Ministri Ahmetaj zgjidhet Zv. Kryetar i Bordit të Guvernatorëve të BERZH

09/05/2018 7:59 PM 0 komente

Ministri i Financave dhe Ekonomisë tashmë do të mbajë edhe vendin e zvkryetarit në Bordin e Guvernatorëve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ahmetaj u votua për këtë pozicion gjatë punimeve të takimit Vjetor të Bordit të Guvernatorëve dhe Forumit të Biznesit të Bankës i cili po zhvillohet në Jordani. Në fokus të këtij takimi janë investimet e Bankës në vendet ku ajo operon, si dhe perspektiva e zgjerimit në rajonin e Afrikës Sub-Sahariane.

Në fjalën e tij gjatë takimit, Ministri Ahmetaj bëri një prezantim të zhvillimeve kryesore ekonomike në Shqipëri dhe reformave kryesore të ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Ahmetaj theksoi se “ekonomia shqiptare është në vitin e katërt të përshpejtimit të rritjes në 3.8 %” dhe se “përpjekjet për konsolidim fiskal dhe rritje ekonomike kanë qenë faktorë përcaktues për krijimin e vendeve të punës dhe uljen e pabarazisë”, ndërsa papunësia tek të rinjtë në ekonominë shqiptare është më e ulta në rajon.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë shprehu vlerësimin e qeverisë për rolin që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka në një sërë projektesh të rëndësishme në vendin tonë, si në infrastrukturë, energji, klimën e biznesit dhe financimin në bujqësi.

Në këtë kuadër, Ministri Ahmetaj tha se investime me mbështetjen e BERZH, si Bypasset e Fierit dhe Vlorës dhe hekurudha Tiranë-Durrës, janë investime tejet të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës në vend.

Gjatë punimeve të Takimit Vjetor, Ministri Ahmetaj mbështeti propozimin e Bordit të Guvernatorëve të BERZH për të eksploruar mundësitë e shtrirjes në vende të reja në rajonin e Afrikës Sub-Sahariane.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz