Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë po prezantohet raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2012. Gjatë fjalës së tij, kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, ka vlerësuar punën e qeverisë së mëparshme ‘Berisha’ duke deklaruar se ajo ka punuar për përmbushjen e objektivave të buxhetit.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ndërkohë ka rikonfirmuar se buxheti faktik i hartuar tregon punën e dobët të Financave gjatë qeverisë Berisha.
“Viti 2012 do mbahet mend për thyerje të rregullit fiskal. Të ardhurat në Tatime e Dogana janë në nivelin 7.4% në buxhetin faktik. Modeli i qeverisë së mëparshme ka reflektuar korrupsion,vjedhje në Tatime e Dogana. Dje kam çuar audit të thelluar në administratën tatimore dhe kushdo që kapet me shkelje tek Tatimet do ndëshkohet”, tha z.Cani.
Edhe kreu i KLSH-së, ka konfirmuar se institucioni do t’i bashkohet përpjekje të Tatimeve për të ndëshkuar shkelësit e ligjit dhe ata që kanë krijuar evazion dhe korrupsion.
Sipas tij, është ende problem që borxhi ka mbetur pa tavan pasi kjo tregon se do të rritet më tej.
“Duhet t’i jepet fund nga Ministri i Financave praktikave të korrektimit të buxhetit ndërkohë që duhet të garantohet që 20% e të ardhurave të 2014 të shkojnë për ish-të përndjekurit”, tha Leskaj.
Ministrin Cani ka rikujtuar se qeveria ka detyrime të papaguara ndaj biznesit ç’ka ka rritur ndjeshëm borxhin e shtetit.
“Ajo që mund të them është se FMN ka mbetur e çuditur nga ky borxh dhe është naive të mendosh se është qeveria aktuale që e ka rritur. ”, tha kreu i Financave.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli ka thënë gjatë fjalës së tij se në vitin 2012, 25.6 % e numrit të subjekteve janë debitore.
“Tejkalimi i borxhit ka nisur pa mbaruar viti 2012 dhe prandaj duhet të merren masa nga Ministria e Financave”, tha Angjeli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.