kareco 1931-1932

Abdurrahman Dibra 1933-1935

Dr. Rrok Gera 1935-1936, 1944

Qemal Vrioni 1941

Shuk Gurakuqi 1942

Andon Beça 1943

Dr. Sokrat Dodbiba 1943

Ramadan Çitaku 1944-1948

Abdyl Këllezi 1948-1953, 1954-1956

Tuk Jakova 1953-1954

Aleks Verli 1956-1974

Lefter Goga 1974-1976

Haki Toska 1976-1982

Qiriako Mihali 1982-1984

Niko Gjyzari 1984-1985

Andrea Nako 1985-1990

Qemal Disha 1991-1991

Anastas Angjeli 1991-1991, 1998-2002

Genc Ruli 1991-1993

Robert Çeku 1992-1992

Piro Dishnica 1993-1994

Dylber Vrioni 1994-1996

Ritvan Bode 1996-1997

Arben Malaj 1997-1998,

Kastriot Islami 2002-2003

Arben Malaj 2003-2005

Ritvan Bode 2005 vazhdon

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz